Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) do të nisë sot procesin e mbledhjes së nënshkrimeve të qytetarëve në mbështetje të nismës legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aktiviteti do të mbahet në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, duke filluar nga ora 10:00.


Sipas agjendës së publikuar nga IKD, në fillim të aktivitetit do të prezantohet nisma legjislative qytetare nga hulumtuesi i lartë i këtij instituti, Naim Jakaj. Pas prezantimit është paraparë një sesion me pyetje nga gazetarët.

Më pas, nga ora 10:25 deri në orën 15:00, do të zhvillohet procesi i mbledhjes së nënshkrimeve të qytetarëve në mbështetje të kësaj nisme.

IKD ka ftuar qytetarët dhe mediat të marrin pjesë në këtë aktivitet, i cili shënon nisjen zyrtare të fushatës për mbështetjen e ndryshimeve të propozuara në Kodin Penal. /Telegrafi/