LAJMI I FUNDIT:

Kryeministri spanjoll iu thotë punëtorëve të mos i vendosin kravatat për të kursyer energji

Kryeministri spanjoll iu thotë punëtorëve të mos i vendosin kravatat për të kursyer energji

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez iu ka bërë thirrje punëtorëve në sektorin publik dhe privat që të mos mbajnë kravata, si një masë e kursimit të energjisë në vapë.

Sanchez tha se qeveria e tij do të miratojë të hënën masa “urgjente” të kursimit të energjisë, derisa vendet evropiane përpiqen të bëhen më pak të varura nga gazi rus për shkak të luftës në Ukrainë.


Të premten, temperaturat arritën në 36 gradë Celsius në Madrid dhe 39 gradë në Sevilje, transmeton Telegrafi.

Gjatë javëve të fundit Evropa ka përjetuar temperatura rekord të larta.

Në një konferencë shtypi në Madrid, Sanchez vuri në dukje se ai nuk kishte veshur kravatë – dhe tha se donte që ministrat e tij, zyrtarët publikë dhe punëtorët në sektorin privat të bënin të njëjtën gjë.

“Kjo do të thotë se ne të gjithë mund të kursejmë energji”, shtoi ai.

Kryeministri tha se masa do të sigurojë që njerëzit të qëndrojnë më të freskët dhe për rrjedhojë do të ulin kostot e energjisë, sepse kondicionerët do të përdoren më rrallë.

Spanja nuk është e para që ndërmerr këtë masë. Në vitin 2011, Japonia prezantoi fushatën e saj “Super Cool Biz”, që inkurajoi punonjësit e zyrës të veshin rroba më të freskëta gjatë verës.

Dhe gjatë temperaturave të larta në Mbretërinë e Bashkuar kohët e fundit, politikanëve iu tha se mund të hiqnin xhaketat e kostumit të tyre ndërsa ishin në House of Commons.

Qeveria e Sanchez po punon për një dekret për kursimin e energjisë, që pritet të miratohet të hënën.

Dekreti përfshin një masë për të inkurajuar bizneset që të mbajnë dyert e tyre të mbyllura ku është e mundur, për të parandaluar ikjen e ajrit të kondicionuar. Një rregull i ngjashëm u prezantua në Francë në fillim të kësaj jave. /Telegrafi/