LAJMI I FUNDIT:

Kushaj nga Këshilli Grevist: Po presim deri më 5 tetor për ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit

Kushaj nga Këshilli Grevist: Po presim deri më 5 tetor për ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit

Anëtari i Këshillit Grevist të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK), Reshit Kushaj tha për Telegrafin se janë duke pritur deri më 5 tetor që pagat të dalin për mësimdhënësit.

Kushaj tha se lidhur me këtë nuk kanë çfarë të thonë më shumë.


“Nuk kemi çfarë të deklarojë më më shumë nga ana jonë, unë vetëm mund të them që ne jemi duke e pritur datën pesë tetor që të dalin pagat për mësimdhënësit”, tha shkurt Kushaj.

Ndryshe, lidhur me këtë sot ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci është deklaruar lidhur me çështjen e pagave për mësimdhënësit, të cilëve ende nuk u janë ekzekutuar.

Ministrja ka theksuar se kompensim do të ketë, por për punën e bërë.

Nagavci ka shkruar se për këtë çështje kanë diskutuar edhe me kryesinë e SBASHK-ut, se a do t’i kompensojë sindikata pagat e mësuesve ashtu siç ndodhë në shumicën e vendeve tjera dhe meqë ligji ndalon kompensimin për punën e pakryer.

“Asnjë vëmendje e kujdes në këtë drejtim, përkundrazi një muaj grevë, shumë dëme për fëmijët, asnjë kujdes nga punëdhënësit, shumë zhurmë nga ata që kanë përgjegjësi për gjendjen në të cilën ndodhet arsimi. Ligji duhet të respektohet në tërësi, ne kemi premtuar për këtë dhe premtimet tona i mbajmë. Kemi marrë mandatin për të hartuar politikat e për t’i realizuar ato dhe s’do të ndalemi”, ka shkruar Nagavci. /Telegrafi/