LAJMI I FUNDIT:

Kurti dhe gratë ministre premtojnë avancim të barazisë gjinore

Kurti dhe gratë ministre premtojnë avancim të barazisë gjinore

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, kryeministri Albin Kurti dhe gratë ministre në Qeverinë e Kosovës u zotuan se do të punojnë më shumë në ngritjen e rolit të gruas në shoqëri, pasi gjendja në këtë aspekt nuk është aspak e lakmueshme.

Në aktivitetin e organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të zyrës së kryeministrit është bërë edhe lansimi i amendamentimit të kornizës ligjore për mbrojtje nga dhuna në familje, si dhe prezantimi i draftit final të programit të Kosovës për barazi gjinore.


Kryeministri Kurti tha se gjendja e gruas në shoqërinë kosovare është e rëndë. Ai kërkoi të punohet çdo ditë për të arritur progresin e dëshiruar.

“Ky program duhet të jetë i ndërlidhur dhe në harmoni me programin qeverisës i cili trajton të drejtat dhe barazinë si tema poshtë të të gjitha temave tjera. Të gjithë e dimë që gjendja është e rëndë dhe ne duhet të flasim jo vetëm më 8 mars ose 9 mars, por secilën ditë. Dhe gjendja është aq keq saqë jo vetëm të flasim, por të punojmë çdo ditë për të arritur progres. Pengesat janë të mëdha. Sot gratë janë të nën-përfaqësuara, të nën-punësuara subjekt i dhunës dhe ngacmimi seksual i objektifikimit medial. Pabarazia gjinore nuk është vetëm e padrejtë por është edhe e kushtueshme. Gratë janë pjesë përbërëse e ekonomisë, por nuk janë pjesë e zhvillimi ekonomik pasi janë të përjashtuara nga vendimmarrja dhe tregu i punës. Kjo e dëmton potencialin tonë ekonomik. Pengesat janë të shumta dhe ne i dimë, sepse i kemi thënë disa herë, por ka munguar qeveria e cila i jep një drejtim asaj që duhet”, tha Kurti, raporton KP.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se është urgjente që në Kuvend të procedohet Projektligji për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje.

Ajo kërkoi që gjykatat dhe policia të mos paragjykojnë rastet, por të merren me dhunuesin.

“Sa i përket Projektligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, unë besoj që shumë shpejt i njëjti duhet të procedohet në Kuvendin e Kosovës dhe duhet të kemi një koordinim me komisionin përkatës për të drejtat e njeriut. Është nevojë urgjente që të miratohet ky ligj dhe të adresojë disa çështje… Besoj që duhet ta kemi një sekretariat brenda Ministrisë së Drejtësisë, që pavarësisht a ndërrohen apo jo qeveritë, duhet të funksionoj në nivel institucional dhe besoj se kjo adresohet tashmë edhe në Projektligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, po ashtu duhet të rregullohen roli dhe detyrat dhe përgjegjësitë e strehimore dhe shteti t’i financojë 100 për qind. Në buxhetin për 2020 janë ndarë rreth 900 mijë euro për stre himoret dhe për herë të parë është bërë një linjë e veçantë për strehimoret”, tha Haxhiu.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi tha se do të punojë që të ngritet niveli i pjesëmarrjes së grave në institucionet e Kosovës. Ajo tha se në dikasterin që ajo udhëheq prej gjithsej 700 punëtorëve vetëm 17 gra kanë pozita udhëheqëse.

“Ministria ime ka rreth 700 punëtorë dhe vetëm 17 gra janë në pozita udhëheqëse. Ky numër është i paktë për një institucion dhe bashkë me programin e Agjencionit për Barazi Gjinore ne si qeveri dhe ministri do të punojmë ngushtë që roli i femrës të merr më shumë përgjegjësi në institucione”, tha ministrja Dumoshi.

Ministrja e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari theksoi se prioritet i saj do të jenë krijimi i politikave më të mira për rritjen e bizneseve në pronësi të grave.

“Si ministre në këtë mandat do të mundohem që të përkushtohem maksimalisht që gratë dhe vajzat dhe burrat të kenë të drejta dhe mundësi të barabarta që perspektiva gjinore të përfshihet në çdo fazë të procesit dhe planifikimit, miratimit, zbatimit. Fokus kryesor është që të kemi politika më të mira për rritjen e bizneseve në pronësi të grave, në çështje të punësimit, rritjen e besueshmërisë për gra, të kemi politika më të mira në përkrahjen e legjislacioneve dhe politikave për inovacion dhe ndërmarrësi”, tha Hajdari.

Ndërsa, kryeshefja ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia tha se programi për Barazi Gjinore siguron qasje të barabartë në çdo fushë të shoqërisë sonë.

“Synon që të sigurojë që procesin e arritjes së barazisë gjinore ta vendosë në qendër të transformimit të shoqërisë brenda tërë strukturave të saj, institucioneve, politikave, procedurave, programeve qeveritare dhe aktiviteteve të shoqërisë civile dhe akterëve ndërkombëtarë. Procesi i hartimit të programit për barazi gjinore ka filluar në vitin 2017”, tha Gusia./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit

Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit

Lajme
Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Lajme
Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Kronika e Zezë
Ndalohen për 48 orë pesë të dyshuar për rastin e plagosjes në Lupç

Ndalohen për 48 orë pesë të dyshuar për rastin e plagosjes në Lupç

Drejtësi
Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Lajme
Prokuroria jep detaje për plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës

Prokuroria jep detaje për plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës

Drejtësi
Kalo në kategori