LAJMI I FUNDIT:

Lahaj: Jetova me idenë… se mundem

Lahaj: Jetova me idenë… se mundem

Ramë Lahaj, tenori kosovar i njohur ndërkombëtarisht, i është rikthyer skenës në Kosovë, me një rrëfim nga jeta e tij. Në kuadër të TEDx, ai ndau me audiencën përvojën e tij nga e kaluara.

“Vijë nga një familje ku prej tetë fëmijëve, vetëm unë edhe e motra e dytë kemi pasur fatin të shkollohemi. Menjëherë pas luftës, e kam parë të rëndësishme të studiojë për teknologji. Kam mbaruar shkollën e mesme dhe kam qenë në dilemë të madhe. Për me qenë fer, në shkollën e mesme e kam humbur vitin e katërt. Është dashur të pres një vit tjetër për t’i kaluar provimet ku kam ngelë që të kem mundësinë të konkurroja në Akademinë e Arteve, sepse më kishte ardhur ideja të studioja muzikën. Isha 21 vjeç”.


Në momentin kur e shfaqi interesimin për muzikë, thotë se ka takuar disa prej muzikantëve që në Kosovë e Tiranë janë me emër.

“Më thanë mos u merr me muzikë, sigurisht në kuptimin profesional, sepse je shumë vonë. Është zanat që duhet bërë qysh në fëmijëri. Më thoshin merru me diçka tjetër ose me muzikën e lehtë se ka me qenë më kollaj për ty. Shkon në studio, bën mrekulli dhe bëhesh një lloj estrade, qysh kemi plotë sot”, kujton qysh në fillim sfidat e para për të cilat veç kishte nisur të përgatitej.

Kjo s’i kishte pëlqyer aspak. U kishte kërkuar atyre emra të profesorëve që do ta ndihmonin sado pak në leksione private. Atë kohë kishte shkuar në Tiranë sepse donte të largohej nga shoqëria dhe, siç thotë ai, kafet e tepërta që pimë.

“Shkova në Tiranë, punova katër muaj. Bëra audicionin e parë në Akademi të Arteve dhe më thanë JO. Por jam kthyer përsëri pas 7-8 muajsh në audicionin e Akademisë së Arteve dhe pata fat që më pranuan”, thotë Lahaj.

Me përkushtimin e tij më të madh, Lahaj, me mendimin që “ImPossible”, e ka jetuar tërë jetën duke thënë që ai “është i mundshëm” t’ia dalë pavarësisht se çfarë i thonë të tjerët.

Lahaj thotë se sot i kupton ata që nuk e morën aq seriozisht, pasi në atë periudhë ishte në ditët e para të mësimit të pentagramit e të leximit të notave. Kureshtja për të arritur më shumë kurrë s’e kishte ndalur.

“Në kohën sa po studioja në Tiranë, kishte ardhur një dirigjent që njëherësh ishte pedagog në Hanover. Ai dhe të tjerët kishin shprehur dëshirë të ma ofrojnë një bursë për të shkuar e për të studiuar atje. M’u dha mundësia të përfundoja diplomimin para kohe. Shkova në Gjermani dhe gjithçka nisa prej fillimit. Isha ende në fillim të studimeve, por nuk isha gati. Jam kthyer përsëri në Kosovë dhe vendosa të bëj pauzë. U ktheva në katundin tim. Pata fat e fillova të punoj si drejtor artistik në RTV21. Dilema dhe motoja ime ‘I’mPossible’ vazhdonte”, thotë Lahaj, teksa shton se kur dilte me shoqëri në kafene, u thoshte atyre: “Një ditë prej ditëve do të këndoj me maestron Placido Domingo”. “Më shikonin çuditshëm, sikur më thoshin ‘ti ende s’i ke mësuar notat mirë, e lëre më të këndosh me të’. Por e kam ditur që do të këndoj me të. Kam jetuar me të. Kam jetuar me moton që ‘I’mPossible’”.

Një vit e gjysmë ka punuar në televizion e më pas iu dha mundësia t’i bëjë audicionet e para. Në audicionet e para të tij kishte pasur fatin të fitojë dy herë. Kishte realizuar produksionin e parë në operën “La Traviata”. Në produksionin e dytë ndodhi mrekullia, që edhe sot e bën më të fortë.

“Mora rolin dhe nisa punën time në Essen të Gjermanisë. Por, pas dy javë provash, më nxorën nga produksioni. Drejtori artistik më thirri dhe më tha: ‘Ramë, me gjithë dëshirën dhe respektin për zërin tënd, ti nuk je i përgatitur sa duhet. Neve na duhet të të zëvendësojmë’. Ka qenë një prej momenteve më të vështira në jetë. Jo pse varesha nga këndimi, por kisha moton që isha ushqyer me vite të tëra. Më anuluan kontratën menjëherë. Kisha rrezikuar shumë; në Kosovë kisha lënë punën e gjithçka tjetër”, kujton Lahaj momentet e vështira nga e kaluara e tij.

Ishte kthyer tek pianisti i tij që vinte nga Italia, Enriko.

“I thashë, më dëgjo. E kam një problem që në shikim të parë mund të duket shumë i madh, por që brenda vetes e di që mund ta bëj këtë. E dija brenda vetes që mund të bëja më mirë se disa që e bëjnë sot. I thashë se problemet që më larguan nga produksioni janë sepse i kam disa defekte. Eja të provojmë t’i përmirësojë këto probleme. Dua ta provoj përsëri, por diku tjetër. Vazhdova me produksione tjera”, kujton ai.

Pas tri vitesh kishte takuar dirigjentin i cili e kishte larguar nga produksioni, në Operë të Hamburgut. Thotë se arsyeja pse asnjëherë nuk ishte ndalur, ishin ëndrrat e tij për më shumë.

“Ëndrrat i kemi shumë të mëdha, dëshirat i kemi platonike, por ajo që mungon tek ne në shoqërinë kosovare është se duhet fryma në ëndrrat që kemi. Ju duhet me u çu e me fjet me atë që doni, sepse universi do të përgjigjet përderisa ju ka pranuar në Tokë, sepse jeni pjesë e saj”, jep mesazh Lahaj.

Ka thënë se ndihet krenar që ka arritur shumë, duke e ditur që vjen nga një vend si Kosova.

“Jam rritur pa filma vizatimorë. Jam rritur me një shoqëri shumë të prapambetur, sigurisht, duke iu referuar edhe regjimit që kishim atë kohë, mundësive që na u kanë ngushtuar. Kjo më ka bërë ta shijoj gjithë rrugëtimin tim. S’ka më rëndësi sa do të vazhdoj, e di që në fund të fundit kam mbërritur të këndoj me idhullin tim. Kam arritur të prek teatrot që kam dashur. Por, mos më pyesni sa energji, sa mundim, sa vështirë e sa herë jam djersitë sa e as veten s’kam dashtë me pa. Sepse me punu me kolegë për dy javë dhe më pas të thonë s’je i mirë, nuk është kollaj. E kam ditë gjithnjë që ‘I’mPossible’, unë mund ta bëj atë që dua”, ka thënë Lahaj

Atyre që jetojnë në Kosovë, ai ua dërgon një mesazh: “Mos bini pre e atmosferës ditore. Mos bini pre e atmosferës politike që na e ka lodhë shpirtin. Mos bini pre e negativitetit sepse është kollaj të thuhet s’mundem, e është kollaj të thuhet që ky vend nuk të jep mundësi. Por, sot të gjithë i keni mundësitë. Mos u dorëzoni, por thoni që ‘I’mPossible’”. /F. Shkodra/koha.net/