LAJMI I FUNDIT:

Kryeministri nesër nderon familjen Jashari

Kryeministri nesër nderon familjen Jashari

Me parakalimin e njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ka filluar manifestimi për nder të Epopesë së UÇK-së.

Ky manifestim po organizohet nën patronatin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.


Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, bëhet e ditur se nesër nga ora 10:00 do të bëjë homazhe pranë varrit të komandantit Agem Jashari në kompleksin memorial në Prekaz.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, bën homazhe pranë varrit të Komandantit Legjendar Adem JASHARI dhe varrezave të Familjes JASHARI në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz”, thuhet në agjendën ditore të Kryeministrit Mustafa për ditën e nesërme, raporton Koha.net.

Kryeministri Mustafa, në kuadër të manifestimit për shënimin e 18 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mori pjesë sot në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në këtë manifestim të organizuar nën patronatin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ishin të pranishëm edhe drejtuesit e institucioneve vendore si dhe përfaqësues të trupit diplomatik, anëtarët e Familjes Jashari në krye me Rifat Jasharin, shoqatat e dala nga lufta si dhe personalitete të tjera vendore e ndërkombëtare.

Kryeministri Isa Mustafa së bashku me presidenten Atifete Jahjaga, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, ministrin e FSK-së, Haki Demolli dhe komandantin e FSK-së, Rrahman Rama, vendosën kurora me lule pranë Obeliskut të dëshmorëve, në nderim të të gjithë atyre që u flijuan për lirinë e Kosovës.

Rifat Jashari ka folur në Kazermën e FSK-së “Adem Jashari” me rastin e Epopesë së UÇK-së.

Ai ka thënë se ndjehet mirë kur sheh ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, transmeton Koha.net.

“Po më kënaqet shpirti e zemra kur po ju shoh juve ushtarë tanë që jeni rreshtu këtu, ku ma herët janë rreshtu forcat serbo-sllave”, tha Jashari.

Jashari më tej ka thënë se është mirë që të ruhet gjaku i atyre që kanë rënë dhe të dërgohet amaneti i tyre aty ku dëshiruan, e kjo sipas tij, arrihet vetëm së bashku.

Për presidentin e zgjedhur Hashim Thaçi, Epopeja e UÇK-së është pika kulmore historike e kombit shqiptarë.

“Sakrifica legjendare e komandantit, Adem Jashari dhe familjes së tij janë sublimim i synimeve shekullore për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Thaçi, teksa ka shtuar se këtë ngjarje e kujton me një foto të bërë para 23 vjetëve në një nga qendrat e Gardës Kombëtare në Tiranë, në mars 1993, raporton Koha.net.

Një porosi për Epopenë e UÇK-së, e ka bërë edhe kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

“Sot, zemra dhe mendja e të gjithëve neve, është në Prekazin e Adem Jasharit, aty ku më 5 Mars 1998, ndodhi sakrifica e pashoqe për liri, aty ku ndodhi fillimi i fundit të Serbisë në Kosovë”, ka thënë ai në profilin e tij në Facebook.

Presidentja në largim, Atifete Jahjaga ka deklaruar se sot është dita që simbolizon bashkimin për ta ndërtuar shtetin, pa e sfiduar demokracinë e brishtë të Kosovës.

Jahjaga në manifestimin për nderë të Epopesë së UÇK-së, ka thënë se të gjithë qytetarët e Kosovës përkulen para atyre burrave dhe grave që e deshën lirinë.

“Sot është dita që simbolizon bashkimin, ku duhet më shumë respekt e dashuri, pa e sfiduar demokracinë e brishtë të saj. Sot është dita që duhet hequr dorë nga inatet për të punuar për një shtet të së drejtës. Sot është koha për Kosovën, e cila është një realitet i pa kthyer dhe është koha që FSK të kthehet në Forcë të Armatosur”, ka thënë ajo.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari”, tha se kjo ngjarje ka bërë kthesë për lirinë e vendit.

“Kjo është një ngjarje që ka kthyer vetëdijen kombëtare për lirinë e vendit. Ne bashkëndjejmë dhimbje me familjen Jashari”, tha Haradinaj.

I pyetur se a do ta vizitojë familjen Jashari, Haradinaj tha se nuk do ta bëjnë një vizitë të këtillë pasi që tha se “ata kanë shumë vizitorë sot” dhe “nuk duam t’i bezdisim”.

Ai ka shkuar në Prekaz së bashku me përfaqësuesit e kësaj partie, për të bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

Homazhe në Prekaz ka bërë edhe kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj bashkë me anëtarët e partisë së tij.

Limaj tha se flijimi i komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij kanë hapur rrugën e lirisë.

Ai gjithashtu tha se nga 5 marsi i vitit 1998, rrezet e lirisë depërtuan në gjithë territorin e Kosovës.

Veç liderëve politikë vendorë dhe qytetarëve të Kosovës, komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, e ka përkujtuar edhe Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.

“18 vjet më parë, Jasharët i treguan botës mbarë se çfarë çmimi ka liria për shqiptarin. Beteja epike e familjes Jashari me në krye komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari vuri gjakun e tyre të kulluar arbëror në themelet e Kosovës së lirë e të pavarur!”, shprehet Basha.

Duke i uruar “lavdi të pavdekshme” komandantit të UÇK-së, Basha i ka shprehur “nderim përjetë familjes Jashari dhe bijve e bijave të shqipes që dhanë jetën për liri!”.