LAJMI I FUNDIT:

Kurti: Kemi informacion se Serbia po kontrabandon armë me autoambulanca, do të takohem me përfaqësuesit e NATO-s

Kurti: Kemi informacion se Serbia po kontrabandon armë me autoambulanca, do të takohem me përfaqësuesit e NATO-s

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konfirmoi të mërkurën se kanë marrë informacion se Serbia po kontrabandon armë përmes autoambulancave.

Në një konferencë për media, Kurti tha se për këtë çështje gjatë ditës do të takohet me komandantin e KFOR-it si dhe përfaqësuesit e NATO-s, transmeton Telegrafi.


“Kemi informacion se veturat e ambulancave janë përdorur për të bartur armatim. Unë sot do ta kem një takim me përfaqësuesit e NATO-s për këtë gjë. Do ta takoj edhe komandantin e KFOR-it. Dhe pas këtyre takimeve edhe me organet tona të sigurisë, do të mund ta japim fjalën përfundimtare.

Deputetja britanike tha se Serbia po kontrabandon armë përmes autoambulancave, KFOR: Nuk ka asnjë dëshmi për këtë
Lexo po ashtu Deputetja britanike tha se Serbia po kontrabandon armë përmes autoambulancave, KFOR: Nuk ka asnjë dëshmi për këtë

Jemi duke grumbulluar të dhëna dhe informacione. Nuk është mirë që unë të jap informacion për informacionin ende të paplotësuar, por brenda kësaj jave duhet të dihet kjo çështje. Andaj, sot kam një takim ku do të shtrohet kjo temë”, u shpreh kreu i ekzekutivit.

Sa i përket situatës në veri, Kurti tha se Kosova ka treguar përkushtim maksimal për de-eskalim.

Ndryshe, deputetja në Parlamentin britanik, Alicia Kearns, një ditë më parë ka ngritur alarmin për kontrabandën e armëve nga Serbia në Kosovë.

Kearns ka deklaruar se Serbia po kontrabandon armë përmes autoambulancave dhe të njëjta po dërgohen në kishat ortodokse.

Ajo ka thënë se për këtë është në dijeni edhe KFOR-i.

“Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët [regjiment ushtarak britanik] që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona janë vënë në dijeni për këtë dhe janë përpjekur të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, procesi i lejes zgjati shumë. Në momentin kur kishte leje– ndodhi e papritura– një ambulancë veçse kishte shkuar në kishë dhe i kishte nxjerrë jashtë përsëri të gjitha armët”, ka thënë Kearns.

Lidhur me këto pretendime të deputetes Kearns, Telegrafi ka pyetur KFOR-in për të marrë një qëndrim rreth kësaj çështje.

Përmes një përgjigje me shkrim, KFOR-i ka theksuar se nuk ka asnjë provë për atë që është raportuar, dhe se deputetja i referohet ngjarjes së vitit 2022, kur Batalioni Mbretëror Fusilier (regjiment ushtarak britanik), u punësua në Kosovë.

“Ngjarja e përmendur nga deputetja britanike i referohet vitit 2022 kur Batalioni Mbretëror Fusilier u punësua në veri të Kosovës në mbështetje të misionit të KFOR-it. Prezenca e supozuar e armëve ilegale është raportuar në Shtabin e KFOR-it, por pas hetimeve të mëtejshme për të gjetur konfirmimin e kësaj, nuk ka dalë asnjë provë për atë që është raportuar”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për Telegrafin.

KFOR-i më tej shton se nuk ka asnjë dëshmi lidhur me kontrabandën e supozuar nga deputetja Kearns.

“Nuk ka asnjë dëshmi në lidhje me kontrabandën e supozuar të kryer përmes vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kishat ortodokse me autoambulanca”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre.

KFOR-i ka thënë se për një informim të plotë, ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit, që është nën përgjegjësinë e Organizatave të Sigurisë së Kosovës. /Telegrafi/