LAJMI I FUNDIT:

Kush e kalli…?

Kush e kalli…?

Kënga, “Kalle, kalle, qitja timin” është e njohur në vend dhe në krejt diasporën shqiptare. Pa të nuk ka dasmë. Por, ajo, nuk ishte e përfshirë në “Sunny Hill”. Por, e kalli, edhe timin ja qiti. Tash ishte apo nuk ishte cigare, kjo ende nuk është e qartë nga deklaratat zyrtare. Substancë e dyshimtë ishte, zyrtarisht!

Sidoqoftë, kjo është pyetja më e përfolur këtyre ditëve, post “Sunny Hill”. Performanca e yjeve tjera botërore, mbeti nën hije! Kjo pyetje i mundon gjithë ata që shqetësohen për ligjin në këtë vend dhe për reputacionin e shkëlqyer që e ka ndërtuar ky shtet në botë, i cili qysh e dini, njihet si një vend ku ka ligj, ka rregull, ka polici dhe sistem të drejtësisë të pakorruptuar dhe shumë efektiv, të cilët e zbatojnë ligjin me përpikëri dhe me ndjenjë të lartë të përgjegjësisë qytetare e kombëtare. Ishte kjo një fjali e gjatë, por ia vlen se është vështirë me i përmbledh të gjitha në një fjali të thjeshtë. Nejse, kjo çështja e ndërgjegjes kombëtare është paksa e mjegulluar, por për ndërgjegjen qytetare, nuk ka dilema.


Nuk po bëj humor. Dilema vërtetë ekziston . Nuk po dihet ishte apo nuk ishte “joint”?! Kamerat e kanë filmuar ngjarjen e cila ka shkuar tashmë në “Google” dhe nuk e ndal askush. As ajo thënia e famshme, e tradicionale në Kosovë: “Ndaleni Reuters-in” nuk bën punë. Me një fjalë dilema u bë ndërkombëtare.

Kur jemi te “fajtori”, ai është një këngëtar, kuzhinier dhe çka është më e sigurta, një gurman me mbi një kuintal peshë, i vizatuar gjithkah; një komunikues i suksesshëm, në përgjithësi një person i famshëm edhe në SHBA e sidomos ndër ne. Si raportuan mediat, në ekstazë e sipër ai e ndezi një “joint” në skenën e “Sunny Hill” në Prishtinë. Vetëm pak minuta pas, atë e arrestoi Policia e Kosovës dhe e dërgoi në mbajtje, duke nxitur kështu shumë spekulime. Asnjëherë më parë nuk është përdorur më shumë në Kosovë kjo substancë “e dyshimtë”. Kësaj i ka kontribuar me të madhe edhe vet “çështja jonë kombëtare”, ku shumë të rinj dhe të varur verën e shfrytëzojnë për të veruar dhe për t’u furnizuar, për dimrat e gjatë dhe monoton kosovar. Pra, nuk ka befasi, Policia i di dhe i kontrollon rrjedhat e substancave; ajo kujdeset për sigurinë tonë.

E, kjo “cigare” i zuri në befasi. Kah erdhi? Ku e ka blerë? Ishte produkt kombëtar apo ndërkombëtar? Pra, me rëndësi është ku është mbjell, rritur dhe këputur “bari” e jo ku po mbështillet apo ku po ndizet. Pra, origjina! Pastaj, në fund të fundit, përse duhet bërë të madhe kur ndizet në skenë një “joint” nga një i famshëm, kur kjo do të bëjë të famshëm edhe festivalin i cili edhe është konceptuar të jetë ndërkombëtar. Kjo e bën të famshme edhe Kosovën, të cilën sidomos rinia ndërkombëtare, e madje edhe ajo kombëtare e shpërndarë globit e ka harrur, dhe vështirë gjejnë motiv për ta vizituar.

Ja pra motivi: pas Holandës ia vlen të vish në Kosovë, edhe pse për politikën çdo lëvizje në relacionin Holandë-Kosovë mund të jetë e dyshimtë dhe shqetësuese. Por, me këtë arrestim edhe ne po futemi jo vetëm në dilemën e madhe globale pro at contra marihuanës, por edhe në rreshtimet gjeostrategjike se ku prodhohen “cigaret” më të mira.

Përvoja jonë me ligjin, sado që duket e re – sepse edhe shteti ynë është adoleshent – megjithatë është e moçme. Edhe “i moçmi”, personazhi ynë anonim, lidhur me këtë ka thanë fjalën e vet: “Ligji, që ta dini ju, është sikur një gardh me thupra! Të fortit e të pasurit e kërcejnë. Ata që janë të shkathtë përbirohen nëpër të, ndërsa fukaranë dhe të dobëtit i ndalë”! Tash, mendojeni vet çka ka dashtë me thënë i moçmi, lidhur me këtë rast!

Ndokush mund të thotë: ani çka se u lirua i famshmi? Ani çka se ndezi në skenë diçka që ngjante me marihuanë? Ani çka se nuk ishte marihuanë? Ani çka edhe po të ishte marihuanë? Me rëndësi të flitet për ne. Kot, argumentet që nuk ndezin debat. Argumenti kryesor publik që vërteton se “cigarja” nuk ishte substancë e ndaluar, ishte se “ ajo” kishte kaluar kufirin e Kosovës dhe nuk ishte konfiskuar nga Policia. Kaq e sigurt është policia jonë kufitare.

Kaq sa për (pa)fajësinë. Po mesazhi? Pavarësisht si ka qenë e vërteta, me mijëra të rinj e morën mesazhin se personalitetet e famshme mund të bëjnë çfarë të duan para kamerave. Kjo krijon publicitet. Kjo frymëzon edhe për veprime prapa kamerave…!

“Po bajka, po bajka”, do të këndonte këngëtarja jonë më pak e famshme, e cila nuk u ftua në “Sunny hill”.

Dikush qëllimkeq, i cili nuk e do publicitetin për Kosovën, do të thotë se nuk na duhet “joint” për t’u bërë të famshëm. Kemi ne politikën, të njohur globalisht për të (pa)bëmat e tyre. Sido që të jetë, kënga e jonë e famshme “Kallma cigaren, paja çka t’kallxoj…” ka shumë gjasë se do të modifikohet pas këtij festivali…!

Me këtë arrestim Policia zhvendosi vëmendjen. Dua mbeti nën hije. “Kur paraqitet polici, shenjat e komunikacionit bien. Në rrugë polici e bënë ligjin”, kështu më thoshte dikur një instruktor vozitjeje.

Po në skenë, kush e bënë ligjin?

Pra, po dihet. Kush e kalli, po dihet. Pyetja e këtij festivali ishte: “Pse…”?