Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka dhënë një përditësim të ri mbi fazën e tretë të rikthimit në Spotify Camp Nou, duke konfirmuar se klubi është pranë marrjes së licencës së radhës që do të lejojë rritjen e kapacitetit të stadiumit.

Aktualisht, blaugranat janë në gjendje të hapin vetëm disa sektorë, duke mbajtur kapacitet prej pak më shumë se 45 mijë tifozësh.


Plani i klubit është që gjatë këtij sezoni të hapet seksioni final i dy unazave të poshtme, duke e çuar kapacitetin në 62 mijë vende, shifra maksimale që do të arrihet për këtë sezon.

Ndërkohë, ndërtimi i unazës së tretë pritet të nisë për sezonin e ardhshëm, me objektivin që stadiumi i rinovuar të arrijë kapacitetin përfundimtar prej 105 mijë vendesh.

I ftuar në një event të organizuar nga La Vanguardia, Laporta deklaroi për Mundo Deportivo se brenda një muaji pritet të merret licenca 1C nga Bashkia e Barcelonës, e cila do të lejojë shtimin e edhe 17 mijë tifozëve të tjerë.

“Spotify Camp Nou është një ëndërr kolektive që po bëhet realitet. Punimet po ecin mirë dhe marrëdhënia me Bashkinë është e shkëlqyer. Nëse gjithçka shkon sipas planit, në fund të dhjetorit ose fillim të janarit do të kemi gati tribunun Veriore (1C) dhe sektorin e tifozëve ultras”, ka thënë Laporta.

Nëse afatet përmbushen, ndeshja e parë me kapacitet të rritur pritet të jetë ndaj Real Oviedo më 25 janar.

Për shkak të Kupës së Mbretit dhe Superkupës së Spanjës, Barcelona do të zhvillojë gjashtë ose shtatë ndeshje radhazi në transfertë gjatë dhjetorit dhe janarit.

Laporta njoftoi gjithashtu synimin e klubit për të rritur përqindjen e anëtarëve me abonime sezonale.

“Aktualisht raporti është 60% abonentë dhe 40% bileta të lira. Kur të arrijmë në 62 mijë vende, synojmë ta çojmë raportin në 70-30. Ka pasur herë kur afatet nuk janë përmbushur për shkak të kërkesave teknike dhe të sigurisë”.

Masat speciale për ndeshjen me Eintracht Frankfurt

Laporta foli edhe për vendimin e klubit që për sfidën e Ligës së Kampionëve ndaj Eintracht Frankfurt të shiten vetëm bileta ekskluzivisht për anëtarët.

“Kemi një histori shumë negative me këtë klub. Në ndeshjen e fundit stadiumi u pushtua nga tifozët e tyre. Kemi marrë masa të forta që një situatë e tillë të mos përsëritet. Me QR-kodet e reja dhe duke kufizuar shitjen vetëm te anëtarët, jemi të sigurt se stadiumi nuk do të mbushet me gjermanë”, përfundoi Laporta. /Telegrafi/

telegrafi sport app