LAJMI I FUNDIT:

Kushtetuesja refuzon ankesën e Lushtakut, Gjukës, Hoxhës dhe të tjerëve

Kushtetuesja refuzon ankesën e Lushtakut, Gjukës, Hoxhës dhe të tjerëve

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të papranueshme ankesën e dërguar nga të akuzuarit e një rasti që ka të bëjë me një tender në KEK.

Të akuzuarit e këtij procesi që në këtë rast janë Arben Gjukaj, Driton Pruthi, Milazim Lushtaku, Esat Tahiri, Azem Duraku e Sami Lushtaku janë ankuar në kushtetuese rreth një aktvendimi të Gjykatës Supreme të 26 nëntorit të vitit të kaluar duke pretenduar se ky vendim ka shkelur të drejtat e tyre dhe kishin kërkuar nga kushtetuesja që të vendosë masë të përkohshme duke e ndaluar procedimin e rastit në Gjykatën Themelore të Prishtinës.


Por Gjykata Kushtetuese konsideron se parashtruesit e kërkesës nuk kanë arritur të provojnë se Gjykata Supreme u ka shkelur të drejtat dhe liritë e tyre kushtetuese.

“Gjykata thekson se, si rregull i përgjithshëm, interpretimi i ligjit është ekskluzivisht çështje për gjykatat e rregullta, të gjeturat dhe konkluzionet e të cilave në këtë drejtim janë detyruese për Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, kur vendimi i gjykatës së rregullt është qartazi arbitrar, Gjykata mund dhe duhet ta shqyrtoje atë”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata gjithashtu konstaton se mospajtimi i parashtruesve të kërkesës me rezultatin e rasti nuk mund të ju shërbejë atyre si e dreth për të pretenduar se u janë shkelur e drejta e lirisë dhe sigurisë dhe të drejtat e tjera të garantuara me kushtetutë.

Duke u thirrur në gjetjet e mësipërme, gjykata e refuzoi kërkesën e parashtruesve si qartazi të papranueshme.

“Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesve nuk i plotëson kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe te parapara më tej në Ligj dhe të specifikuara në Rregullore te punës. Rrjedhimisht, kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe, në pajtim me rregullin 36 (1) (d) dhe (2) (b) dhe Cd) të Rregullores se punës, ajo është e papranueshme”, thuhet në vendim.

Në këtë rast gjyqësor Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku akuzohen për veprën penale mashtrim, ish- drejtori i prokurimit, Driton Pruthi; drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj; ish-kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha akuzohen për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, ndërsa kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Azem Duraku akuzohet për nxitje në keqpërdorim.

Hetimet lidhur me këtë rast kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërsa aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015. /KALLXO.com/