LAJMI I FUNDIT:

Kryeziu: Kuvendi nuk guxon të jetë peng i interesave politike e partiake (Video)

Kryeziu: Kuvendi nuk guxon të jetë peng i interesave politike e partiake (Video)

Drejtori Ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu nga KDI, në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Muhamet Hajrullahu ka thënë se Kuvendi i Kosovës nuk është në nivelin e përgjegjësisë që duhet ta ketë, dhe për këtë fajtor janë partitë parlamentare.

“Kuvendi nuk është shembulli më i mirë se si është duke funksionuar, pa marrë parasysh fushatën zgjedhore Kuvendi duhet të jetë në nivelin e përgjegjësisë, deputet dhe partitë politike duhet të jenë të koncentruara në punët e Kuvendit”, ka thënë Kryeziu.


Sipas tij nuk e kemi luksin si shoqëri dhe se Kuvendi nuk guxon të jetë peng i interesave politike e partiake, pasi që siç shprehet ai “fillimi i fushatës për zgjedhjet lokale ka bërë që partitë politike të orientohen në fushatë duke anashkaluar tërësisht punën në Kuvend”.

Kryeziu theksoi se grupet parlamentare përveç ndarjes së komisioneve, nuk kanë propozuar ende emrat e kryetarëve të komisioneve, të nënkryetarëve dhe të anëtarëve të tyre.

Duke komentuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të caktuar për sonte në orën 21:00, Kryeziu shtoi se nuk është praktikë e mirë që këto mbledhje të mbahen në orët e mbrëmjes, pasi që vendi nuk është në gjendje të jashtëzakonshme. /Telegrafi/