Për pesë muajt e parë të këtij viti Kuvendi i Kosovës ka mbajtur vetëm 11 seanca plenare. Mos mbajtja e rregullt e seancave plenare ka bërë që të grumbullohen më shumë se 60 pika të rendit të ditës, ku ka pika që kanë mbetur pa u votuar që nga janari.

Kuvendi nuk është treguar funksional edhe sa i përket përmbushjes së agjendës legjislative, ku nga 134 ligje sa kanë qenë në këtë agjendë, vetëm 25 kanë arritur të shqyrtohen dhe të miratohen. Në pritje për shqyrtim janë 68 projektligje, ndërsa 41 projektligje janë në procedurë nëpër Komisionet Parlamentare.

Punën e Kuvendit e kritikojnë edhe vet deputetët, të cilët thonë se Kuvendi është jo efektiv dhe se nuk po përmbushë misionin që e ka. Kritika kanë edhe organizatat joqeveritare që e monitorojnë punën e Kuvendit.

Partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, thonë se fajtori kryesor për mos funksionimin normal të Kuvendit është vet kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, thotë se Kuvendi është në një kaos dhe se fajtori për këtë është kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, që sipas saj, nuk e sheh si prioritet punën për të udhëhequr me Kuvendin.

Ajo thotë se Qeveria aktuale është e pakicës dhe se nuk i ka numrat e mjaftueshëm për ta udhëhequr vendin.

“Është e vërtetë se Kuvendi është në një kaos të paparë ndonjëherë dhe kjo së pari për shkak të një papërgjegjësie të kryetarit të Kuvendit, ku fare nuk e sheh prioritet punën si kryetar i Kuvendit. Tenton që të duket herë si kryeministër e herë si president, por që asnjëherë nuk e kryen punën me përgjegjësi si kryetar i Kuvendit. Edhe qasja e tij me Kuvendin, me seancat do të thotë është parë ndër vite që ka qenë komplet e dështuar, prandaj me këtë kryetar Kuvendi ne nuk mund të presim një orientim dhe një rregull në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Pastaj, pa dyshim që është kjo situatë për faktin se kemi një Qeveri të pakicës që mezi, madje goxha moti nuk kanë arritur që t’i kenë 61 deputetë të koalicionit në Kuvend, nganjëherë këta ndihmohen me disa të ikur nga Lëvizja Vetëvendosje që i përdorin apo i keqpërdorin për të kaluar projektligje të cilat këta i kanë në interes”, shprehet a jo.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, edhe për deputeten e LDK-së Vjosa Osmani, është fajtor pse Kuvendi nuk është duke mbajtur seanca të rregullta.

Ajo thotë se në këtë legjislaturë Kuvendi është joefektiv për shkak se asnjëherë nuk është arritur që të organizohet një seancë siç duhet.

“Kurrë në historinë e këtij legjislativi pas luftës Kuvendi nuk ka qenë më i pakoordinuar, rrjedhimisht edhe më joefektiv. Siç e keni parë ende ka pika në agjendë nga janari që nuk janë votuar dhe kemi raste kur Kuvendi nuk ftohet të mblidhet për një muaj apo dy, e pastaj të gjitha vendosen në një ditë të vetme për t’u përfunduar. Pra, nuk ka strategjizim siç duket, nuk ka po ashtu përgatitje në mënyrë që mbledhjet të mbahen në mënyrë të rregullt që seancat të përfundojnë dhe jo të gjitha të lihen pas disa muajsh dhe të mbahen seanca pas orës 2 ose 3 të mëngjesit. Nuk kemi pasur deri tani në këto dy vite një Kuvend i cili ka qenë efektiv, kryesisht për shkak të mospërgatitjes po edhe papërgjegjësisë së kryetarit të Kuvendit, i cili në asnjë mënyrë nuk ka arritur që të organizojë seancat në një mënyrë që Kuvendi në mënyrë efektive ta përfundonte punën e vet”, deklaron ajo.

Një arsye tjetër pse Kuvendi ka mbajtur një numër të vogël të seancave plenare e jep deputetja e AAK-së Donika Kadaj, e cila thotë se varësisht nga dinamika mbahen edhe seancat, e që sipas saj, ndonjëherë mbahen edhe tri ose katër seanca brenda javës.

“Dihet që ne kemi në Parlament një shumicë të konsoliduar, janë një numër i deputetëve të cilët shpesh edhe udhëtojnë dhe janë në takime të tjera dhe jo çdo herë janë në sallë të Kuvendit. Prandaj, kur kemi seanca përpiqemi që me kohë t’i mbledhim të gjithë deputetët të pushtetit dhe të funksionojmë mirëfilli”, deklaron ajo.

Edhe shoqëria civile ka kritika për punën e Kuvendit të Kosovës.

Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se Kuvendi nuk ka funksionuar mirë gjatë kësaj kohe, derisa tregon se organizimi i punës dhe mungesa e kuorumit janë dy nga shkaktarët e kësaj.

“Shkaktarët janë të shumtë, mirëpo disa janë prej kryesorëve, e para ka të bëjë me organizimin e punës në Kuvend dhe këtu është përgjegjësi direkte e kryesisë së Kuvendit dhe e kryetarit të Kuvendit që të jenë më të kujdesshëm dhe të bëjnë një organizim më të mirë të punës së Kuvendi, sepse kjo po ndikon pastaj edhe tek mbarëvajtja e seancave, po edhe e komisioneve Parlamentare. Problemi tjetër qëndron edhe tek mungesa e kuorumit, ne e dimë që tash e sa kohë Kuvendi është duke funksionuar pa shumicë parlamentare ose koalicioni qeverisës më saktësisht. Kjo normal që ka ndikuar edhe tek mënyra se si po zhvillohen seancat, kemi parë që edhe kur ka pasur seanca qoftë plenare apo të jashtëzakonshme ka qenë pothuajse e pamundur që të votohen pikat e rendit të ditës vetëm janë diskutuar me një numër shumë të vogël të deputetëve, pasi që vazhdon avazi i deputetëve dhe mos serioziteti i tyre për punën dhe mandatin që e kanë marrë nga qytetarët”, potencon ai.

Murati potencon se edhe aktiviteti monitorues i komisioneve Parlamentare për monitorimin e zbatimit të ligjit nuk ka pasur ndonjë hap konkret në këtë aspekt.

Ndërkaq, sa i përket punës së komisioneve të Kuvendit, Murati thotë se pavarësisht që e kryejnë punën siç duhet, shumica e çështjeve mbeten të bllokuara në seancë plenare dhe nuk marrin verdikt. /kp/Telegrafi/