LAJMI I FUNDIT:

Kurti për situatën në veri: S’kam marrë ultimatum – gjërat nuk zgjidhen me trysni

Kurti për situatën në veri: S’kam marrë ultimatum – gjërat nuk zgjidhen me trysni

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se de-eskalimi i situatës në veri nuk mund të zgjidhet me trysni dhe përmendje pasojash. Ai pranoi se ka sfida në diskutimet me emisarët Lajçak dhe Escobar por u shpreh i bindur se do të mund t’i sqarojnë të gjitha paqartësitë, derisa shtoi se s’ka marrë asnjë ultimatum nga ata për zgjidhjen e situatës në veri.

Kurti, pasi mori pjesë në një aktivitet të xhudos në Mitrovicë, para mediave tha se u ka ofruar përfaqësuesit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe emisarit të ShBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar mënyrën e sigurt se si të ketë një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës.


Ai tha se është pro mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në veri, por me kushtin që fillimisht të ketë sundim të ligjit në atje dhe pastaj që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike.

“Nuk kam marrë kurrfarë ultimatumi, ne u takuam bashkëbiseduam me emisarët evropian dhe amerikan për dy orë. Unë kam ofruar mënyrën e sigurt se si të kemi një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës e shkaktuar nga strukturat ilegale. E para është sundimi i ligjit, kemi me dhjetëra ushtarë të NATO-s, policë të Kosovës dhe gazetarë që ishin viktima të një egërsie të paparë të ekstremistëve të dhunshëm dhe të grupeve kriminale…E dyta, që në përputhje me largimin e këtyre grupeve dhe përfundimin e të gjitha trazirave të dhunshme të kemi zvogëlim të pranisë në ndërtesat komunale në tri komunat në veri dhe më pastaj do të mund të angazhoheshim në një proces fer, demokratik zgjedhor për zgjedhje të parakohshme, pasi jemi të vetëdijshëm se dalja ka qenë e ulët. Pra, po zgjedhje të reja, po zgjedhje të parakohshme, por pas sundimit të ligjit dhe përgatitjes së terrenit. Përgatitja e terrenit nënkupton se nuk mund të jenë zgjedhjet vetëm pa incidente zgjedhje tamam, por duhet të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike në njërën anë dhe anën tjetër një fushatë parazgjedhore që është e lirë dhe demokratike”, tha ai.

Kurti insistoi se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian e ShBA-së janë të shkëlqyera.

Ai shtoi se kur vijnë për diskutime emisarët evropian dhe amerikan në Kosovë janë në cilësi të ndërmjetësuesit të dialogut dhe aty nuk është në pyetje BE-ja dhe ShBA-ja, por raporti i Kosovës me Serbinë.

“Nuk mendoj se këto gjëra zgjidhen me trysni dhe me përmendje pasojash dhe ndoshta edhe sanksionesh të shtetit më demokratik dhe më progresist në Ballkanin Perëndimor. Unë jam i bindur se do të mund t’i sqarojmë paqartësitë. Kemi sfida me emisarët edhe evropian dhe amerikan, por marrëdhëniet tona bilaterale me BE-në dhe ShBA-në janë të shkëlqyeshme. Kur vjen emisari evropian apo amerikan si ndërmjetësues atëherë këtu nuk është në pyetje Evropa apo Amerika, por është në pyetje raporti ynë me Serbinë, natyrisht kjo nuk është e njëjta gjë tani.

Duhet të dalloni kërkesën që na bën Shtetet e Bashkuara të Amerikës, p.sh. për t’i pranuar refugjatët nga Afganistani, 1893 i kemi pranuar të gjithë, menjëherë të gatshëm, 410 prej tyre ende janë në Kosovë. Kur ShBA-ja në kuadër të marrëdhënieve tona bilaterale kërkon diçka prej neve ne nuk kemi dilema të themi po. Por kur emisari amerikan kërkon diçka në raportin tonë me Serbinë ne duhet të mendojmë mirë dhe të jemi të vëmendshëm dhe kujdesshëm”, tha ai.

Sipas Kurtit, në këtë situatë është vendi për shkak të braktisjes së Listës Serbe të institucioneve. Ai tha se bashkësia ndërkombëtare nuk ka arritur të garantojë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e 23 prill, ani pse i kishin premtuar atij pas nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit.

“Në këtë situatë jemi meqenëse Lista Serbe i braktisi institucionet me 5 nëntor dhe jo vetëm kaq, bojkotoi procesin zgjedhor dhe bëri thirrje që të bojkotohet procesi zgjedhor. Jo vetëm kaq, në ditën e heshtjes zgjedhore shkuan në Bajtanicë në ushtrimet ushtarake në vendin ku janë eksponuar 742 kufoma shqiptare dhe ku s’ka as pllakë përkujtimore. Natyrisht ne jemi të zhgënjyer që faktorët ndërkombëtar nuk kanë arritur të garantojnë pjesëmarrjen e serbëve siç na kanë premtuar neve.

Me datën 16 mars ka skaduar afati për regjistrimin e partive politike për 4 komunat në veri. Presidentja e Republikës Vjosa Osmani, afatin e 16 marsit e ka zgjeruar deri 21 mars, pra e ka shtyrë për pesë ditë për me i kriju kohë shtesë partive serbëve. Mua më thoshin se porsa të bëhet marrëveshja e Ohrit serbët marrin pjesë, e bëmë marrëveshjen e Ohrit me 18 mars, kaloi afati me 21 mars dhe përsëri ata bojkot dhe vetëm bojkot. Krejt çka kemi mundur kemi bërë. S’kemi pas qare pa i bërë betimet dhe hyrjen e kryetarëve tonë në ndërtesat e komunave, pasi 28 maji ka qenë afati i fundit ligjor. Nuk janë këto vendime taktike të Qeverisë, përkundrazi janë obligime tona ligjore që ne i kemi respektuar në përpikëri”, tha ai.

Në anën tjetër, Kurti tha se Qeveria e Kosovës ende s’ka asnjë draft të shkruar për statutin e Asociacionit, ani pse emisari i ShBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, tha se ekzekutivi e ka të gatshëm draftin për Asociacionin por po e mban të fshehur.

“Draft-statut të Asociacionit, Qeveria e Kosovës s’ka shkruar. Qeveria ka shprehur gatishmërinë për një draft-statut për thellimin e mëtutjeshëm të draft-vizionit qysh në Ohër më 18 mars kur u refuzua një gjë e tillë. Gjithashtu e kemi shprehur në vazhdimësi gatishmërinë tonë kur të pajtohemi për parimet. Pasi nuk ka kuptim një tekst gjerë e gjatë nëse parimet bazë nuk janë të dakoorduara. Me ShBA-në kemi pajtueshmëri të plot sa i përket parimeve bazë dhe këtë ambasadori amerikan, Hovenier e ka thënë. Kur unë kam deklaruar në Ohër se e shkruaj draft-statutin me shtyllat siç janë qëndrimi evropian, letra e Mogerinit, qëndrimi amerikan i shprehur në tekstin e Chollet dhe Escobar dhe po ashtu kushtetutshmëria e vendit tonë, përfshirë edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ambasadori amerikan ka thënë gjithçka në rregull”, theksoi Kurti.

Gjatë kësaj jave në Kosovë qëndruan përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe emisari i Ballkanit Perëndimor, Gabriel Escobar, të cilët paraqitën tri kërkesa për Kosovën, deeskalimi i situatës në veri, organizimi i zgjedhjeve të reja në komunat veriore sa më shpejtë dhe rikthimi në dialog./KP/

Në trend Lajme

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Lajme

"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit

Lajme
“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

Drejtësi
Për herë të parë sot mbahet seanca në objektin e Komunës së Zubin Potokut

Për herë të parë sot mbahet seanca në objektin e Komunës së Zubin Potokut

Lajme
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kalo në kategori