LAJMI I FUNDIT:

“Ku rafsha mos u vrafsha”!

“Ku rafsha mos u vrafsha”!

E shtrirë në divan po mendoja për veten time, për popullin tim, dhe për gjithçka që më rrethonte. E frikuar nga vetë mendimet e mia, u mundova të largohem nga një zymtësi që veçse më kishe kapluar mendjen.

Entuziazmi dhe vullneti i mirë veçse kanë filluar të shterojnë dhe, e humbur në një vorbull të pafund që shpesh e quajmë jetë, po mendoja edhe për ëndrrat e lëna në gjysme, edhe për shpirtin e këputur të kujtesës, dhe për lirinë tonë të copëtuar e të arrnuar nëpër shekuj. Si për dreq më shkoj mendja tek Besa, kjo fjalë e bukur që populli im dikur agun e mëngjesit dhe mbrëmjen e errët kur Hëna mungonte i lidhte me të. Kjo fjalë që besohej se të ngre nga varri, për të cilën ishte murosur Rozafa.


Jeta dhe vdekja në të njëjtat zanore dhe bashkëtingëllore banonte. Besa, kjo fjalë e shkurtër sa vet liria e popullit tim, dhe me peshë mali sa edhe vet përpjekjet e tij për të arritur atë (lirinë). E kam dëgjuar shpesh nga të vjetrit që thonë: dikur në ditët tona… Ku janë ato ditë? Apo ishin vetëm iluzione që banonin në kujtesën e “mykur” të çdo gjenerate, kohe, ato që edhe ata donin të besonin se ekzistonte dikur, siç do t’i themi ndoshta edhe ne fëmijëve tanë kur rrudhat ballin të na kenë mbuluar.

Besa, krenaria ime dhe e popullit tim. Sot kam menduar pak më thellë për këtë. Pse vetëm ne e kemi besën? Pse të tjerët nuk e kishin e nuk e kanë? Mos vallë se edhe atëherë ne ishim aq gënjeshtarë dhe nuk lidheshim dot për asgjë që premtonim dhe u deshtë që diçka siç është Besa të ngritet në institucion aq të lartë, të shenjtërohet, glorifikohet, mistifikohet… vetëm e vetëm që njerëzit të mbanin premtimin? Popujt e tjerë që nuk e kanë besën, mos i bie se ata ishin më besnikë se ne?

Nuk dua të besoj, zemra me thotë mos beso! Në ishim shumë mikpritës, besnikë dhe të dashur. Kështu e kanë thënë edhe të tjerët për ne (Miss Edith Durham, Lordi Byron etj). E çka ndodhi me ne?

Duke i hedhur një sy asaj që sot po ndodh në çdo sferë të jetës, ku të mashtrosh dhe të bësh “dallavere” është kthyer në normë shoqërore, dhe se ata që nuk i përmbahen një norme të tillë dhe e kanë mundësinë o janë budallenj o diçka nuk është ne rregull me ta, të bënë të ndjehesh keq për veten dhe të tjerët, duke përfshirë edhe ata që po e forcojnë këtë normë.

Mashtrime, gënjeshtra vjedhje… janë vetëm disa nga “epitete” që mund t’ju jepen atyre që po matin e presin të ardhmen tonë. Dhe, askush nuk merret me ta, por çuditerisht ne themi “ çka huptë mos u gjet’t kurrë”, se ne gjithmonë e paskemi vjedh shtëpinë tonë, sepse vetëm kështu kjo shprehje ka kuptim…

Kjo duhet të më bëjë të ndihem mirë? Situate që ne po kalojmë tani, është vetëm një përsëritje e historisë, apo se kështu në fakt kemi qenë gjithmonë, me “këmbë nëpër hekur, me kokë nëpër mjegull”, se pushteti dhe pozita “s’po lejkan kan’ pa u koritë”, por megjithatë kësaj pune i thonë “ ku rafsha mos u vrafsha”!