LAJMI I FUNDIT:

Laboratori i Serbisë për fabrikimin e historisë

Laboratori i Serbisë për fabrikimin e historisë

Kapitulli i gjashtë Pafajësia e torturuesit: viktima në propagandën serbe i librit The Temptation of Innocence: Living in the Age of Entitlement, botuar më 2000 në Nju-Jork nga Algora Publishing.

Nga: Pascal Bruckner
Përzgjedhur dhe përkthyer nga: Rexhep Maloku

“Ditën kur krimi mëveshët me pafajësi, me një përmbytje kureshtare që është specifike për kohën tonë, është pafajësia ajo që duhet ta justifikojë veten” – Albert Camus, “L’Homme révolté”

“Duke mos qenë të zotë t’i fuqizojmë të drejtit, ia kemi dalë t’i bëjmë të drejtë të fuqishmit” – Pascal, “Pensées”

“Ne jemi hebrenjtë e botës në fund të shekullit të njëzetë. Jerusalemi ynë i dashur po kërcënohet prej të pafeve. Krejt bota na urren; armiku i paqëndrueshëm, një hidër me njëqind koka është përbetuar që të na shkatërrojë. Të gjithë fëmijët tanë tashmë mbajnë yllin e verdhë të padukshëm të qepur në rrobat e tyre. Jemi ne ata që kemi vuajtur gjenocidin më të keq se ai që ishte kryer nga nazistët kundër hebrenjve dhe jevgjëve, dhe bash si hebrenjtë, edhe ne duhet ta nisim shteg­timin nëpër shkretëtirë, edhe në qoftë se do të zgjasë pesë mijë vjet”.

Prej gojës së kujt dalin këto fjalë? Ndonjë lideri të ekzal­tuar mesianik, prej kreut të ndonjë kulti protestant fundamen­talist që matet me judaizmin për përpikërinë e Biblës? As që bëhet fjalë!

Deklarata të tilla janë thënë përditë, në një formë a tjetër, për vite me radhë prej partizanëve të regjimit të Millosheviqit në Beograd. Novelisti Dobrica Qosiq, kryefrymëzuesi i nacionalizmit serb dhe president i Jugosllavisë së re (Serbia dhe Mali i Zi), deri në qershorin e vitit 1993 shkruante se serbi “është hebreu i ri, në fund të shekullit të njëzetë – viktimë e të njëjtave padrejtësi, nëse jo e të njëjtave persekutime: populli i ri martir”. Por serbët janë më hebrenj se vetë hebrenjtë, thënë të vërtetën, meqë kanë qenë “viktima të gjenocidit që i kapërcente përmasat e gjenocideve naziste për nga metoda dhe egërsia”, siç shkruante Qosiq në lidhje me politikën e shfarosjes së ushtruar prej ustashëve kroatë kundër bashkat­dhetarëve të tij ndërmjet viteve 1941 dhe 1944.

Lufta që shkatërroi territorin e ish-Jugosllavisë që nga viti 1991 dhe që ishte paramenduar prej Beogradit, u bazua mbi një keqinterpretim fantastik: Torturuesi e shfaqte veten si martir dhe Evropa, në pajtim me torturuesin, i paraqiste ata që sulmoheshin (kroatët, boshnjakët, shqiptarët e Kosovës) si përgjegjës për tragjeditë që u kishin rënë mbi kokë. Nëse u dilte ndonjë problem, thuhej se e kërkuan të zezën – ishin ata fajtorët!

Pse ky gabim tmerrues, pse pothuajse për një vit, intelektualët, politikanët dhe gazetarët perëndimorë, kishin ngrënë karremin e propagandës serbe? Dhe si mundet një person aq i informuar, si François Mitterrandi, të deklaronte më 29 nëntor 1991 (në një intervistë për “Frankfurter Allgemeine Zeitung” pikërisht në kohën kur qyteti i Vukovarit porsa ishte djegur rrafsh me tokë dhe kur çereku i territorit kroat kishte rënë nën kontroll të ish-ushtrisë federale), se “Kroacia, e jo Serbia, i përkiste bllokut nazist?”

Sepse Millosheviqi dhe besnikët e tij ishin aq të zgjuar që ta pushtonin opinionin publik dhe ta justifikonin luftën para se ta nisnin me shkrime propaganduese për fatkeqësitë që gjatë historisë i vuajti populli serb. Duke shfaqur përherë fotografi dhe xhirime të grave, fëmijëve dhe pleqve të masakruar, të nëpërkëmbur dhe të torturuar, apo duke cituar pafundësisht nëpër debate dhe takime listën e atyre që vdiqën në Jasenovc (një prej kampeve më të tmerrshme të përqendrimit të regjimit kroat nën Ante Paveliqin pro-nazist, ku hebrenjtë, jevgjit, partizanët serbë dhe kroatë u shfarosën me mijëra sish), kjo propagandë siguroi terren të gjerë moral, dhe që nga fillimi ia zuri frymën kujtdo që mund ta vinte në dyshim: Shiko vuajtjen time dhe guxo të më thuash se është e barabartë! Ky është një rast studimi që na mjegulloi njohuritë për konfliktin dhe u bë burim prej të cilit më vonë rrodhën gjykimet e gabuara: indiferenca, hezitimi dhe politika prit-e-shih e Evropës dhe Amerikës.

Andaj, sunduesit serbë, para se ta lansonin ofensivën e tyre në Kroaci dhe Bosnjë, tashmë e kishin fituar betejën e mendjes, tashmë u ishte shprehur një nivel i caktuar dashamirësie prej bashkësisë ndërkombëtare. Kjo shpjegon pse Beogradit, si pak pushtues në historinë e re, nuk i ishte prerë rruga; pse Beogradi ishte favorizuar me tezat e tij të diskutuara, të komentuara, të dëgjuara dhe të vlerësuara me vëmendje të madhe; pse gëzonte këtë lloj privilegji. Dokumentarë, shkrime dhe raporte të panumërta ishin publikuar prej vitit 1991, me hollësi për krimet e kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore prej kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve, të cilët i ishin bashkuar regjimit nazist – megjithëse mbledhja e këtyre tmerreve do t’i kompensonte disi tmerret e kryera gjatë të njëjtës kohë prej milicisë së Beogradit. Pa dyshim, pas një viti u hoq dorë prej kësaj preference ekskluzive për serbët. Por, me qëllim të shmangies së sprapsjes së menjëhershme, ministrat e jashtëm shpikën fabulën tjetër: se të gjitha kampet ishin njëjtë të tmerrshme. Andaj triumfoi parimi i baraslarguar: gjërat nuk ishin vënë në perspektivën e tyre të duhur, por të gjitha palët ishin përfshirë në vlugun e njëjtë të egërsisë tribale. Dhe, në maj 1993, në lidhje me ngjarjet në Bosnjë, Warren Christopher dha këtë deklaratë konfuze para Kongresit: “Do të ishte e lehtë të krahasohej e gjithë kjo me Holokaustin, por unë kurrë nuk kam dëgjuar asgjë për ndonjë gjenocid të kryer prej hebrenjve kundër popullit gjerman”. Shumëkush edhe sot vazhdon të gjejë rrethana justifikuese për nacionalizmin serb dhe nuk mund t’i qaset kësaj teme pa rënë menjëherë në grackën e përbaltjes së kroatëve, boshnjakëve, sllovenëve, shqiptarëve dhe maqedonasve.

Dhe, mashtrimi ka funksionuar. Hipnotisti serb, duke kërkuar shfajësimin e madh për krimet e tij rrëqethëse, mjaftonte të maskohej si viktimë që të falej. Ku kemi gabuar ne me krizën jugosllave? Njëjtë, si me gabimin e përjetshëm që e bëmë me komunizmin dhe me përkrahjen tonë për Botën e Tretë: Ia kemi lejuar vetes të shantazhoheshim prej retorikës së viktimës. Leksioni i tmerrshëm i shekullit është kjo sprapsje që transfor­mon të shtypurit, me të marrë pushtetin, në diktatorë, që transformon proletarët në tiranë, të kolonizuarit në sundues të rinj. Nuk i vret ndërgjegjja ata që ishin persekutuar. Dhe njerëzit prej të cilëve prisnim drejtësi dhe barazi, në fakt sundojnë me despotizëm, që është edhe më frikësuese meqë ata erdhën në pushtet me aspiratat për liri dhe drejtësi. Është kjo formë përmbysjeje, sepse nuk jemi të zotë ta përthekojmë – sikur të ishte e shkruar njëherë e përgjithmonë se nëse dikur ishe viktimë, përherë viktimë do të mbetesh. Kështu nuk rrezikon që të rrëshqasësh në dhunë dhe totalitarizëm. Kjo ishte fuqia e propagandës së Millosheviqit (përveç – ose për shkak të – aspektit të saj fantastik, së cilës ia ka bashkëngjitur edhe traditën e folklorit sllav). Ai kujton të gjitha të zezat që i ka vuajtur populli i tij, sidomos ato ndërmjet viteve 1941 dhe 1945, i japin imunitet të përhershëm, duke e vënë veten mbi ligjin. Nuk ishte asgjë më dekurajuese se të shihje se si ky kurth po pranohej dhe përpihej prej publikut (dhe shpesh në emër të vigjilencës strikte demokratike).

Pakkush, së paku në fillim, e kuptoi se po këta njerëz që shfaqeshin si rezistues të fashizmit, (serbët) kishin huazuar tashmë metodat e fashizmit, se ujku ishte futur në lëkurën e qengjit; pakkush e kujtonte se ideologjia viktimizuese ishte pjesë e fashizmit, që nuk është vetëm doktrinë e racës më të lartë, por e një race më të lartë të poshtëruar. Kështu, me shkathtësi të patëmetë, ekstremistët serbë ia dolën në krye me maskimin e apetitit të tyre për pushtim si shqetësim për mbrojtjen e pakicave të tyre, vullnetit të tyre luftëdashës si dashuri për paqen, spastrimin e tyre etnik si dëshirë të zjarrtë për ruajtje të Federatës Jugosllave. Me pak fjalë, më së miri e përmbledh proverbi: “Edhe djallit i pëlqen ta citojë Biblën”.

Çka është për serbët identiteti viktimizues?

Është traditë e brumosur prej letërsisë dhe Kishës Ortodokse, dhe ka lëshuar thellë rrënjët në historinë e kahershme të vuajtjes, prej kohës së kolonizimit turk dhe sistemit feudal habsburg, që gjeneruan patriotizëm të ekzagjeruar, e që nxiti veprime dramatike heroizmi. Është ndjenjë e pasigurisë së përhershme të krijuar prej dyndjeve të përhershme dhe ndryshimeve kufitare, shpër­nguljeve zemëruese dhe ekzilit të shtetasve që ishin larguar nga territoret armiqësore. Dhe fundja është element i trashë­guar që ka marrë hov prej disfatës së Princit Llazar më 15 qershor 1389 para osmanëve në Betejën e Kosovës (“Fushës së Mëllenjave”), ngjarje historike, trashëgimia e së cilës kujtohet për shekuj me radhë. Serbët ishin para fatit të lavdishëm – duhej të ishin ndërtuesit e mbretërisë së re bizantine, por gjithçka u rrëshqiti prej duarve. Sot trashëgimtarë të nëpër­këmbur të një perandorie, që kurrë nuk ekzistoi, nuk pajtohen kurrsesi me humbjen. Ka krenari, madje edhe bukuri në mënyrën e festimit të disfatave të tyre, meqë Zoti paska zgjedhur pikërisht këtë popull për ta sprovuar me fatkeqësi dhe për ta bërë instrument të qëllimeve të tij, si të ishte e shkruar që debakli tokësor të transformohej përherë në triumf qiellor karshi forcave të djallit. Serbët duket se nuk ndihen të helmuar prej të këqijave prej të cilëve janë prekur, dhe ata kultivojnë, sidomos në poezinë e tyre epike, ekzaltimin e këtyre gjykimeve, duke besuar pathyeshëm në martirizimin e tyre.

I gjithë populli është mishëruar me bindjen se e ka të shkruar të vuajë dhe se është pasardhës i këtij soji të dinjitetit aristokratik: sikur shihet me aq nënçmim, keqtrajtohet prej zanafillës, e kjo mund të jetë vetëm punë e Zotit!

Prej ardhjes në pushtet, Millosheviqi u është përshtatur anktheve të bashkatdhetarëve, duke rizgjuar të kaluarën e paraardhësve për ta përdorur për planin politik dhe ushtarak për Serbinë e Madhe. (Serbia e Madhe, na lejoni që t’jua kujtojmë, nuk nënkupton veç bashkimin e të gjithë serbëve në një shtet. Ajo, gjithashtu, nënkupton që është edhe më e rëndësishmja, dëbimin e të gjithë joserbëve nga ai shtet). Ky obsesion me vajtim, vdekje dhe zhdukje, i krijuar me përso­smëri në vetvete, shihet përherë e më me dyshim kur përdoret prej një lideri të një shteti dhe transformohet në armë ideologjike për legjitimimin e luftës. Andaj, Serbia e Milloshe­viqit, kah fundi i viteve 1980, ndiente se nuk ishte lënduar aq shumë prej padrejtësisë së situatës ekonomike që kishte ardhur si pasojë e aventurave të gabuara të Luftës së Dytë Botërore dhe ndrydhjes së Jugosllavisë, por prej një padrejtësie qenësisht metafizike që rrënjët i ka në historinë 1000-vjeçare. Në këtë aspekt, komunizmi nacional serb është hibrid inte­resant: prej nacionalizmit ekstrem huazon obsesionin karshi gjakut të përzier (temë e përsëritur në romanet e Dobrica Qosiqit) fobinë karshi mosndëshkimit dhe nevojën urgjente për ndarje, për ta ditur kush çfarë është. “Zemra dhe identiteti ynë”, deklaronte Karaxhiqi, lider i serbëve të Bosnjës, “mund të mbijetojnë vetëm nëpërmjet ndarjes. Nuk mund ta përziesh ujin dhe naftën. Ballkani nuk është si Zvicra ose Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tenxherja me presion asnjëherë nuk ka funksionuar, pavarësisht prej pushtuesve të huaj të njëpasnjëshëm”. Komunizmit ia huazoi stilin, pretendim që mendohet se buroi prej trashëgimisë së vjetër kulturore, siç e kemi parë. Ky mishmash i tmerrshëm mjegulloi vizionin e antifashistëve tanë më të mprehtë: ky nuk është nazizëm – Millosheviqi nuk është Hitleri dhe spastrimi etnik nuk është zgjidhja përfundimtare – as stalinizëm i sertë, por produkt i çnatyruar i martesës së tyre të fundit kombinuar me fasadë pluraliste dhe ekonomi mafioze. Kjo është arsyeja pse kokteji serb mund të përdoret si precedent për popujt që së fundi kanë dalë prej komunizmit; fuqia e saj joshëse buron prej kombi­nimit të dy lëvizjeve (që përdoreshin për t’u matur njëra me tjetrën) në luftë kundër armikut të tyre të përhershëm: demokracisë liberale. Çifton metodat staliniste me lartësimin e krisur të identitetit, zmadhuar dhe ekzaltuar në pastërtinë e vet, kundrejt kontaminimit dhe ndërshumëzimit. Dhe, mbi të gjitha, u ofron politikën e poshtërimit vendeve që nuk ndihen se janë zotë të tyre dhe për të cilat pavarësia është vetëm themel i lëkundur. U tregon atyre se si në emër të fatkeqësive të së djeshmes, ta fabrikojnë shenjën dalluese që i bën të paprekshëm, që i shkarkon prej borxheve dhe, për më tepër, u jep patentën për të urryer dhe ndëshkuar sipas tekeve të tyre.

Sidoqoftë, Serbinë e vogël e ndjek përherë hija e Rusisë, e cila është e lidhur me Serbinë me nyje fetare, emocionale dhe etnike – hija e një harku të ri ortodoks pansllav. Për krejt ata në Moskë dhe kudo qofshin në rrënoja të perandorisë sovjetike që ëndërrojnë hakmarrjen kundër Perëndimit dhe që ndihen të poshtëruar, Serbia e Millosheviqit ofron modelin e suksesshëm për komunizëm mahnitës. Këtu ka rrezik se banon e vërteta. Gjynahu i regjimit të Beogradit nuk bazohet edhe aq shumë në shprehjen e qëllimeve që mund të jenë legjitime – të gjitha ish-republikat jugosllave ishin të pakënaqura me fatin e tyre, por për faktin se ka zgjedhur t’i korrigjojë ato nëpërmjet dhunës dhe spastrimit etnik, duke shkelur kështu zotimin e madh mbi të cilin Evropa moderne e ndërtoi veten: ndalimin e luftës. Kurrë më pushtimeve, shkatërrimit masiv, shfarosjes në kontinentin tonë – i tillë ishte pakti që lidhi që nga viti 1945 shtetet e Evropës Perëndimore dhe që ka qeverisur pajtimin franko-gjerman. Prandaj, mosmarrëveshjet tona duhet të zgjidhen me dialog dhe arbitrazh, e jo me armë. “Laboratori jugosllav” (Roland Dumas) ka rihapur “kutinë e Pandorës”: prospektin e modifikimit me forcë të kufijve. Duke besuar se do ta blejë paqen duke copëtuar Bosnjën, Evropa vetëm inkurajon luftën si mjet për zgjidhjen e problemeve. (Ndërhyrja brutale e Moskës në Çeçeni nuk do të ndodhte pa Vukovarin dhe Sarajevën). Fundja, Evropa autorizon përsëri krimet kundër njerëzimit si instrumente të pushtimit në oborrin e saj.

Gjenocidi si retorikë në propagandën serbe

Nuk është qëllimi që të hidhen poshtë përmasat e masakrave të kryera prej ustashëve nga viti 1941 deri më 1945 (që ishin të tmerrshme, por ishin kryer vetëm me aprovimin e një pakice të popullsisë kroate) dhe terrorin që e mbolli në zemrat e popullit serb. Kroacia e Paveliqit mbetet pas Gjermanisë naziste, “regjimi më i përgjakshëm i gjithë Evropës hitleriane. As Italia fashiste, e as Franca e Vichyves, apo Sllovakia, Hungaria ose Rumania nuk përjetuan diçka të ngjashme”.

Në këtë sens, një prej gabimeve të presidentit Tugjman, në momentin e pavarësisë së Kroacisë, do të ishte mosofrimi i kërkimfaljes solemne serbëve për regjimin e Paveliqit; ai nuk shkoi (qysh bëri Willy Brandt, ta zëmë, kur shkoi në geton e Varshavës) të përulej në gjunjë në Jasenovac, që t’i siguronte se Kroacia e re nuk do të prodhonte më urrejtje të tillë. Një gjest si ky nuk do ta çarmatoste fare agresivitetin e Beogradit, por do të kishte ndikim të menjëhershëm simbolik – do të vërtetonte se republika e re, në ankth për t’iu bashkuar Evropës, po zgjaste dorën për pajtim dhe drejtësi. (Franjo Tugjmani priti deri më 15 janar 1992 që t’i dënonte vrasjet masive të hebrenjve nga ana e ustashëve – nëpërmjet një letre dërguar Edgar Bronfmanit, kryetar i Kongresit Botëror të Hebrenjve. Si autor i një libri ku shkruan edhe për gjenocidin, Tugjmani, përveç kësaj përsëriste, në disa raste gjatë fushatave të tij zgjedhore: “Fatkeqësisht, gruaja ime nuk është as serbe e as hebraike”. Ai e justifikonte veten për librin e tij “negacionist” në një letër dërguar në shkurtin e 1994-s kryetarit të “American B’nai Birth”. Qysh ndodh shpesh në raste të ngjashme me të, vjen në shprehje qasja dashamire, por shumë e vonshme, për t’i shlyer gabimet trashanike që çojnë gjithçka në fund të pusit.

Sa për kujtim, gjenocidi i ngjallur gjithnjë prej ekstremistëve serbë, është burim i pashtershëm urrejtjeje, hakmarrjeje dhe zemërimi. I mishëruar me fatin e keq që i dallon, këta ekstremistë kanë alamet sysh: ata nuk pretendojnë vetëm një, por tri gjenocide të kryera kundër serbëve vetëm në shekullin njëzet. Andaj, njëfarë Petar Milatoviq Ostroski, shkrimtar serb që mbron vendin e tij prej “komplotit ndërkombëtar”, beson me mendjen top se “populli serb në shekullin njëzet ka qenë viktimë e tri valëve të gjenocidit të kryer prej kroatëve”. I pari ndodhi nga viti 1914 deri më 1918, i dyti gjatë shtetit të pavarur të Kroacisë, dhe i treti qysh prej inaugurimit të Franjo Tugjmanit, gjeneral i Titos dhe historian i Paveliqit. Për turpin më të madh të serbit, ky gjenocid po vazhdon edhe sot. Por Petar Milatoviq Ostroski në çmendurinë e tij të madhe harroi edhe një tjetër gjenocid: gjenocidin e serbëve për nënshtrimin e shqiptarëve të Kosovës. “Gjenocidi fizik, politik dhe kulturor i popullsisë serbe të Kosovës dhe Metohisë është disfata më e madhe që ka vuajtur Serbia në luftën e saj për çlirim prej betejës së Orashacit më 1804 deri në kryengritjen e vitit 1941”; kështu shkruhet në Memorandumin e Akademisë së Shkencave të vitit 1986, dokument i bazuar kryekëput në idetë e Dobrica Qosiqit, dhe ku thuhet se ka frymëzuar “Revolucionin kulturor” të Millosheviqit.

Prej një gjenocidi të vërtetë, të kryer prej ustashëve kroatë, gjuha zyrtare e gdhendur zgjeron këtë shprehje gjerë e gjatë që të mbulojë çfarëdo proteste a sfide ndaj politikave serbe. Në janar 1994, njëfarë Daniel Schiffer, “filozof” dhe propagandist që jeton në Evropën Perëndimore dhe që përfaqëson regjimin e Beogradit, akuzoi intelektualë të caktuar francezë për tradhti të re në qasjen e tyre kur vjen puna te Serbia.

“Shumica dërrmuese e intelektualëve francezë i kanë bërë gjenocid moral Serbisë, praktikisht një linçim të pastër dhe të thjeshtë kulturor (nëse jo edhe shpirtëror), sikur çdo serb në fakt të ishte nazist potencial”.

Se antiserbizmi mund të jetë vetëm avatar modern i anti­semitizmit, sugjeron përsëri Daniel Schiffer, duke apostrofuar ndërmjetësit e tij: “Me mënyrën tuaj shpesh të helmët, me të cilën ju vazhdoni t’i akuzoni vetëm serbët, duke jua marrë mendja se po ngriheni kundër krimit, vetëm sa e keni shpikur në sytë e opinionit publik ndërkombëtar një soj të ri racizmi: një antiserbizëm, si antisemitizmi që ekzistonte në vitet 1940, në kohën e baballarëve tanë”.

Dhe më 1991, shkrimtari serb Milorad Paviq shkruante se “në këtë moment serbët në Jugosllavi janë edhe një herë në listat për gjenocid qysh ishin serbët dhe hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por është hera e parë që serbofobia në Evropë, por edhe në mbarë botën, është më e furishme se antisemitizmi”. Çfarë nuk është gjenocid për serbët, ju pyes juve? Kriticizmi më i vogël, rezervimi më i vogël që po tregohet ndaj dimensioneve të një krimi total; ekzagjerimi i fantazuar që shkatërron ndikimin e fjalës duke e mohuar në pafundësi. Nëse kritika kundër Millosheviqit e bën dikë të ndihet fajtor për “gjenocid”, atëherë kjo duhet të jetë fjala më e lehtë që duhet përdorur me kujdesin më të madh, duke rrezikuar t’ia hupë krejtësisht kuptimin. Sundimtari serb shihet qartazi se nuk është përgjegjës për zhvlerësimin e këtij termi: ky abuzim gjuhe është i rëndomtë ndër të gjitha palët në Ballkan, ku ka prirje të përdoret për t’i përshkruar tensionet ndërkombëtare, por edhe këtu në Perëndim, qysh e kemi parë, përdoret e stërpërdoret gabimisht. Vetëm na lejoni të theksojmë thjesht se për pasuesit e Millosheviqit, kushdo që i kundër­shton, është “nazist” dhe çfarëdo orvatje për t’iu kërkuar llogari, mund të përshkruhet si “gjenocid”. Duke iu adresuar përfaqësuesve të shteteve në Gjenevë, njëherësh duke protestuar kundër sanksioneve kundër Jugosllavisë më 9 dhjetor 1993, Millosheviqi deklaronte: “Kur të vijë dita që fëmijët tuaj ta mësojnë të vërtetën, nuk e di se si do t’ua shpjegoni se pse vratë fëmijët tanë, pse kallët luftën kundër tre milionë fëmijëve tanë dhe me çfarë të drejte i shndërruat dymbëdhjetë milionë banorë të Evropës bazë për gjenocidin, shpresoj, gjenocidin e fundit në këtë shekull”.

Andaj, anatema shndërrohet nëpërmjet procesit të shtrem­bërimit tragjik në klishe retorike, në propagandë, formulë që ka funksionin e thjeshtë të çarmatosjes për kundërshtimet e mundshme dhe të sugjerimit se: ju na keni borxh gjithçka për shkak të të gjitha të zezave që i kemi vuajtur; ju nuk mund të na refuzoni. Ideja se krejt bota i ka borxh një grupi dhe vendi të tillë dhe se duhet t’u hapet rrugë të kryejnë çfarë të zezash, është e njohur dhe e lidhur fort me ekstremistin rus Zhirinovsky.

“Rusia në të kaluarën e shpëtoi botën prej Perandorisë Osmane me dërgimin e ushtrive të saj në jug. Mbase, po të mos ishte Rusia, e gjithë Evropa do të turqizohej, turqit do ta merrnin Budapestin, do ta rrethonin Vjenën dhe do t’u mbetej vetëm një copë udhë e shkurtër prej aty deri në Berlin, Paris dhe Kanalin Anglez. Shtatë shekuj më parë ua premë rrugën mongolëve. Mund t’u hapnim turqve udhë ose mund t’i nënshtroheshim dominimit të tyre. Çfarë do të mbetej atëherë prej Evropës? E kemi shpëtuar disa herë; në jug, në lindje dhe në veri kur hataja fashiste po triumfonte në Gjermani, Itali, Portugali, Spanjë e Greqi. Falë rusëve, Evropa u çlirua nga fashizmi… Popujt e tjerë duhet të tregohen mirënjohës ndaj rusëve për këtë punë”.

Dhe ministrja aktuale greke e Kulturës, Melina Mercouri, në hall të madh që ta mbrojë me forcën bindëse kundërshtimin e Athinës për njohjen e Maqedonisë, ka deklaruar gjithashtu më 6 janar 1993 se Evropa “duhet t’ia shlyejë borxhet e veta Greqisë”, “evropianët kanë detyrime ndaj nesh” se paska qenë Greqia që ua dha atyre “idenë fillestare të demokracisë dhe rrënjët e zhvillimit të civilizimit të tyre”.

Me pak fjalë, sa herë një shtet ose një popull dëshiron ta vërë veten mbi ligjin, me vetëdije të plotë kujton veprat e mëdha dhe vuajtjet e kaluara për të pretenduar heshtazi se meriton këtë përjashtim të vogël në raport me standardet ndërkombëtare.

Mbledhja e gjenocideve sikur të bëhej fjalë për mbledhje diplomash, afërmendsh se e bën të mundshëm krahasimin ndërmjet serbëve dhe hebrenjve, krahasim i bazuar në të zezat që i vuajtën të dyja palët në kampet e përqendrimit të ustashëve. Sidoqoftë, do të mjaftonte një kërkim i vogël në histori për t’i dëshmuar cenet në këtë analogji. Duhet të kujtojmë, ta zëmë, se në Jugosllavinë e pushtuar të vitit 1941 kishte një qeveri serbe që bashkëpunonte me pushuesit gjermanë (prirë prej Milan Nediqit, “Pétainitserb”), dhe se prej 5 tetorit 1940 – që është goxha shumë kohë para mbërritjes së Wehrmachtit – kishte një ligj me një numër nenesh për çmimin e pranimit të hebrenjve në kolegj dhe universitet, dhe që ua ndalonte të merreshin me fusha të caktuara të tregtisë, thënë troç ua kufizonte të drejtat; se para luftës, kishte një parti fashiste të Lotiqit, që më vonë organizoi trupat e vullnetarëve serbë, detyra e të cilave ishte mbledhja e hebrenjve, romëve dhe partizanëve për ekzekutim; se më 22 tetor 1941 në Beograd (nën zgjedhën naziste) u hap ekspozita e madhe antimasone, ku denoncohej komploti komunist dhe judeo-masone për ta dominuar botën – ekspozita u konsiderua si goxha e suksesshme; se gjatë pushtimit, krerët ortodoksë (ndryshe prej klerit katolik të Kroacisë) urdhëruan pagëzimin e dhunshëm të katolikëve dhe myslimanëve, por hebrenjve ua ndaluan konvertimin, rrjedhimisht duke i dorëzuar te makineria gjermane e shfarosjes; se zgjidhja përfundimtare (dhe futja e fëmijëve dhe grave të para në dhomat e gazit) kishte nisur dhe mbaruar në Serbi falë bashkëpunimit aktiv të autoriteteve lokale, klerit, Gardës Kombëtare dhe forcës policore serbe, që i priu likuidimit të bashkësisë hebraike të Serbisë; dhe në fund, në gusht 1942, doktori Harald Turner, drejtor i administratës civile naziste të Serbisë, deklaronte se ky shtet ishte i vetmi ku ishin zgjidhur “çështja hebraike dhe çështja rome”.

Kjo nuk e cenon aspak faktin se serbët ishin ndër të parët që rezistuan, me Titon, qysh e ka pranuar edhe vetë publikisht; e që njëherësh nuk shlyen apo zbut assesi urrejtjen e Shtetit të ustashëve; por që ia jep identifikimin automatik të paqartë, nëse jo të dyshimtë, për çështjen e hebrenjve, por që nacionalistët e Beogradit turren menjëherë ta përvetësojnë si pretendim.

Në Serbi, si kudo tjetër në Evropë, kishte një traditë të fortë antisemite, që është e tillë edhe sot, së paku e fshehur prapa klerit ortodoks, megjithëse shumë serbë pësuan fatin e hebrenjve kundrejt nazistëve gjatë kohës së luftës, ani pse bashkësia e vogël hebraike, që ka mbetur në Beograd, nuk përballet absolutisht me asnjë kërcënim (jo me kërcënim më të madh se mund të ndiejë në Zagreb), meqë të dyja palët u bënë mjaftueshëm kurban sa për të mos rënë kurrë në këtë kategori.

Hebrenjtë si rivalë dhe model i serbëve

Bash si antisemitizmi që ia mori për pak anën synimit të vet me judaizimin e “johebrenjve” në vendet ku ishin zhdukur të gjitha gjurmët e pranisë hebraike, ose ku ishin reduktuar në një grusht njerëzish – qysh ka ndodhur me shumë popuj dhe grupe – dëshira për të qenë hebrenj në vend të hebrenjve shndërrohet përnjëherë në diçka konkurruese derisa njerëzit luftojnë ta marrin privilegjin e të qenët popull i zgjedhur.

Në përgjithësi, mund të shquhen dy soje të mëdha të antisemitizmit: fetar, me frymëzim të krishterë, që akuzon popullin e Moisiut për vrasjen e Krishtit, dhe që ngulmon në gabimin e tyre pas shpalljes evangjelike; dhe ai nacionalist, që denoncon pakicat të pashtet, si burim të mosndëshkimit që, në fakt, është paragjykuese për qenien e kombit. Një i tretë, trend më befasues antisemitizmi, u është shtuar këtyre kundërshtimeve tradicionale në gjysmën e dytë të shekullit njëzet: zilia ndaj hebreut si viktimë, modeli i përkryer i fatit të keq. Kështu, hebreu shndërrohet në model dhe pengesë njëherazi, uzurpon pozicionin e popullit që meriton të gjitha të drejtat që u atribuohen zezakëve, palestinezëve, serbëve, rusëve, polakëve, ato të drejta që burojnë prej revolucionit francez e të tjera.

Tradicionalisht, pansllavizmi dhe pangjermanizmi (që janë imituar në këtë aspekt prej shumë nacionalizmave periferikë), ia atribuojnë vetes prejardhjen hyjnore, njëfarë lidhjeje speciale me Providencën, të vulosur prej provave dhe vuajtjeve; kjo zakonisht dizajnohet si mënyrë për shquarjen e vetes nga hebrenjtë.

Duke e konsideruar veten popull i zgjedhur, i mundësohet një grupi të paqëndrueshëm ose të shpronësuar ta transformojë syrgjynosjen në bazë për madhështi, për t’ia bërë vetes qejfin e investimit në vokacionin mesianik. Andaj Dostoyevsky, në Sllavofilinë e tij militante, e bëri përkohësisht Rusinë e Shenjtë Krisht të kombeve, me qëllim që të mund t’ia rin­gjallte të nesërmen madhështinë, dhe ngjashëm e shpjegon sot Radovan Karaxhiqi: “Serbia është krijesë e Zotit. Madhështia e saj matet me urrejtjen e armiqve të saj” (mars, 1994).

Nuk ka rëndësi që kjo mistikë fisnore i ka rrënjët në një gabim në Bibël, ku zgjedhja është barrë që Zoti ia transmeton Moisiut dhe popullit të tij – për ta rrënjosur humanizmin, meqë judaizmi ka “sovranitet moral”, “përgjegjësi që një komb të mos devijojë”, ndërkaq në këto ideologji është shndërruar në variant të ri të mendimit racist, mjet afirmimi i epërsisë së një grupi etnik kundrejt një tjetri.

“Serbët”, thekson Radovan Karaxhiqi, “janë popull superior në Ballkan”. Nëse populli ia mbush mendjen vetes që është i dalluar dhe i shquar prej Zotit, afërmendsh se e konsi­deron veten si racën më të mirë dhe i sheh fqinjët si popuj inferiorë, që qenkan ndryshe prej tyre, të tjerët doemos se janë më të ulët. Por në ekzaltimin e tyre metafizik, këto lëvizje nacionaliste pandryshueshëm “turren drejt pretendimit shekullar të hebrenjve në pretendimin e tyre” (Hannah Arendt).

Në njërën anë, pretendimi i tyre i përzgjedhjes hyjnore i sheh “hebrenjtë si rivalin e vetëm të tyre serioz”, “rivalët e tyre më fatlumë, më fatbardhët, sepse prej këndvështrimit të tyre hebrenjtë gjetën mjetet e ndërtimit të një shoqërie të sojit të ri, një shoqëri ndaj së cilës as përfaqësimi i dukshëm, e as konteksti politik normal nuk mund të shndërrohen në zëven­dësim për kombin”. Përveç kësaj, ky pretendim u fuqizua prej “qasjes besëtyte, një frike se, mbi të gjitha, mbase ishin hebrenjtë dhe jo vetë ata që i zgjodhi Zoti, dhe të cilëve u ishte garantuar suksesi prej Providencës hyjnore. Kishte një element të pakënaqësisë absurde kundër një populli, i cili, druhej, kishte marrë garancinë e pakuptueshme arsyeshmërisht se do të shfaqej një ditë, pavarësisht prej të gjitha pengesave, si fitues përfundimtarë në historinë e botës”.

Dhe asgjë nuk e ilustron më mirë këtë formë të urrejtjes ziliqare më mirë se deklarata e famshme e Hitlerit dhënë Hermann Rauschningut: “Nuk mund të ketë dy popuj të zgjedhur. Jemi ne populli i Zotit. Dhe s’ka tjetër”.

Por prej Luftës së Dytë Botërore ka një tjetër arsye të madhe për kombet ose pakicat në vështirësi që të dëshirojnë ta marrin vendin e hebrenjve: Vuajtja hebraike është shndërruar në standard reference dhe Shoah në ngjarje kyç me të cilën ne gjykojmë dhe dënojmë krimet kundër njerëzimit.

“Viktimat e Auschwitzit”, theksonte Paul Rcoeur, “janë përfaqësuesit më të denjë në kujtesën tonë të të gjitha vikti­mave të historisë”. Por nëpërmjet një keqinterpretimi themelor, ata që duan të jenë bartësit e rinj të yllit të verdhë nuk e shohin gjenocidin si kulmin e egërsisë, “që terron diellin” (Claude Lanzmann), por rastin e veçimit nëpërmjet fatkeqësisë, shquarjes, potencialit për të fituar imunitet ose papërgjegjësi të padiskutueshme.

Dhe kjo është arsyeja pse shprehja “holokaust” është keqpërdorur në mënyrë goditëse dhe tronditëse prej vitit 1945: duke qenë në gjendje të thuash se je objekt i një holokausti të ri, nënkupton kryesisht se po vë në pah qartësisht rastin tënd; gjithashtu nënkupton se vjedhjen e fatkeqësisë maksimale dhe shpalljen e vetes si pronarin e vetëm legjitim, duke i hequr qafe të gjithë pretenduesit e tjerë.

Në vend se të jetë katastrofë dhe paralajmërim për krejt njerëzimin, gjenocidi pastaj shndërrohet nëpërmjet procesit të konfiskimit në burim të përparësive të pakufizuara morale dhe politike, njëfarë çelësi magjik që jua lejon të gjitha format e abuzimit dhe jua fal edhe gabimet më të rënda.

Ta judaizosh veten, qysh kanë bërë ekstremistët serbë (nëse ka qenë e nevojshme edhe me deklarimin e vetes më hebrenj se hebrenjtë, të cilët nuk janë të vlefshëm si rol), ua siguron një situatë të pafavorshme për fitore, njëfarë vijueshmërie të përjetshme nderi për imoralitet. Kjo shpie drejt dykuptimësisë së teologjisë etnike që bazohet në identifikim, në pasionin judeofil se duke brendësuar hebreun në vetvete, mund ta nxirrnin veten në anën tjetër, si puna e dorashkave të kthyera mbrapsht.

Serbët shpesh qahen se janë djallëzuar, janë shkulur prej familjes së kombeve, dhe e shohin këtë urrejtje universale si justifikim a posteriori të luftës së tyre. Kanë të drejtë, sepse janë të vetëm kundër botës. Por të mos harrojmë se qysh prej vitit 1986 propaganda e Beogradit i është kushtuar njollosjes sistematike të popujve që ua kishin mësyrë t’i mposhtnin: para së gjithash, të gjithë shqiptarët e Kosovës, këta “fashistë të neveritshëm”, thënë me shprehjet e përdorura në Memorandum dhe “terroristë të egër”, përdhunues të grave serbe.

Duke folur për luftën e zhvilluar prej shqiptarëve të Kosovës kundër serbëve që nga viti 1981, autorët e Memorandumit specifikojnë: “Kryengritja në Kosovë dhe Metohi pak para përfundimit të luftës, organizuar me bashkëpunim të njësiteve naziste më 1944-45, u shtyp ushtarakisht, por doli se nuk ishte shkelur edhe politikisht. Nën frymën e tanishme, maskuar me përmbajtje të re, zhvillohet me sukses të madh dhe është afër triumfit. Ne përfundimisht nuk kemi kryer njëherë e përgjith­monë punë me agresionin fashist, masat e gjertanishme kanë hequr vetëm shenjat e jashtme të këtij agresioni, ndërkohë që qëllimet e tij finale, të frymëzuara prej racizmit, janë fuqizuar përsëri” (cituar nga “Dialogues”).

V. K. Stojanoviq, kryetar i Shoqatës i Shkencëtarëve dhe Profesorëve Universitarë të Serbisë, shkruante në një letër të hapur në numrin e 8 shkurtit 1990 në të përditshmen “Politika”: “Sot terroristët e egër shqiptarë po vlojnë në Kosovë dhe në Metohi, duke sulmuar dhe shkatërruar gjithçka serbe, duke djegur shtëpi serbe dhe terrorizuar ata pak njerëz që kanë mbetur atje”. (Cituar në “Le nettoyage ethnique”, Fayard 1993, f. 286 të Mirko Grmeckut, Neven Simacut dhe Mark Djidaras).

E sa për kroatët, ata kanë qenë popull gjenocidal qe katër shekuj, pretendon historiani serb Basilje Krestiq. Popull “i kalbur”, sipas fjalëve të liderit ultranacionalist serb, Sheshel, i cili rekomandonte në një televizion serb që t’u priteshin kokat “jo me thikë, por me lugë të ndryshkur”, sugjerim që thuhet se ua kishte kërkuar nëpërmjet një letre milicisë së tij në Bosnjë dhe Kroaci. Fundja, myslimanët e Bosnjës dhe Sanxhakut janë “viktima të frustrimeve të zorrës së trashë që i inkurajojnë t’i plaçkitin pasuritë dhe të prehen në sjelljet e tyre fanatike”, janë fjalët e fuqishme të doktorit të psikiatrisë, Jovan Rashkoviq, një tjetër teoricien i nacionalizmit serb. Përveç kësaj, islami nuk është asgjë më shumë se “terror seksual” me themel “trashëgueshëm gjenocidal” dhe përdhu­nues, pretendon Biljana Plavshiq, muzë e regjimit serb të Bosnjës.

“Përdhunimi, mjerisht, është strategji lufte e myslimanëve dhe kroatëve të caktuar kundër serbëve, islami e konsideron normal, meqë ky religjion lejon poligaminë. Historikisht, gjatë 500 vjetëve të pushtimit turk, ka qenë krejtësisht normale për myslimanët e hierarkisë së lartë të ushtronin të drejtën e përdhunimit të grave të krishtera. Duhet të theksohet se religjioni islamik konsideron se identiteti kombëtar i fëmijës përcaktohet prej babait… Ky terror seksual ushtrohet edhe ndaj burrave dhe merr karakter gjenocidal”. (“Borba”, 8 shtator, 1993). Është për t’u shquar se kjo serbe e njohur akuzon myslimanët për keqtrajtim të njëjtë që serbët e ushtrojnë në përmasa të gjera ndaj boshnjakëve dhe kroatëve, sidomos përdhunimin masiv si mjet të purifikimit racor!

“Aty ku ka vdekur një serb, atje shtrihet Serbia”

Vetitë e viktimës, njashtu sikurse ato të torturuesit, barten nga babai tek i biri: fashizmi është sëmundje ngjitëse, gjenet e tij barten prej një brezi në tjetrin. Është tipar joimun i mishëruar në një popull, dhe historia nuk mund ta modifikojë pavarësisht se çfarë ndodh.

Kjo propagandë ka një aspekt patologjik dhe farsë, që do të ishte temë e mirë për psikoanalizë nëse zgjedha nuk ka gjeneruar drejtpërdrejt terrorizëm. Meqë oscilon ndërmjet arrogancës së pastër dhe mashtrimit moral, retorika serbe nuk është marrë gjithnjë seriozisht, dhe se është për keqardhje meqë gjithnjë e ka thënë se çfarë do të bëjë dhe gjithnjë ka bërë çfarë ka thënë.

Sa më e krisur që dukej në veshët tanë të perëndimorëve, aq më shumë është dashur t’ia vinim veshin. Këto fjalë janë përdorur si doktrina të shtetit. Ato jo vetëm që kanë hedhur farat e zemërimit në kokat e njerëzve, por edhe e kanë kallur barutin. Këto fjalë ishin armë, këto fjalë kanë vrarë.

Andaj, nuk është se bota i djallëzoi serbët, janë serbët që nisën me djallëzimin e të gjithë fqinjëve të tyre dhe gradualisht krejt botës (hiq disa vende mike, si Greqia, Rusia dhe Rumania) duke shpikur një komplot kundër vetvetes, një komplot të ndërlikuar që përfshin (më fal që lista është shumë e shkurtër) islamin, Vatikanin, Kominternin, “Rajhun e Katërt” të Gjermanisë, masonët e lirë dhe shumë shërbime sekrete perëndimore.

Dhe cilat janë mashtrimet e përhershme paranojake? Shkojnë krah për krah me megalomaninë, duke ia mundësuar ta fryjë vendin e vet të vogël në përmasa planetare. Se serbët dëshiruakan të jenë “popull qiellor”, që mund të kallë luftëra botërore dhe se qenkan të bindur se janë cak i një aversioni planetar që nxit krejt njerëzimin t’u vërsulen atyre. “Krejt bota është angazhuar për djallëzimin e popullit serb, fenomen i pashembullt në historinë e civilizimeve. Komploti kundër serbëve është mbi të gjitha komplot kundër të vërtetës: … ndërgjegjes së njerëzimit … si dhe fati i botës është i lidhur me problemin serb”. Të prekur prej iluzionit të madhështisë, këta nacionalistë (ku përfshihen edhe burra me nam dhe të shkolluar, profesorë dhe shkencëtarë), shkrihen me mendimin e përhershëm të konspiracionit që ua mundëson të mendojnë se janë alamet të rëndësishëm.

“Nëse krejt bota është në luftë me Serbinë, atëherë një kataklizëm botëror, një vërshim i madh do ta fundosë botën në tërësi, përjashto Serbinë e Madhe”.

Kjo fantazi e të qenët të rrethuar prej një “konspiracioni islamist-vatikanist-hitlerian”, kjo vetëbindje e “urrejtjes së tmerrshme kundër serbëve … që na bën ne, serbëve të diasporës, të mallkuarit e vërtetë”, këto “rituale përbindëshe antiserbe” që janë pjesë e një “simfonie të pabesueshme të djallit” (Komnen Beqiroviq), duke ushqyer kështu një Serbi manikeiste radikale, ka mbetur fikall e vetme kundër krejt universit!

Duke përkulur grupet etnike të cilave synon t’iu shpallë luftë, duke dedramatizuar ekzilin a vdekjen e tyre, përpiqet ta mbulojë zhdukjen e tyre si gabim të parëndësishëm të historisë. Ky pranim duhet të shoqërohet me poshtërim total të tjetrit me qëllim që ta ekzaltojë dhe lartësojë veten në kurriz të tjetrit.

Sa më monstruoz që të jetë krimi i planifikuar, aq më monstruoze duhet të duket e ardhmja e viktimës; krimet e viktimës, në fakt, janë të parashikueshme. Viktima i paralaj­mëron krimet duke pretenduar se të njëjtat do të kryhen kundër saj.

Dhe bash si e djathta ekstreme që gjithnjë ia atribuonte një fuqi supernjerëzore Internacionales Hebraike – aspiratën për sundimin e botës – edhe ekstremistët serbë ua atribuojnë armiqve të tyre qëllimet më të zeza dhe fantazinë e fuqisë absolute që e bën urgjente shfarosjen e tyre (ndërkaq, në terren, lidhja e forcave gjithnjë ka qenë në favor të serbëve, të cilët janë mjeshtër të artilerisë dhe fuçisë së barutit).

Akuza ngarkuar tjetrit është motori i sulmit që dikush përpiqet ta ndërmarrë vetë. Duke ngritur dyshimin kundër tjetrit për spastrim etnik, thjesht nënkupton pranim dhe përshpejtim të planit që planifikoni ta jetësoni kundër tij.

Andaj krejt çfarë i mbetet të bëjë është të sulmojë të ardhmen e tjetrit me akuza të cilat, në fakt, më vonë do të fajësohet vetë. (Ishte edhe më e dhimbshme të dëgjoje tonin e shpifjes së paraqitur në mediat perëndimore, ta zëmë me barazimet e “kroatit me ustashin”, “boshnjakëve me fundamentalistët”, për ta parë se kjo propagandë po lulëzonte nën penat e shkrimtarëve që supozohet se janë të mirinformuar).

Për pasojë, agresioni mund ta veshë veten me uniformën e çiltërsisë: si një komb i engjëjve shfajëson veten deri në fund të botës prej mundimeve të tij të kaluara, serbët kurrë nuk sulmojnë, vetëm mbrojnë veten. Janë të drejtë, madje edhe kur vrasin; mbrohen prej pafajësisë së papërshkueshme dhe absolute, larg më të lartë se veprat e liga që mund t’i kenë bërë.

Nëse ata vazhdojnë të tregohen mospërfillës ndaj keqardhjes dhe brejtjes së ndërgjegjes, kjo ndodh për shkak se nuk ishin ata të cilët masakruan, ata vetëm se me të drejtë kanë shkelur disa insekte të dëmshme, qelbanikë që vetëm nga pamja duken njerëzorë. Dhe një veteran i Luftës së Dytë Botërore erdhi për ta mirëpritur Zhirinovskyn në Bjelina në Bosnjë në shkurtin e vitit 1994, duke iu drejtuar një gazetari amerikan: “shqiptarët, kroatët dhe myslimanët, dhe kushdo i sojit të tyre, nuk meritojnë të jetojnë”.

“Ky sinqeritet tragjik i vrasësit” (Gaston Bouthoul) e shtyn atë ta dehumanizojë armikun e tij me qëllim që ta eliminojë me ndërgjegje të pastër dhe të mos ndihet asnjë trohë fajtor (me përjashtimin e dukshëm të opozitës demokratike serbe që kërkoi publikisht falje për shkatërrimin e Vukovarit, Sarajevës dhe Dubrovnikut, dhe për rrethimin e enklavave boshnjake).

Ky soj vrasësi e ka mendjen top se po vepron në kuadër të të drejtave të veta me kujtimin e vazhdueshëm të së kaluarës. Andaj në fund të viteve ’80, kleri ortodoks dhe njerëzit me pushtet të vërtetë publik i rrahën daullet e luftës dhe shkuan aq larg sa t’i zhvarrosnin edhe eshtrat nga Lufta e Dytë Botërore, me qëllim të fryrjes së flakëve të zjarrit të hakmarrjes.

“Do t’i zhvarrosim eshtrat e martirëve tanë dhe do t’ua dedikojmë një vend të merituar. Eshtrat duhet të prehen më afër parajsës, meqë populli serb gjithnjë ka qenë popull i parajsës dhe popull i vdekjes”, shkruante doktor Rashkoviq në fund të viteve ’80.

Dhe kjo ushtri e pafund e të vdekurve ishte vërsulur në sulm kundër të gjallëve me qëllim që t’i lante me gjak të gjitha fyerjet e përjetuara. Kjo është propagandë funerale, adhurim i varrezave masive dhe skeleteve, njëfarë nekrofilie pothuajse e maskuar që i jep kuptim të ri sloganit tashmë të njohur: “Aty ku ka vdekur një serb, atje shtrihet Serbia”.

Në mesazhin e tij ambicioz gjatë pashkëve në marsin e vitit 1991, u përpoq “ta ringjallte shpirtin e vëllazërisë dhe vëllazë­rimin në lutje me viktimat tona, të vdekurit e pafajshëm të shenjtë… gjatë pesëdhjetë vjetëve të fundit”, citonte patriarku Pavle i Beogradit “Kryepeshkopin e Madh Nikolajn e kujtimit të lumtur”, duke theksuar se “nëse serbët do të merrnin hak për në proporcion me të gjitha krimet që janë kryer ndaj tyre gjatë këtij shekulli, çfarë do të duhej të bënin? Do të duhej të varrosnin burra për së gjalli, t’i hidhnin të gjallët në zjarr, t’i rrjepin për së gjalli, t’i copëtonin fëmijët në sytë e prindërve. Serbët kurrë nuk kanë vepruar kështu, madje as ndaj bishave të egra e lëre më ndaj krijesave njerëzore”.

Tani ajo çfarë është mahnitëse në këtë tekst është se përshkruan saktësisht krimet që trupat serbe do t’i kryenin nga qershori 1991 e tutje, me të krisur lufta. Nëse tragjedia, siç thotë Claudeli, është “është kujë e madhe para një varri që nuk është mbyllur mirë”, atëherë krejt territori serb, ujitur me sakrificën e martirëve, gulçon për hakmarrje. Rrënjët e këtij nacionalizmi tribal janë larë, folur me të njëjtën gjuhë, në gjakun e të pafajshmëve që vdiqën për atdheun për më shumë se shtatë shekuj. Dhe kjo tokë na qenka e shenjtë, “sepse është një varrezë e madhe e mbushur me ata që vdiqën pa gurë varresh”.

Kjo është arsyeja pse ushtarët serbë kanë mësyrë frontin qysh prej qershorit 1991, duke marrë krah që të flasin me ata që vdiqën më 1914-18 dhe 1941-1945, të shoqëruar prej krejt atyre që janë martirizuar gjatë shekujve të mëhershëm, me qëllim që ta kryejnë punën e pakryer dhe për ta shndërruar një milenium fyerjesh në orgji të vrasjes shpenguese. Ky procesion pafundësisht i zymtë u shoqërua me lutje të kryepeshkopëve dhe këngë të krijuesve të baladave.

Se këta vrasës janë edhe poetë e tregon edhe Karaxhiqi, i cili vetë e ngacmon Muzën në orët e tij idilike; dhe në këtë konflikt, krimi vjen në krahët e poezisë epike, dhe reptilët më të këqij janë të zotë ndërmjet dy masakrave, të thurin një strofë modeste plot me terrinë dhe vrer.

Milan Kundera kishte identifikuar një shembull të mirë të kësaj aleance të lirikës dhe krimit nën stalinizëm, sepse “kjo luftë u nxit, u përgatit dhe u ndërmor prej shkrimtarëve dhe u krye prej dorës së shkrimtarëve” (Marko Vesoviq).

Fundja, kjo mësymje mbrojtëse shpjegon natyrën neveritëse të këtij konflikti, në të cilin, së paku në fillim, një ushtri profesionistësh u konfrontua me civilë të paarmatosur, me fushata të prerjes së kokave, torturimit, gjymtimit dhe vrasjes së të burgosurve dhe akteve të panumërta të sadizmit të faktuar hollësisht gjerë e gjatë në raportet e Kombeve të Bashkuara, ky vullnet për ta shfarosur tjetrin, për ta hequr nga faqja e dheut edhe kujtimin e ekzistencës së tij.

Sa për informacion, duhet të dihet se lideri i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, ish-psikiatër, po punonte para luftës me pacientët e tij në Sarajevë mbi fantazinë e prerjes së trupit në dy pjesë – gjë që beson se është e pranishme te krejt burrat.

Në versionin e tij benin, viktimizimi është formë paradoksale e snobizmit. Në versionin e tij të krisur, është mohim aktiv i konceptit të njerëzimit, thirrje e hapur për vrasje.

Vrasësit engjëllorë

Retorikën e Serbisë së Madhe duhet marrë gjithnjë ndryshe, duke interpretuar secilën fjali në kuptim të kundërt të manifestit; duhet të mësohemi me idenë se dhuna flet me gjuhën e paqes, dhe fanatizmi me zërin e arsyes; duhet të mësohemi se hedhja poshtë e gjenocidit po përdoret si motor i një krimi të ri kundër njerëzimit. Kurrgjë nuk e përthekon më mirë sjelljen e Serbisë së Madhe sesa fjalia që George Steineri ia atribuon Hitlerit në njërin prej librave të tij: “Do t’i zbatoni metodat e mia derisa njëherësh do të më refuzoni”.

Kështu, nëpërmjet një mashtrimi të madh, ata që duhet të ulen në bankën e të akuzuarve janë ulur në bankat e proku­rorëve; andaj, nacionalizmi serb, që shquhet për maskimin e tmerreve nën gunën fisnike të luftës kundër fashizmit, kulmon në revizionimin më të neveritshëm.

Në Beograd lufta në Bosnjë është quajtur “lëvizje çlirimtare antigjenocid”, dhe në kampet serbe të mbajtjes (dhe shfarosjes), pengjet boshnjake dhe kroate u gjykuan për “krime të gjeno­cidit kundër popullit serb”, kur dihet mirëfilli se krimi i tyre i vetëm ishte pse u lindën kroatë ose boshnjakë; në Beograd gjatë vitit 1992 u botua një libër me titullin “Sarajeva, kamp përqendrimi për serbët”.

Nga mesi i gushtit 1993, kur Sarajeva kishte më shumë se një vit nën rrethim dhe 70 për qind e territorit të Bosnjës ishte nën kontrollin serb, Republika Federale e Jugosllavisë (Serbia dhe Mali i Zi) i kërkoi Gjykatës së Hagës që t’i kërkonte Qeverisë zyrtare të Sarajevës t’u jepte fund “akteve të gjenocidit kundër grupit etnik serb”. Operatorët serbë të turizmit organizuan udhëtime për Vukovar për të verifikuar “në vend” gjenocidin e kryer prej forcave “ustashe”.

Së fundi, në kulmin e mjerimit, në janarin e vitit 1992, në Qendrën Kulturore në Paris (dhe njëherësh në Beograd) planifikohej një ekspozitë me titullin: “Vukovari 1991, gjenocidindaj trashëgimisë kulturore serbe” (ekspozita shkaktoi zemërim të madh, dhe kurrë nuk u hap edhe në Francë).

Ndërkaq qyteti austro-hungarez plot shkëlqim i Vukovarit ishte rrafshuar prej ushtrisë serbe më 1991, dhe popullsia e saj ishte likuiduar ose shporrur, ndërkaq agresorët pretendonin pa fije turpi se ishin mbrojtësit e tij dhe se banorët e tij ishin ata që shkatërruan gjithçka rrafsh me tokë.

Ne e dimë mirë se kjo propagandë ka çorientuar kuptimin e fjalës “gjenocid”. Sidoqoftë, gjithashtu është pasuruar me dhënien e kuptimit të ri: prej tash e tutje çdo popull që masakron ose shkatërron një tjetër mund të krenohet me veten se vuajti prej gjenocidit.

Për shumicën e krimeve të tmerrshme të kryera prej trupave serbe janë fajësuar viktimat e tyre: ka diçka si puna e Krishtit në këtë far mashtrimi për shpirtrat, në këtë diversion të martirëve – por është një Krisht i paturpshëm, në fakt një Antikrisht – ai që vret dhe pastaj dëshiron që pikërisht atij t’i shprehin keqardhje.

Kjo është një sqimë supreme e vetë Djallit: fajësoje viktimën për djallin që i është lëshuar atij në qafë. Prej këtij këndvë­shtrimi, gjermanët do të justifikoheshin në pretendimin se ishin cak i një gjenocidi në Auschwitz në emër të hebrenjve dhe romëve, turqit do të mund t’i akuzonin armenët për masakrimin e tyre më 1915, ekstremistët hutu do të mund t’i akuzonin tucit, e kështu me radhë.

Kjo është përmbytje tronditëse e së vërtetës: vrasësi është viktima e viktimës së tij, dhe nëse unë të vras, fajin e ke ti – në fakt jeni ju që më vrisni. (Një tjetër alternativë e kësaj sjelljeje: ndëshkoji viktimat dashakeqe që të detyrojnë t’i bësh martire). Është mashtrim i dyfishtë; shtypësi përvetëson dramën e të shtypurit dhe, njëherësh, shlyen të gjitha gjurmët e krimit të vet.

Andaj, mund të kënaqeni me shqetësimin që rrethon humbësin, përderisa i gëzoni të gjitha përfitimet prej të qenët fitues. (Në raste të caktuara, vampirizmi e arrin kulmin. Sipas Shoqatës së Popujve të Kërcënuar, shumë kriminelë serbë të luftës fshihen jashtë vendit pasi kanë marrë identitetin e atyre që i kanë shfarosur). Një engjëll sipëror i mbuluar me gjak, torturuesi pastaj mund ta qajë veten me ndërgjegje të pastër, madje edhe para një grumbulli kufomash.

Natyrisht, konflikti në ish-Jugosllavi nuk zhvillohet vetëm ndërmjet regjimit të Beogradit dhe fqinjëve të tij; ai poshtëron Serbinë e hapur, liberale, pluraliste kundër një tjetër Serbie, kryesisht rurale, që është e prapambetur dhe shumë krenare me primitivizmin e saj barbar, që vjell prej përzierjes etnike, papastërtisë në Beograd dhe përgjithësisht, në shumicën e qyteteve, folur me fjalët e një ekstremisti, prej “atyre stallave derrash, ku janë lindur ata bastardë prej martesave ndëretnike”. (Kjo shkon saktësisht paralelisht me mënyrën se si nacionalistët kroatë të Hercegovinës i binin vetes në qafë kundër Mostarit, simbolit të sinkretizmit turko-sllav, ku ata kompletuan shkatërrimin pas bombardimeve serbe).

Dhe “miqtë” e Serbisë, në Francë, do të frymëzoheshin fort sa ta përkrahnin fraksionin më të përndritur të popullit serb, ata që aspironin paqen dhe një Evropë të bashkuar, në vend se të mbështesnin një diktaturë gjëmëmadhe që vendit i solli marre, histeri dhe aventurë ushtarake që, mbase, do ta ngufatë krejt rajonin në flakë.

Fundja, drama e ish-Jugosllavisë vjen për shkak se me Evropën të pazonjë ta zbatonte ligjin, ligji i vrasësve u shndërrua në ligj për krejt fraksionet etnike, dhe purifikimi u shndërrua në emërues të përbashkët ndërmjet tri kampeve. Çka është e pahijshme kur flitet për luftën është bashkëfajësia e pashmangshme që valëvitetndërmjet armiqve të cilët mendojnë se nuk kanë asgjë të përbashkët, por që përfundojnë në përngjarje të njëri-tjetrit përherë e më shumë.

Pa një traditë demokratike, pa një lider i cili do të mund të matej me mendjen djallëzore të Millosheviqit, mjerisht të armatosur dhe të krisur prej shkuljeve ndaj lidhjeve të ngushta dhe me privilegjin e madh që e gëzonte agresorin, dhe specifikisht të braktisur prej njerëzve të cilëve iu përgjëruan për ndihmë (evropianëve dhe amerikanëve), kroatët dhe boshnjakët, secili në nivel tjetër (dhe pa mbërritur asnjëherë në përmasat e nivelit të egërsisë së trupave nga Pale dhe Beogradi), iu kthyen së pari serbëve, dhe pastaj njëri-tjetrit (gjatë luftës që u zhvillua deri në shkurtin e vitit 1994). Ishte hata që e kishin përjetuar prej agresorit të tyre të përbashkët.

Mendja gjeniale e përdreqtë e Millosheviqit ia mundësoi që t’i përçante armiqtë, duke i injektuar me helmin e urrejtjes etnike, që do ta shndërronte në njëfarë justifikimi a posteriori: “I shihni sa përbuzës (ose fanatikë) janë? Sa shumë patëm të drejtë që u ndamë prej tyre”.

Një imitim tronditës i rolit të viktimës: modeli i pushtuesit ka kontaminuar (pjesërisht) atë të të nënshtruarit, dhe konfrontimi i përgjithshëm justifikon shkakun e supozuar të ndezjes së luftës – idenë se ishte e pamundshme që dy bashkësitë të jetonin bashkërisht.

Dhe është thjesht e mrekullueshme që në Sarajevë dhe enklavat e tjera të Bosnjës (dhe në Kroaci, ku jetojnë qindra mijëra refugjatë boshnjakë), serbët, kroatët dhe myslimanët ia dolën mbanë të bashkëjetonin kaq gjatë, ia dolën ta ruanin dinjitetin dhe tolerancën e tyre pavarësisht prej bombave, sanksioneve dhe urisë. Në këtë drejtim, pavarësisht prej çmendurisë që duket se ishte propaganduar te të gjitha palët, fajësia e regjimit të Millosheviqit shkon përtej çdo dyshimi (megjithëse regjimi tani, nëpërmjet oportunizmit politik, predikon paqe apostolike, një Al Capone i maskuar si Mahatma Gandi).

Sidoqoftë, gjithçka shkoi në fund të pusit në luftë ose diplomaci. Serbët përfundimisht e humbën kurorën e praruar të martirizimit, të cilën ua kishte rrënjosur historia e kaluar. Dhe ja si e vrojtonte këtë lideri opozitar serb, Vuk Drashkoviq: “Në këto krime të tmerrshme të luftës, që ende po vazhdon, dhe fundi i së cilës zor se mund të parashikohet, dallimi ndërmjet librit të turpit dhe librit të dritës, është shlyer deri në pikë të fundit. Dhe kjo është disfata më e madhe serbe, disfata e vetme e popullit tonë në historinë e ekzistencës së tij”. Dhe Serbia e Millosheviqit ka jetësuar atë që e ka përmbledhur më së miri Marek Edelman: “Fitoren posthumus të Hitlerit”.

Gjatë gjithë konfliktit, në secilin rast, nuk është ndërmarrë asgjë (prej bashkësisë ndërkombëtare) për ata nën sulm, shkeljet e vetme të të cilëve ishin analizuar në mënyrë maniake, përderisa sulmuesit shkriheshin me duart e lira qysh prej ditës së parë. Krimi i vetëm i boshnjakëve (dhe kroatëve para tyre) në sytë e qeverive perëndimore ishte rezistenca në vend se të dorëzoheshin vetë në kasaphane, duke ua prishur hesapet kryeqyteteve të mëdha që kishin llogaritur fitore të shpejtë të Serbisë, fuqia e vetme që do të mund të mbante rendin në Ballkan pas dezintegrimit të Jugosllavisë.

Për t’i ndëshkuar ata që ishin sulmuar (të cilët ishin edhe separatistë), përdorëm dhe shpërdorëm sofizmin fatal që sugjeron se çdo viktimë është një zuzar i ardhshëm potencial, dhe refuzuam t’i ndihmonim, sepse mund të bëheshin njerëz të ligë. Çka tjetër mund të përbëjë mashtrim më të madh për drejtësinë?

A po fundoset një fëmijë para syve tuaj? Punë e madhe, le të fundoset, ose ndryshe, më vonë do të shndërrohet në përbin­dësh. Pse viktimat duhet të jenë të pacene dhe pa të këqija? A paskemi harruar ne se rezistenca franceze dhe e aleatëve kishte kryer ndonjëherë krime të tmerrshme? As boshnjakët e as kroatët nuk janë sjellë si engjëj, por askush nuk do ta ndih­monte kurrë dikë nëse do të ngulmonim se pala e dëmtuar duhet të jetë e butë si qengji. Ne nuk e kushtëzojmë ndihmën tonë për njerëzit në rrezik varësisht se a e “meritojnë”.

Ndëshkimi i krimit si kusht për pajtim

Modeli i fryrjes flakëve të zjarrit të madh është zhvilluar aty ku ne shmangim përfshirjen, së paku kur interesat tona preken drejtpërdrejt. Krejt së fundi, ngrysja më e vogël nga Saddam Husseini do të mjaftonte që të mobilizohej krejt flota detare luftarake, e kurrkush nuk do të lodhej për natyrën demokra­tike të Kuvajtit; ngjashëm u pritën me masa gjysmake krimet serbe dhe gjenocidi i tutsive në Ruandë.

Në këtë terr të madh të paqartësisë, kur të gjithë luftëtarët janë grirë, ne shmangim pranimin me qëllim që të mund t’i bishtnojmë përfshirjes. Ky triumf i parimit të ekuivalencës – ata krejt janë njësoj – nuk është kurrgjë tjetër pos negacionizëm. Vetëm merreni me mend nëse ne do të duhej ta riinterpre­tonim Luftën e Dytë Botërore sipas të njëjtave parime: në atë rast, më nuk do të ishte e mundshme të shquhej e mira prej djallit, dhe Shoah do të ishte vetëm palë plotësuese për kërcënimin sovjetik (si në tezën e preferuar prej shkollës revizioniste gjermane).

“Refuzimi i manikeizmit”, me të cilin krenohen disa njerëz si të ishte eksploatim intelektual, refuzimi për t’u futur ndërmjet, fshihet si keqardhje aktive për agresorin. Mosmbajtja anë në një konfrontim ndërmjet të fortit dhe të ligshtit, është e barabartë me animin nga pala më e fortë dhe inkurajim për sipërmarrjet e tij.

Neutraliteti është edhe një emër tjetër për bashkëfajësinë. Dhe mos pyet për viktimat, të cilëve u është plaçkitur edhe respekti për vuajtjen e tyre – duke i ngatërruar me torturuesit e tyre; dhe mos pyet për viktimat e Prijedorit, Omarkës, Sarajevës, Vukovarit dhe Gorazhdes, të vrarë dhe të gjymtuar për herë të dytë prej indiferencës sonë. Në siklet që ua kemi kthyer shpinën, ne ua konfiskojmë edhe vuajtjen, i privojmë prej së drejtës për të mbetur në kujtesën e të gjallëve!

Tri krime të mëdha kanë ndodhur që nga viti 1941 në sferën mendore të sllavëve të jugut: ai i ustashëve – më i tmerrshmi prej të gjithëve, derisa nuk provohet ndryshe; ai i çetnikëve – për të cilin dihet shumë pak; dhe, në fund, ai i Titos dhe komunistëve – prej çlirimit deri në vdekjen e diktatorit të kuq.

Asnjëra prej këtyre tri krimeve, për shkak të së vërtetës zyrtare të imponuar prej bolshevizmit, nuk ishte gjykuar ose vënë në vendin e duhur, e as nuk është analizuar dhe shpjeguar me korrektësi (hiq pretendimet propagandistike) deri në shpërthimin e luftës në qershorin e vitit 1991. Akumulimi i këtyre tri ngjarjeve të dhimbshme shpjegon ligësinë e ashpër në Ballkan dhe faktin se çdo bashkësi tundet ndërmjet amnezisë dhe vullnetit për hakmarrje.

Urrejtja dhe zemërimi u flakëruan përsëri kundrejt kundër­mimit të të varrezave masive, dhe miqësia ndërmjet popujve nuk u rezistoi valëve të gjakut që datojnë prej kohësh. Kjo është arsyeja pse është imperativ të ndëshkohet krimi i katërt, ai i Millosheviqit – për t’i gjykuar vrasësit nga secila palë; ky është kusht i pashmangshëm i çdo pajtimi ndërmjet popujve dhe heqje dorë prej retorikës hakmarrëse që akuzon kolektivisht këdo, meqë është e vështirë të identifikohen ata që përnjëmend janë përgjegjës.

A mund të ndodhë që shembulli jugosllav, së paku, po na i hap sytë: vërjani mendjen një populli që aspiron shenjtërimin për shkak të vuajtjeve të veta, që fillon t’i shpalosë plagët e veta dhe llogarit të vdekurit e vet. Po planifikon një punë të ndyrë, në vend se të parandalojë rikthim të vrasjeve masive, po i kujton vetëm sa për t’i kryer edhe një herë. Duke u veshur me gunën e shenjtërimit, vrasësit, para se t’i mprihnin thikat e tyre, po kërkojnë leje prej botës së civilizuar – derisa presin, mbase, që një ditë, t’i kthejnë thikat edhe kundër asaj.

Princesha Bibesco e kishte shprehi të thoshte se “rënia e Kostandinopojës është fatkeqësi që më ndodhi javën e kaluar” dhe kultivonte “mundësinë e vajtjes dhe ardhjes, të rrotullimit të orës së rërës, të ndërrimit të fatit të kohës sonë, të jetës në trupat e të tjerëve…”

Ka në të vërtetë popuj të caktuar dhe krijesa të caktuara që ruajnë njëfarë intimiteti joshpirtëror me të kaluarën e tyre që mbetet përherë e pranishme; krijesat dhe popujt që shprehin zotësi të paharrueshme që të jenë bashkëkohës me shekujt e kaluar, aventurat e të cilëve ata pa u lodhur i ringjallin si shumë episode të jetës së tyre të përditshme. Dhe nuk ka kapërcim ose nostalgji kur shtetet e Evropës Lindore dhe Qendrore përpiqen ta ripërvetësojnë historinë e tyre, për t’i lidhur ngushtë bijtë e lidhjes së këputur prej dekadave të propagandës dhe rrenave komuniste. Rikthimi i kujtesës së dikujt është faza e parë e lirisë; pranimi është, mbi të gjitha, pranim i traditave të tjetrit, edhe në qoftë se vetëm sa për të qenë në gjendje t’i ndash ata prej vetes ose t’i shtrosh në kontekst të ri.

Kujtesa mund të përdoret, gjithashtu, jo vetëm për promovimin e përbashkimit, por edhe për traumatizëm, për të festuar të zezat që i kanë rënë në qafë një populli dhe për të cilat populli nuk mund të vajtojë meqë ato nuk po i ndahen, nuk po përkojnë këndshëm me hambarin e historisë; ato vazhdojnë të lëndojnë edhe pas shumë vjetësh.

Pastaj kujtesa shndërrohet në paralajmërim, vigjilencë ndihmëse. “Kujto”, thuhet në muzetë e mëdha të gjenocidit (Yad Vashem në Jerusalem, Tuol Slang në Phnom Penh). Kurrë mos e harro atë çfarë është bërë në emër të racës ose të revolucionit prej regjimit nazist, diktaturës së Pol Potit.

Këta miliona burra, gra dhe fëmijë, të cilët u vranë për ta shlyer krimin e vetëm pse ishin lindur, duhet të na kujtojnë neve se ndodhi një terror ndaj të cilit kurrkush nuk mund të rrijë duarkryq. Kjo është arsyeja pse Holokausti, për nga natyra e vet unike, u bë gjenocid reference, krim absolut krahasuar me ato që i gjykojmë si krime të ngjashme.

Jo se vrazhdësia ishte rezervuar për një popull specifik, por djalli i vërtetë ndërron njëqind fytyra dhe përbuz krejt njerëzimin, duke përdorur si shembull një hebraik ose rom. Një krim kundër “njerëzores së njeriut në përgjithësi” (V. Jankélévitch); krim kundër faktit se njerëzit ekzistojnë. Por kujtesa në këmbim të sajin mund të shtrembërohet në dy mënyra: me fyerje dhe papajtueshmëri.

Kur është larg prej ringjalljes së martirizimit, ua nënshtron veten diktateve të nacionalizmit agresiv dhe shndërrohet në katalog ngjarjesh shpaguese, kur e kufizon veten me obsesion ndaj ringjalljes së vuajtjeve, për t’i rihapur plagët me qëllim që të fitojë më shumë legjitimitet për vullnet ndëshkimi.

Pastaj shndërrohet në dorë të zgjatur të zemërimit, të përçmimit: merr karakter të krisur, rikonstrukton të kaluarën si ai që i ndërron fytyrat degjeneron në mit, në fabul, kujtesë mercenare që më pak shqetësohet për kujtimin e të vdekurve sesa për lansimin e reprezaljeve kundër të gjallëve. Do të gërmojë thellë në konflikte të pazbardhura që datojnë prej kohës antike, do t’i përflakë tensionet dhe ekzagjerojë hasmëritë sikur e gjithë historia të ishte vetëm një fitil që digjet ngadalë që e ka të shkruar të eksplodojë sot.

Kjo është arsyeja pse ka diçka jashtëzakonisht të rëndësishme në shprehjen e Ernest Renanit: “Kushdo që dëshiron të bëjë histori, duhet ta harrojë historinë”. Nëse të gjithë njerëzit që ishin lënduar do të vazhdonin t’u ktheheshin ankesave të tyre respektive, nuk do të kishte as paqe e as harmoni mbi faqe të dheut.

Çdo shtet, rajon, madje edhe fshat do të mund të përmendte njëfarë të keqeje që i ishte bërë brenda 500 a 1000 vjetësh të kaluar dhe për çdo sëpatë të varrosur, çdo familje do të bëhej pikë e pesë për të njëjtat arsye, pa qenë të zotë të kapërceheshin të gjitha mosmarrëveshjet e përbashkëta. Kur keqbërësi të gjykohej dhe ndëshkohej, dhe do të kompensoheshin dëmet, dhe do të bëhej falja me pajim të viktimave nëse do ta gjykonin të domosdoshmen, atëherë vjen momenti kur, me kohën që e ka bërë të veten, ne duhet të tërheqim një vijë, t’i lëmë të vdekurit t’i qajnë të vdekurit, dhe ta lëmë urrejtjen dhe belatë e tyre të varrosen me ta.

Nëse dëshirojmë të jetojmë në paqe me bashkëkohësit, nuk mund të gërmojmë krejt pikat e hidhura të historisë sonë. Harrimi është një prej gjërave që krijon hapësirë për të gjallët, për të porsaardhurit të cilët nuk dëshirojnë të bartin mbi shpatulla peshën e hasmërive të vjetra. Sikurse e thotë edhe Hannah Arendt, harrimi ua mundëson brezave të ardhshëm aftësinë për të nisur përsëri gjithçka nga e para.

Ka edhe një tjetër anë të kujtesës sfiduese që paradoksalisht i mëshon fort vrazhdësisë së re. Në kohën tonë, në të vërtetë, komemoracionet e përsëritura të masakrave të së djeshmes janë të ngërthyera me konfuzionin dhe mospërfilljen kundrejt masakrave të së sotmes. Sa më shumë që merremi me viktimat e torturës të së djeshmes, aq më pak kujdesemi për ato të së sotmes.

Ka një mënyrë të “shenjtërimit të Holokaustit” (Arno J. Mayer), të shndërrimit të tij në një ngjarje që është e lidhur aq ngushtësisht me veten saqë ne nuk kemi fare konsideratë për viktimat e fatkeqësive të tjera. Ne mbërthehemi aq fort pas të vdekurve të Auschwitzit me sekretet e tyre tmerruese dhe nuk bëjmë hesap askënd tjetër.

Gardianë të së padurueshmes, asnjë ngjarje e sotme nuk na kënaq, asgjë nuk mund t’u afrohet përmasave të tmerrit që e kultivojmë për bukuri: luftërat e sotme, masakrat bashkëkohore, i shtyjmë anash me shuplakën e dorës. Kotësi na duken krahasuar me dramën e madhe, agjentë të së cilës jemi.

Një qasje e tillë, në vend se ta ngrejë aversionin tonë ndaj padrejtësisë, na kurthon në krahasim: cili duhet të jetë drejtimi që qartësia të shndërrohet në shkëputje? Andaj ekziston rreziku se komemoracioni ekskluziv i Auschwitzit do të për­bënte ndërhyrje të padenjë në hatatë e tashme.

Çfarë të mire kanë fjalët tona magjike antitotalitare, nëse do të përpiqeshim ta zhvendosnim Hitlerin ose Stalinin retro­spektivisht, në vend se të përballeshim me despotët e sotëm dhe sharlatanët gjakpirës, që sjellin shkatërrime në nivelet e tyre? A duhet të presim derisa kasaphana t’i mbërrijë dimen­sionet e Shoah para se ne të veprojmë?

Guximi i vërtetë nuk do të thotë të bëhesh hero që mbron faktin dhe denoncon nazizmin më 1995, por ta luftosh çnderimin pikërisht në kohën tonë. Më shumë është punë e hapjes së komemoracionit të Auschwitzit për të gjithë ata që u masakruan dhe u torturuan, me dobinë e mosshkrirjes së një krimi me një tjetër, por që ta pranojmë se ekzistojnë mani­festime të ndryshme të gjenocidit, që të gjitha janë krime, por që nuk sfidojnë karakterin e rrallë të Shoah, “asaj kryevepre të urrejtjes” (Vladimir Jankelevitch).

Me fjalë të tjera, dy gabime duhet të shmangen: 1) ideja se gjithçka është e barabartë, tendenca për ta lartësuar krimin më të vogël në majën e një shfarosjeje masive, pa e kuptuar se ka shkallë poshtërimi, se jo të gjithë vrasësit janë të njëjtë; dhe 2) diskreditimi i çfarëdo krimi tjetër për arsye se nuk është Holokaust dhe se nuk mund të krahasohet me standardin e artë të terrorit.

Nuk është zgjidhje ndërmjet kujtesës që mban gjallë antagonizmat shekullarë dhe të shkarjes së kujtesës, që shlyen tragjedi dhe fal torturuesit. Kujtesa e vetme e domosdoshme është ajo që mban gjallë thelbin e ligjit: është pedagogji e demokracisë, inteligjencë e indinjatës. Urdhri që u jepet atyre që janë lindur pas Shoah dhe Gulagut nuk është edhe aq i lidhur me peshën e kujtesës, por më fort që të sigurohet se këto krime, edhe në formën më të butë të mundshme, të mos përsëriten kurrë. Ky është borxhi ynë i madh që u kemi martirëve të shekullit; që ta parandalojmë përsëritjen e urrejtjes, pavarësisht se në çfarë dimensioni, forme ose fytyre që mund të ketë. Por, për ta arritur këtë, nuk mjafton vetëm kujtesa; kujtesa nuk është siguri. Që burrat në një çast të caktuar në historinë e tyre t’i rezistojnë vrazhdësisë duhet edhe njëfarë elementi i pamatshëm, një kthesë e madhe, një mrekulli që do t’i shpëtonte prej çnderimit dhe do t’i shtynte ata të thonë “jo”, që t’ia mbajnë anën të pambështeturit. Është kjo kthesë e madhe, vendim ky që absolutisht inauguron lirinë, me të cilën do të gjykohet një brez.

Komplote me shumicë

Duke mbrojtur ligjin e vitit 1993 që i detyron qytetarët grekë ta theksojnë religjionin e tyre në letërnjoftime, zëdhënësi i Sinodit të Shenjtë akuzon “lobin hebraik amerikan” se po përpiqet ta shkatërrojë unitetin kombëtar helen me kontestimin e këtij ligji (i cili është më shumë se i mirëseardhur për Kishën Ortodokse).

Kur filmi i tij Do the Right Thing për pak s’e fitoi Palmën e Artë në Cannes më 1990, regjisori afro-amerikan, Spike Lee, fajin e dështimit ia la racizmit të bardhë. Kreu i komisionit juridik dhe politik i GIA-s (Grupi i Armatosur Islamik), një prej lëvizjeve kryesore terroriste në Algjeri, Saif Allah Jaafar, shpjegon: “Ne i sulmojmë hebrenjtë, të krishterët, të pafetë, sepse ata janë ithtarë të komplotit kolonialist jofetar. Ata janë simbole të gjalla të pushtimit të Algjerisë, si dhe të vendeve të tjera islamike; në tokën e islamit, këta të huaj janë vetëm spiunë të pafe”.

Zviad Gamsakhurdia, presidenti i fundit i Gjeorgjisë, për rrëzimin e tij nga pushteti fajësoi një komplot transnacional që kontrollohej diku në Uashington, që po përpiqej ta shtrinte dorën sunduese anembanë botës: “Skenari i grushtshtetit të përhershëm në Gjeorgji tashmë është provuar më shumë se një herë në pjesët e tjera të botës… Krejt kjo na ndodhi për shkak se nuk deshëm të ishim subjekt i diktatit të shteteve perëndimore… dhe të bëheshim koloni. Vetëm një pushtet servil është i përshtatshëm për Perëndimin. Kjo është një prej arsyeve për grushtshtetin ushtarak që solli në pushtet figurën e Shevardnadzes, i cili është agjent i CIA-s, agjent i drejtpërdrejtë i imperializmit euro-amerikan”.

Leonard Jeffries, drejtor i Departamentit të Studimeve të Çështjeve të Lidhura me qytetarët afroamerikanë në Kolegjin e Qytetit të Universitetit Shtetëror të Nju-Jorkut, shpjegon skllavërinë prej së cilës vuajti populli i tij, me këto fjalë në majin e vitit 1991: “Hebrenjtë janë krerët kryesorë të tregtisë me skllevër, dhe ishin ata financuesit e saj. Ata janë krerët e një konspiracioni të planifikuar dhe të organizuar nga Hollivudi me qëllim të shkatërrimit të zezakëve”.

Më 2 gusht 1994, në kohën kur liria italiane kishte marrë teposhtën e madhe, ministri për Punë, Clemente Mastella, anëtar i Aleancës Kombëtare (të së djathtës ekstreme, fajësoi “lobin hebraik ndërkombëtar”, në të cilin dyshon se mund t’i duan neofashistët e rinj italianë. Prapë, gjatë verës së vitit 1994, revista e përdyjavshme islamike egjiptiane, El Chaab, denonconte Konferencën e OKB-së për Zhvillimin e Popullsinë, që do t’ua bënte qejfin në shtator përpjekjeve amerikane dhe evropiane për imponimin e “libertinizmit dhe abortit” dhe për “t’i shfarosur popujt e shtypur, përfshirë myslimanët, por ka nxitur gjakderdhje”.

Ivan Czurka, lider i së djathtës populiste dhe nacionalist i regjur, thekson ekzistimin e një komploti kozmopolitan “kundër ekonomisë hungareze”, si arsye pse mbështetësit ndërkombëtarë vazhdojnë t’u japin hise ish-komunistëve, të cilët ende kontro­llojnë një pjesë të aparatit të shtetit. Është çartur pse hebrenjtë kanë zënë disa prej pozitave të rëndësishme në nomenklaturën e vjetër.

Për Alexander Zinovievin, ish-disident që favorizon restau­rimin e komunizmit në Rusi, Perëndimi ishte aty për ta shkaktuar rënien e vendit të tij, duke paguar Yeltsinin dhe Gorbachevin për shkatërrimin e sovjetizmit dhe për ta shtypur Rusinë e Shenjtë. “Ata përfaqësojnë kolonën e pestë të Perëndimit, që i bleu ideologjikisht për t’i hequr qafe njëherë e përgjithmonë dhe bashkë me Rusinë”.

Tema e komplotit është garanci për shpjegimin e të gjitha ngjarjeve si jetësim i veprimit të forcave të mistershme. Por emërtimi i Satanit të Madh mund të funksionojë në dy mënyra: ose është formë e dorëzimit (çka ia vlen të luftohet kur një inteligjencë më e lartë po i komandon qëllimet skëterrë kundër nesh?), ose identifikon një kurban, një armik i cili duhet të shkatërrohet për ta rikthyer harmoninë e humbur (qysh vepron sot Serbia ose Algjeria). Nocioni i një konspi­racioni është i pakundërshtueshëm, meqë çdo argument kundër tij mund të përdoret si provë e pushtetit depërtues të korrupsionit të konspiratorëve. (Dhe, si thotë paranojaku, “është faji im pse gjithnjë kam të drejtë?”). Ideja e konspira­cionit injekton ata të cilët mendojnë se janë cak i tij kundër dhimbjes nga kritikat, nga kontestimi. Dhe pastaj, u ofron atyre ngushëllim suprem: i bën të ndihen se janë mjaftueshëm të rëndësishëm për dikë, diku mbi faqe të dheut, sa të përpiqet t’i shkatërrojë. Dhe konspiracioni më i keq është ai i indiferencës: Sa prej nesh do ta shpëtonim idenë se ne nuk japim mjaftueshëm dashuri ose urrejtje për të justifikuar të ligën më të vogël prej dikujt tjetër? /Revista “Akademia”/Telegrafi/