LAJMI I FUNDIT:

LDK e bindur se do të dalë e para, nëse vendi shkon në zgjedhje

LDK e bindur se do të dalë e para, nëse vendi shkon në zgjedhje

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka vazhduar takimet e kryesisë me strukturat e degëve në Malishevë.

Të pranishëm prej anëtarëve të kryesisë ishin, Sekretari i Përgjithshëm, Ismet Beqiri, Vlora Dumoshi, Arban Abrashi,Anton Quni, Naser Osmani, Lutfi Zharku dhe deputeti Driton Selmanaj.

“Takimin e hapi kryetari i degës së LDK-së në Malishevë, Sami Kafexholli, i cili theksoj përkrahjen e degës së LDK-së në Malishevë për të gjitha qëndrimet e LDK-së.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri përcjelli fjalën e kryetarit Mustafa për të gjitha çështjet aktuale, dialogun me Serbinë, qëndrimin e LDK-së kundër korrigjimit të kufijve, formimin e Forcave të Armatosura, liberalizimin e vizave dhe çështjet aktuale në vend të cilat tashmë janë të njohura për opinionin.

Beqiri ka thënë se LDK është e unifikuar dhe në momentin që vendi shkon në zgjedhje, LDK do të dalë e para. Ai ka thënë që përmes këtyre takimeve LDK është më afër elektoratit”, thuhet në njoftimin për media.

Lutfi Zharku ka thënë që takimet po mbahen për dy qëllime, qëndrimet e LDK-së për çështjet aktuale dhe e dyta për zgjedhjet sepse LDK është duke punuar për ta dërguar vendin në zgjedhje.

Zharku gjithashtu ka folur për qeverisjen Mustafa duke theksuar të gjitha sukseset e qeverisjes së LDK-së dhe duke shprehur nevojën që LDK-ja duhet të jetë prap në qeverisje, si nevojë e patjetërsueshme për vendin.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Selmanaj ka thënë që dega e Malishevës ka ide dhe opinione të shëndosha të cilat janë vlera të mëdha për LDK-në.

Ndërsa, Fetah Rudi tha se LDK-ja çdoherë ka qenë e fortë, ka tejkaluar sfida shumë të mëdha por që në fund ka dalë e para gjithmonë.

Gjatë takimit dega ka shprehur disa kërkesa për kryesinë e LDK-së, por gjithashtu janë diskutuar edhe mangësi dhe sfida të strukturës së degës në Malishevë që në të ardhmen degën do ta bëjnë më të fortë dhe do ta nxjerrin fituese. /Telegrafi/