Lamborghini po përgatit Revuelto SV më të fuqishëm


Lamborghini po punon për një version edhe më ekstrem të superveturës së saj hibride, Revuelto SV (Super Veloce), i cili pritet të prezantohet deri në fund të vitit 2026.
Prototipet e kamufluara tashmë janë parë gjatë testimeve në pistën Nürburgring në Gjermani.
Versioni i ri do të dallojë nga modeli standard përmes përmirësimeve aerodinamike, një spoileri të madh fiks në pjesën e pasme, elementeve të reja në pjesën e përparme dhe peshës së reduktuar për performancë më të lartë në pistë.
Edhe motori pritet të marrë më shumë fuqi. Revuelto aktual zhvillon 1.001 kuaj fuqi nga kombinimi i motorit V12 me tre motorë elektrikë, ndërsa spekulimet flasin për një rritje të konsiderueshme të fuqisë në versionin SV.
Sipas raportimeve, Lamborghini mund ta prezantojë modelin fillimisht në një event privat për klientët VIP, përpara debutimit publik gjatë këtij viti.
Revuelto SV pritet të jetë një nga modelet më ekskluzive dhe më të shpejta në historinë e markës italiane, duke vazhduar traditën e versioneve legjendare Super Veloce të Lamborghinit. /Telegrafi/





































