LAJMI I FUNDIT:

Larg retorikës inatçore, thashethemit dhe frustrimit

Larg retorikës inatçore, thashethemit dhe frustrimit

Në kohët e fundit po vërej me shqetësim të madh se si retorika politike në Shqipëri sa po vjen e po bëhet më e ashpër, më inatçore dhe më përçarëse. Dhe kjo është një rrugë pa kthim që ka kushtëzuar jetën e shumë njerëzve e që për fat të keq nuk do t’i lërë më kurrë. Kjo lloj retorike, për aktorët e saj, është kthyer në një vartësi, e barabartë me bixhozin dhe drogën, apo me dëshirën e “VIP”-ave për të qenë çdo ditë në faqet e mediave, qoftë edhe duke paguar.

Përveç aktorëve të drejtpërdrejtë në këtë mes ndikojnë edhe mediat online që, edhe pse përfshijnë vetëm një pjesë të limituar të shoqërisë, bëjnë shumë zhurmë. Kemi krijuar një shoqëri të zhurmshme dhe harmoninë e kemi degdisur larg jetëve tona, duke u zhytur në një kakofoni kolektive e të pashpresë. Mendoj se jemi në një nyje gordiane, por me shumë nyje të tjera ama, dhe vështirësisht të gjenden fijet për ta zgjidhur.


Më vijnë ndërmend imazhet e një filmi, që nuk e di se ku dhe kur e kam parë, në të cilin, ndërsa prindërit ziheshin përditë, fëmija i tyre adoleshent një ditë të bukur zgjedh të marrë plaçkat e të ikë prej shtëpisë. Është normale që të ndodhë kjo gjë. Në mos ikën fshihet poshtë krevatit duke mbyllur veshët që të mos dëgjojë më. Na serviret vetëm retorikë politike ose emisione që nxjerrin në shesh jetët private të njerëzve apo telenovela turke. Një shoqëri që jeton me gossip që konsumon përditë retorikë konfliktuale dhe dëshpërim telenovelash turke, si mendoni se mund të rritet cilësisht?

Jam i sigurt se ndaj kësaj gjendjeje do të reagohet herët a vonë. Do të vijë një ditë që vullkani të shpërthejë, vetëm se nuk i dimë pasojat e kësaj. Disa madje shumë kanë ikur si puna e adoleshentit, ndërsa shumë kanë mbyllur veshët dhe janë strukur në errësirën e situatës së tyre. Reagimi do të vijë e do të krijojë probleme një ditë. Ndoshta më mirë të vijë, do jetë më mirë për të gjithë, sado i vuajtur që të jetë, por duhet reaguar.

Ky reagim nuk është ndaj mungesës së paqes sociale, të cilën falë Zotit e kemi edhe pse me problemet normale të çdo shoqërie demokratike, por bëhet fjalë për paqen e shpirtit dhe higjienën e mendjes. Këtë të fundit nuk mund ta ofrojë politika aktuale në Shqipëri, madje janë shkaktarët e dëmtimit të saj në mënyrë të drejtpërdrejtë, në mënyrë transversale, majtas e djathtas. Kjo është pika ndaj të cilës duhet të reagohet sa më shpejt dhe pa humbur kohë.

Po si mund të reagohet?

Nuk ka rrugë tjetër përveçse hapësirave alternative të reflektimit, të debatit konstruktiv, të mbledhjes përreth kulturës, letërsisë dhe artit në të gjitha qendrat kryesore të vendit, së paku aty ku ka pak jetë urbane. Dhe, në mënyrë xheloze këto hapësira duhet të ruhen nga ndotja partiake dhe ideologjike. Duhet të jenë hapësira takimi dhe lirie, ku njerëzit ndjehen të lirë të ushqehen me të bukurën dhe të mirën, ku ndjehen të dëgjuar dhe të vlerësuar për kontributin e tyre, ku nuk u ndërpritet fjala apo bëhet ironi me fjalën e tyre, ku nuk u përdoret fjala për të sulmuar kundërshtarin. Sot këto nisma duhet të merren jashtë koniukturave zyrtare dhe shtetërore që të mos rezultojnë mediokre dhe të finalizuara për përfitime elektorale.

Kemi nevojë për hapësira lirie në të cilat takimi mes të ndryshmëve të kthehet në një pasuri dhe jo në një luftë xhungle për mbijetesë duke shkatërruar tjetrin.

Realiteti ynë ka nevojë për profetët e lirisë e këta profetë janë në sytë e botës “humbës”, sepse nuk kanë asnjë interes tjetër veçse lirinë. Duhet me patjetër t’i themi jo çdolloj forme kafazizimi të iniciativës individuale, të grupeve që duan të promovojnë të bukurën dhe të mirën në shoqëri. Platformat partiake dhe ideologjike i rrijnë ngushtë një shoqërie që do të zhvillohet e lirë.