Një person i moshës 28 vjeçare i plagosur para 10 muajsh, tek i cili kishte mbetur një plumb në lobin e poshtëm të mushkërisë së majtë, është trajtuar me sukses në Klinikën e Kirurgjisë Torakale përmes një ndërhyrjeje moderne kirurgjikale.

Kjo u bë e ditur nga faqja zyrtare e QKUK-së në rrjetin social në Facebook.


Sipas njoftimit ekipi mjekësor ka realizuar heqjen e trupit të huaj duke përdorur metodën bashkëkohore VATS-Uniportal (Video Assisted Thoracic Surgery – Uniportal), një teknikë minimale invazive që mundëson trajtim më të sigurt dhe rikuperim më të shpejtë për pacientin.

"Ndërhyrja është kryer me sukses të plotë, duke evituar komplikacionet e mundshme dhe duke ruajtur funksionin e mushkërisë. Pacienti është në gjendje të mirë shëndetësore dhe po vazhdon rikuperimin pas operacionit. Kjo arritje dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të stafit mjekësor për aplikimin e metodave më të avancuara në trajtimin e pacientëve, si dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në QKUK", thuhet në njoftim. /Telegrafi/