LAJMI I FUNDIT:

Leposaviq, policia ndalon një furgon që po kontrabandonte derivate nga Serbia

Leposaviq, policia ndalon një furgon që po kontrabandonte derivate nga Serbia

Policia Kufitare e Kosovës sot ka ndaluar një person të dyshuar për kalim të paautorizuar të kufirit Kosovë-Serbi, në furgonin e të cilit ka gjetur rreth 1300 litra derivate dhe nuk kishte “stikersa” (tiketa ngjitëse) të vendosura në targat e automjetit të Serbisë.

Në njoftimin e Policisë thuhet se “sot më 26.10.2021, rreth orës 08:50, Policia Kufitare e Kosovës, konkretisht patrulla e stacionit për mbikëqyrje të kufirit – Leposaviq ka ndaluar një furgon ‘Renault Master’ ngjyrë blu me targa të Serbisë, të cilin e drejtonte i dyshuari mashkull me iniciale T.E. (viti i lindjes 2000)”.


“Gjatë kryerjes së detyrave të rregullta patrulluese në zonën e fshatit Tresavë policia ka ndaluar personin e dyshuar të lartcekur me iniciale dhe me adresë vendbanimi në Novi Pazar – Republika e Serbisë, i cili dyshohet se kishte kryer veprime të kundërligjshme, kalim të paautorizuar të kufirit dhe dyshohej për kontrabandë”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Më tej në njoftim thuhet se gjatë kontrollit të brendshëm të automjetit (furgonit) u konstatua se i dyshuari transportonte derivate prej 1,300 litrash, si dhe në automjetin e tij me targa të Serbisë nuk kishte të vendosura ‘stikersat’ (tiketat ngjitëse) në targa.

Rasti është iniciuar nga autoritetet kompetente policore për procedura të mëtejme ligjore. /Telegrafi/