LAJMI I FUNDIT:

“Kuvendi në bllokadë të re, opozita të jetë konstruktive për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”

“Kuvendi në bllokadë të re, opozita të jetë konstruktive për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”

Mungesa e kuorumit në seanca dhe mospjesëmarrja e deputetëve në votim, po bëhet një praktikë që po e përcjellë legjislaturën aktuale që nga fillimi i saj.

Për këtë shumë projektligje po mbesin pa u miratuar, duke e bartur votimin e tyre nga njëra seancë te tjetra, siç ndodhi edhe me projektligjet ndërkombëtare.


Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Kuvendi i Kosovës tanimë po gjendet në një situatë të re të bllokadës.

Murati tha se kjo bllokadë tregon se koalicioni qeverisës nuk i ka numrat e mjaftueshëm në Kuvend dhe inatet politike nuk po i lejojnë rrugë konsensusit politik mes subjekteve politike parlamentare.

“Kuvendi i Kosovës tanimë gjendet në një situatë të re të bllokadës, që ka dy faktor kryesorë: e para, kjo bllokadë shpërfaq edhe një herë realitetin se koalicioni qeverisës nuk i ka numrat e mjaftueshëm në Kuvend, dhe e dyta, inatet politika nuk po i lejojnë rrugë konsensusit politik mes subjekteve politike parlamentare. Subjektet opozitare, me theks LDK dhe VV, në pamundësi për të bërë numrat e mjaftueshëm për mocion mosbesimi ndaj qeverisë, janë duke shfrytëzuar mundësinë e tyre për të bllokuar Kuvendit”, ka thënë Murati.

Sipas tij, koalicioni qeverisës nuk duhet t’i marrë të mirëqena votat e opozitës, si dhe opozita duhet të jetë konstruktive kur ka të bëjë me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Murati tha se inatet politike dhe diskursi joadekuat është duke acaruar jetën parlamentare, e cila shkon në dëm të qytetarëve të vendit.

“ Normalisht, koalicioni qeverisës nuk duhet t’i marrë të mirëqena votat e opozitës, sepse ky nuk është koncepti i shumicës parlamentare në një parlament, por edhe opozita duhet të jetë konstruktive, sidomos kur vie puna te ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. Marrëveshjet ndërkombëtare janë obligim i të gjitha subjekteve, jo vetëm i koalicionit qeverisës, sepse dihet se duhen 80 vota pro për t’u ratifikuar këto marrëveshje. Gjithsesi, inatet e akumuluara politike por edhe diskursi joadekuat vetëm sa po acaron edhe më shumë jetën parlamentare, dhe kjo më së shumti dëmton qytetarët e vendit, sepse qytetarëve u konvenon më së paku të kemi një Kuvend jofunksional”, tha ndër të tjera Artan Murati.

Poashtu, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë për Telegrafin se mungesa e vazhdueshme e kuorumit ka bërë që kjo legjislaturë të jetë një ndër legjislaturat me të dështuara nga themelimi i Kuvendit të Kosovës.

“Kjo legjislaturë do mbahet mend për ndërtimin e praktikave të këqija, ku pothuajse në pafundësi të njëjtat pika të rendit të ditës disa here përsëritën në seanca të ndryshme të Kuvendit, duke ndikuar që procese të rëndësishme politike në Kosovë të prolongohen”, tha Miftaraj.

Ndërkaq, në seancën e së premtes nuk u votua  projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2017, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Për këtë pati reagim edhe nga ministrja e Integrimeve Evropian, Dhurata Hoxha e cila ka shprehur shqetësimin e thellë për mosmiratimin e tri projektligjeve, duke ftuar grupet parlamentare për unitet dhe votim të tyre, të hënën.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës të hënën më datë 30 korrik do të mbajë vazhdimin e seancës plenare e cila u ndërpre të premten për shkak të vdekjes së veprimtarit Adem Demaçi. /Telegrafi/