Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes njëherazi kandidat për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti ka thënë se me programin e VV-së, për shëndetësi do të ketë zemër më të fortë, fëmijët do të jenë më të sigurt dhe siç ka shkruar ai do të ketë institucione më dinjitoze.

Në një shkrim të bërë në profilin e tij në Facebook, Kurti ka treguar për doktoreshën Suzana Vllasaliu-Muriqi, e cila është anëtare e VV-së dhe vullnetin që ajo ka për të përmirësuar gjendjen e shëndetësisë në Kosovë, transmeton Telegrafi.

Kurti ka shkruar se doktoresha Vllasaliu-Muriqi me përvojë pune e me specializime në spitale publike e private, brenda e jashtë vendit, është gruaja e parë Kardioanesteziologe në Kosovë (2010-2018).

Shkrimi i plotë:

“Doktoreshë Suzana Vllasaliu – Muriqi, me përvojë pune e me specializime në spitale publike e private, brenda e jashtë vendit, është gruaja e parë Kardioanesteziologe në Kosovë (2010-2018). E kthyer në Kosovë pas çlirimit, doktoresha gjithmonë ka studiuar në lëmi të mjekësisë për të cilat ka patur nevojë Kosova. Nënë e dy fëmijëve të vegjël, familja dhe puna nuk janë bërë kurrë pengesë të njëra-tjetrës për Suzanën. Ajo ka vullnet të pashtershëm për punë e angazhim në Kosovë dhe brengë të madhe për gjendjen e rëndë të shëndetësisë në vend. Në një kohë kur fëmijët tanë enden rrugëve të Evropës për intervenime në zemër e kur këto ndërhyrje bëhen në QKUK vetëm me ndihmën e ekipeve të huaja humanitare, Suzana aktualisht po ndjek studimet Master në Universitetin e Pizës në Itali për Kardiokirurgji pediatrike.

Me Suzanën dhe programin e Lëvizjes për shëndetësinë e kemi zemrën më të fortë, fëmijët më të sigurt dhe institucionet më dinjitoze”./Telegrafi/