LAJMI I FUNDIT:

Kurti dënon sulmin ndaj gazetarit Visar Duriqi

Kurti dënon sulmin ndaj gazetarit Visar Duriqi

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti u ka bërë thirrje forcave të rendit që me profesionalizëm e angazhim të vënë sa më shpejt para përgjegjësisë sulmuesit e gazetarit Visar Duriqi.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti u shpreh se rrahja e gazetarëve për shkak të punës dhe fjalës së tyre, janë fenomene negative që populli i Kosovës nuk i duron.


Kurti i uroi shërim të shpejt Duriqit, dhe tha se Qeveria e ardhshme e konsideron si mision ruajtjen e demokracisë dhe të lirisë së fjalës, bindjes e veprimtarisë politike.

Postimi i plotë:

Qeveria kujdestare rekordeve të veta të këqija po u shton edhe atë të problemeve me rendin publik. Rrahja e familjarëve të politikanëve për shkak të qëndrimit të tyre politik, rrahja e gazetarëve për shkak të punës dhe fjalës së tyre, janë fenomene negative që populli i Kosovës nuk i duron. Qeveria e ardhshme e konsideron si mision ruajtjen e demokracisë dhe të lirisë së fjalës, bindjes e veprimtarisë politike, sipas ligjit. Ata që mendojnë se mund ta ndalin demokracinë me gangsterizim, le ta dinë se koha e tyre ka perënduar. Njëri-tjetrin mund “ta mundim” vetëm me fakte, me argumente, me logjikë e me mjete demokratike. U bëj thirrje forcave të rendit që me profesionalizëm e angazhim të vënë sa më shpejt para përgjegjësisë dhunuesit.

I uroj shërim të shpejtë e rikthim në detyrë gazetarit Visar Duriqi. /Telegrafi/