LAJMI I FUNDIT:

Kuvendit të Kosovës i kërkohet ta mbikëqyr qeverinë

Kuvendit të Kosovës i kërkohet ta mbikëqyr qeverinë

Kuvendi duhet të ketë rol aktiv në mbikëqyrjen e qeverisë dhe jo të abstenojë krejtësisht nga ushtrimi i rolit dhe detyrimeve të tij kushtetuese, thonë përfaqësuesit e disa organizatave joqeveritare në Prishtinë.

Në organizatën Demokraci Plus, thonë se përkundër që qeveria ka humbur besimin e Kuvendit, ajo mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë së re për të ushtruar të gjitha funksionet vitale të ekzekutivit.


Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, tha për Radion Evropa e Lirë, se një qeveri në detyrë, nuk duhet kuptuar si ndërprerje të kontaktit me Kuvendin dhe shkëputje të zinxhirit llogaridhënës.

“Kuvendi duhet të jetë mirë i informuar me veprimet e qeverisë dhe sidomos me masat të cilat po ndërmerren për të frenuar përhapjen e pandemisë COVID-19, por dhe lehtësirat tjera ekonomike që kanë për qëllim t’u dalin në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve të prekura”, tha Krasniqi.

Krasniqi thekson se Kuvendi i Kosovës duhet të themelojë një komision ad-hoc për të mbikëqyrë masat e ndërmarra nga qeveria gjatë kohës së pandemisë COVID-19. Ky komision thotë ai mund të mbulojë çështjet nga fusha e shëndetësisë, ekonomisë e financave, si dhe të drejtat e njeriut.

“Të mbahen takime të rregullta përmes platformave në internet ndërmjet qeverisë dhe parlamentit. Të shikohet mundësia e ndryshimit të legjislacionit që lejon mbajtjen e mbledhjeve me korrespodencë. Përkundër kësaj, komisionet parlamentare mund të mbajnë takime online me ministrat, me qëllim të marrjes së më shumë informatave, pasi në këto lloj të takimeve nuk kërkohet votim”, tha Krasniqi.

Edhe në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), thonë se Kuvendi i Kosovës ka pezulluar në masë të madhe punën që kur Qeveria ka ndërmarrë masa për parandalimin e shpërndarjes së pandemisë COVID -19.

Por, zyrtarë nga kabineti i kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, thanë se edhe përkundër pandemisë COVID-19, Kuvendi i Kosovës ka vazhduar të funksionojë me aq sa ka qenë e mundur të bëhet një gjë e tillë, pa e rrezikuar shëndetin publik.

Bekim Kupina, këshilltar për media i kryetares Osmani, tha se përgjatë kësaj periudhe, kryetarja e kuvendit ka takuar disa nga Kryetarët e Komisioneve Parlamentare, për të trajtuar çështjen e shpalljes së konkurseve të reja për të plotësuar vendet vakante në bordet e agjencive të pavarura, që bien në përgjegjësinë e Kuvendit, por siç thotë ai ka pasur edhe çështje të tjera që janë diskutuar.

“Njëkohësisht ajo ka kërkuar që komisioneve parlamentare t’u lejohen edhe takimet nga distanca. Dispozitat kushtetuese qëndrojnë të heshtura, kurse praktika parlamentare në Kosovë e kufizon Kuvendin që të ketë ndërveprim të rregullt me Qeverinë në detyrë. Për të bërë më tepër, duhet së pari të ekzistoj vullneti politik i grupeve parlamentare të përfaqësuara në Kuvend”, tha Kupina.

Kupina tha se kryetarja e kuvendit ka kërkuar që sa më parë të vihen në votim të gjitha ndryshimet ligjore që do të lejonin qeverinë që të vendosin edhe masa të tjera kufizuese, në mënyrë që të krijohet baza e nevojshme ligjore në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë  se rregullorja e punës së Kuvendit, nuk e njeh praktikën e mbajtjes së mbledhjeve me korrespodencë, por lejon zhvillimin e punimeve në ambiente jashtë selisë së Kuvendit, por që në këtë rast do të duhej të ishte një ambient që i plotëson kushtet sipas rekomandimeve të IKSHPK-së.

Haxhiu nga organizata që monitoron punën e Kuvendit të Kosovës tha se opsioni tjetër është që Kuvendi të marrë vendim për shmangie nga Rregullorja e Punës, ose të bëjnë amendamentimin e kësaj të fundit për t’i mundësuar Kuvendit zhvillimin e punimeve plenare dhe mbajtjen e mbledhjeve në distancë, pra në formë online.

“Pavarësisht faktit që Kuvendi dhe Qeveria në detyrë tashmë nuk mund të ndërveprojnë, kjo nuk i pengon komisionet që të zhvillojnë aktivitete mbikëqyrëse në teren brenda fushës së përgjegjësive të secilit prej komisioneve, në zbatimin e masave nga Qeveria dhe institucionet e tjera përgjegjëse dhe të japin rekomandimet e tyre që potencialisht do t’i ndihmonin institucionet e tjera në menaxhimin më të mirë të situatës”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se në këtë fazë tejet të ndjeshme në luftën kundër shpërndarjes së mëtutjeshme të virusit COVID-19, komisionet parlamentare mund të ndihmojnë institucionet e tjera që janë përgjegjëse për menaxhimin e situatës, duke ofruar ekspertizën e nevojshme në hartimin e planeve të veprimit në fusha të ndryshme, për tejkalimin e kësaj situate.

Këto veprime nënvizon ajo mund ta bëjnë edhe nëpërmjet nismave ligjore për ta përmirësuar legjislacionin aktual, aty ku është e nevojshme, për tu ndihmuar institucioneve në menaxhimin e situatës. /rel/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Përfundon takimi në Bruksel, Bislimi: Serbia kërkon që strukturat ilegale të financohen deri në krijimin e Asociacionit

Përfundon takimi në Bruksel, Bislimi: Serbia kërkon që strukturat ilegale të financohen deri në krijimin e Asociacionit

Lajme
Pas takimit me Bislimin në Bruksel, Petkoviq: Bisedime të vështira dhe të tensionuara

Pas takimit me Bislimin në Bruksel, Petkoviq: Bisedime të vështira dhe të tensionuara

Lajme
Avokatja: Me të thënë “je e bukur”, “je sharmante” – nuk është ngacmim seksual

Avokatja: Me të thënë “je e bukur”, “je sharmante” – nuk është ngacmim seksual

Drejtësi
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
Përplasje mes deputetëve të PDK-së dhe LVV-së për planin e ndërtimit të tunelit në rrugën Prizren - Tetovë

Përplasje mes deputetëve të PDK-së dhe LVV-së për planin e ndërtimit të tunelit në rrugën Prizren - Tetovë

Lajme
Kalo në kategori