LAJMI I FUNDIT:

LDK e shqetësuar për qëndrimin jo unik të krerëve të shtetit në Samitin e Berlinit

LDK e shqetësuar për qëndrimin jo unik të krerëve të shtetit në Samitin e Berlinit

Kryesia e Lidhja Demokratike të Kosovës në një mbledhje të mbajtur ka vlerësuar punimet e djeshme të Samitit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor.

Në një komunikatë për media thuhet se “LDK-ja vlerëson të gjitha nismat që kanë qëllim trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve të rajonit tonë. Në këtë frymë, LDK-ja çmon lart përkushtimin e Gjermanisë dhe të Francës për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadrin e BE-së”.


“Integrimi euro-atlantik i Kosovës, si dhe miqësia e speciale dhe e përhershme me SHBA-të janë procese të pashmangshme dhe ekzistenciale për vendin tonë, thuhet në komunikatë, përcjell Telegrafi.

Më tej, LDK-ja thekson se orientimi properëndimor i Kosovës është thelbësor për forcimin e mëtejmë të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë.

“LDK-ja shpreh shqetësimin e thellë për qëndrimin jo unik të përfaqësuesve të Kosovës në Samitin e Berlinit. LDK-ja konsideron se qëndrimi jo unik reflekton jo seriozitet dhe është në dëm të interesit të vendit tonë”.

Gjithashtu, LDK-ja vlerëson lart kërkesën që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës.

“LDK-ja thekson edhe një herë se sovraniteti i Republikës së Kosovës, kufijtë e saj dhe karakteri unitar i shtetit janë të paprekshëm”.

“Pavarësia e Kosovës është finalizuar me Deklaratën e Pavarësisë së 17 shkurtit 2008, si dhe me Opinion e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/