Kurti: Dhuna seksuale u përdor si mjet lufte nga Serbia në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, të organizuar me rastin e Ditës Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale të Luftës “Ma kthe dritën”, se dhuna seksuale është përdorur në mënyrë sistematike nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.
Kurti tha se institucionet e Kosovës nuk do të lejojnë që sakrifica dhe vuajtjet e të mbijetuarve të shpërfillen, duke theksuar se kërkimi i drejtësisë do të vazhdojë pa ndërprerje.
“Dhuna seksuale është përdorur në mënyrë sistematike nga Serbia si mjet lufte në Kosovë gjatë viteve 1998–1999”, u shpreh Kurti.
Ai kujtoi se pas më shumë se dy dekadash pandëshkueshmërie, në korrik të vitit 2021 është shënuar një hap i rëndësishëm drejt drejtësisë me dënimin e parë për këtë kategori krimesh, duke përmendur rastin e Zoran Vukotiq, i dënuar për dhunë seksuale ndaj një gruaje shqiptare në Vushtrri.
Sipas tij, vitet e fundit është shënuar rritje e numrit të gjykimeve dhe dënimeve për krime lufte, të cilat nuk parashkruhen dhe nuk falen, ndërsa ndryshimet në Kodin Penal kanë mundësuar edhe gjykimet në mungesë. Megjithatë, Kurti tha se numri i dënimeve mbetet ende i ulët krahasuar me përmasat e krimeve të kryera.
Ai theksoi se këto krime kanë lënë pasoja të rënda dhe afatgjata, duke ndikuar jo vetëm tek të mbijetuarit dhe familjet e tyre, por edhe tek brezat e ardhshëm përmes traumave të vazhdueshme.
Kryeministri kritikoi gjithashtu institucionet e Serbisë, duke thënë se ndërsa Kuvendi i Kosovës nderon viktimat e luftës, Kuvendi i Serbisë, sipas tij, së fundmi ka promovuar narrativa që shtrembërojnë të vërtetën dhe glorifikojnë njësi përgjegjëse për krime lufte.
“Ndërsa Kosova nderon viktimat e krimeve të luftës, Serbia vazhdon të shërbejë si strehë për fshehjen e kriminelëve dhe mohimin e krimeve. Sot Kuvendi ynë i Republikës së Kosovës nderon viktimat e dhunës seksuale të përdorur si armë lufte, ndërsa Kuvendi i Serbisë pak ditë më parë u shndërrua në hapësirë për falsifikim institucional të së vërtetës dhe glorifikim të njësive përgjegjëse për krime lufte në Kosovë”, tha Kurti.
Ai përmendi edhe një ekspozitë në Kuvendin e Serbisë për njësitë e Ushtrisë Jugosllave dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, komandantët e së cilave, sipas tij, janë dënuar për krime kundër njerëzimit në Kosovë gjatë vitit 1999./Telegrafi.




















































