LAJMI I FUNDIT:

Kurti: TIK-u është një nga sektorët e paktë ku kemi bilanc pozitiv tregtar

Kurti: TIK-u është një nga sektorët e paktë ku kemi bilanc pozitiv tregtar

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit në Kosovë ka potencial të madh.

Ai ka bërë të ditur se këtë muaj do të arrijnë mbulimin e plotë të zonave të banuara me infrastrukturë të internetit broadband.


Këto deklarime Kurti i ka bërë të premten, në inaugurimin e Shkollës Kombëtare të Kërkimit në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit në Kosovë.

“Me një industri dhe komunitet të gjallë, TIK-u është një nga sektorët e paktë ku kemi një bilanc pozitiv tregtar. Pra, nuk është befasi që procesi i vazhdueshëm i vlerësimit të Strategjisë së Specializimit të Zgjuar e ka identifikuar tashmë TIK-un si një nga pesë sektorët prioritarë në ekonominë tonë që kanë potencialin më të lartë për rritje dhe inovacion’’, është shprehur kreu i ekzekutivit.

Ai tutje ka thënë se në bashkëpunim me qeverinë gjermane, Qeveria e Kosovës vazhdon të investojë në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren – si një nga platformat kyçe brenda ekosistemit tonë kombëtar të inovacionit.

Kurti po ashtu ka deklaruar se së shpejti do të inaugurohet Parku i Teknologjisë Dixhitale në Bërnicë, që “patjetër ofron edhe një platformë që do të sigurojë infrastrukturën për zhvillimin dhe rritjen e industrisë së TIK-ut”.

Shkolla Kombëtare e Kërkimeve, sipas kryeministrit, është një bllok i rëndësishëm ndërtimi i progresit që synojnë të krijojnë dhe se programi do të ndihmojë në zhvillimin e ideve inovative që kanë potencial për të krijuar produkte, biznese dhe vende pune të reja dhe për këtë arsye siç ka thënë ai, do ta udhëheqin Kosovën drejt hapave transformues. /Telegrafi/