LAJMI I FUNDIT:

LDK akuzon Qeverinë Kurti se po tenton t’i kapë institucionet e drejtësisë

LDK akuzon Qeverinë Kurti se po tenton t’i kapë institucionet e drejtësisë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selamanaj, ka akuzuar Qeverinë Kurti se po tenton t’i “kapë” institucionet e drejtësisë në vend.

Në një konferencë për media, Selmanaj tha se kjo qeveri me disa nisma legjislative që i ka ndërmarrë së fundmi, po tenton që “me pretekstin e ç’kapjes ta ri-kapë vetë shtetin”.


Mes tjerash, ai tha se edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias po shfrytëzohen për legjitimim të qëllimeve jo të mira për Kosovën.

“Edhe pse i dërgojnë projektligjet në Komision për t’i marrë komentet e tyre, nuk i presin ato që të inkorporohen në dokumentin final. Që i bie se kjo është tendencë për keqpërdorim të këtij komisioni për realizim të qëllimeve të tyre politike”, deklaroi deputeti i LDK-së para gazetarëve të mërkurën.

Mes tjerash, Selmanaj tha se çështjet që lidhen me Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës do të dërgohen përsëri për miratim në Kuvend.

Sipas tij, ky dokument duhet të tërhiqet pasi përmbajtja e tij është klasike për kapjen e këtij institucioni.

“Propozimi për përbërjen e Këshillit Prokurorial. Mënyra e zgjedhjes së tyre (anëtarëve politikë në KPK) është që të bëhen me shumicë të thjeshtë. Ajo çka është shqetësimi kryesor në këtë projektligj është shumica speciale. Për votime të rëndësishme, disiplinimin e tyre, shkarkimin e tyre duhet votuar me shumicë të kualifikuar 5 nga 7 anëtarë por që 3 nga këta 5 anëtarë duhet të jenë 3 njerëzit që nuk janë kryeprokuror. LDK-ja shpreh shqetësimin e saj për formën se si ka shkuar ky proces deri më sot pa përpjekje për një konsensus politik. Kanë vendosur që ta dërgojnë një koncept dokument e draft komentet që vijnë nga komisioni i Venecias flasin për probleme serioze”, u shpreh ai. /Telegrafi/