LAJMI I FUNDIT:

Kryeauditorja Spanca: Auditimi i katër komunave veriore do të bëhet në momentin më të mirë të mundshëm, ka përmirësim në cilësinë e raportimit financiar

Auditorja e përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Vlora Spanca ka thënë se auditimi i katër komunave në veri të Kosovës do të bëhet në momentin më të mirë të mundshëm.

Spanca në një intervistë për Telegrafin me redaktorin e ekonomisë Albert Spahiu, theksoi se krahasuar me vitet paraprake ka përmirësim në cilësinë e raportimit financiar. Ajo ka treguar se janë audituar 101 institucione publike, duke shtuar se për herë të parë pas disa viteve janë audituar pasqyrat financiare të Korporatës Energjetike të Kosovës.


“Tashmë se vetëm e kemi përmbyllur sezonin auditues, ku kemi audituar të gjithë institucionet e përcaktuara me ligj, që janë ato financiare dhe të pajtueshmërisë. Janë përfshirë 101 institucione publike, prej të cilave 12 janë ndërmarrje publike, ku në kuadër të kësaj kemi audituar edhe Radio Televizionin e Kosovës dhe për herë të parë kemi audituar pasqyrat financiare të Korporatës Energjetike të Kosovës”, ka theksuar Spanca.

Sipas saj, Posta e Kosovës pas disa viteve ka marr opinion të pastër.

“Rezultatet e auditimet kanë treguar se raportimi financiar në organizata buxhetore, në ministri, në nivelin lokal, po ashtu në ndërmarrje publike duhet të përmirësohet më tutje, nga 97 auditimet e bëra, kanë rezultuar që 58 kanë opinion të pastër dhe 39 kanë marr opinion jo të mirë. Nëse e shohim me një vit paraprak, shihet se ka një përmirësim në cilësinë e raportimit financiar, si në nivelin qendror dhe atë lokal”, tha ajo.

“Posta e Kosovës pas disa viteve që ka pasur opinion jo të mirë, këtë vit ka marr opinion të pastër e po ashtu sa i përket pajtueshmëri me ligjet dhe rregulloret në fuqi, kishte opinion të mirë”, ka shtuar Spanca.

Kryeauditorja tregon se janë identifikuar 149 persona të ish-Mbrojtjes Civile, të cilët kanë marr paga përkundër që nuk janë në marrëdhënie pune.

“Kemi potencuar një çështje e cila e përcjell Qeverinë e Kosovës, është ajo e pagesave për punonjësit që nuk e vijojnë punën. Kjo është si rezultat i Marrëveshjes së Brukselit dhe një vendim i Qeverisë që është nënshkruar në vitin 2015 për integrimin e ish-Mbrojtjes Civile në institucionet publike. Numri i tyre është 149 dhe vlera është diku mbi 700 mijë euro në vit”, tregoi kryeauditorja.

Autorja e përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Vlora Spanca gjatë intervistës për Telegrafin

Spanca pohon se tashmë janë ndalur këto pagesa.

“Mund të them se këtu ka përmirësime në këtë aspekt, ku Ministria e Arsimit dhe ajo e Ekonomisë e kanë zgjedhur këtë problem, duke iu ofruar kushte dhe punonjësit ka filluar të punojnë, përderisa Ministria e Kulturës me marrjen e raportit, në qershor apo në korrik të vitit të kaluar, ka ndalur pagesat”, pohoi Spanca.

Ajo tregon se janë duke u parë modalitetet që të auditohen edhe katër komunat në veri të Kosovës, ku sipas saj është duke u pritur momenti më i mirë i mundshëm.

“Jemi duke i parë modalitetet, ku ne e kemi marr një ftesë nga kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq për të filluar auditimin dhe në këtë aspekt kemi mbajtur një takim, e që zyrtarët tonë janë që janë të autorizuar për auditimin e komunave janë duke shikuar për të shikuar nëse më të vërtet janë pjekur kushtet për të filluar auditimi”, tregoi ajo.

“E kemi sqaruar se për të filluar auditimi na duhen dokumentet për ta bërë verifikimin, pavarësisht se ne kemi të dhënat nga Thesari dhe përveç këtyre neve na duhen edhe personat përgjegjës. Duhet të janë një numër i personave përgjegjës që janë pjesë e menaxhimit financiar dhe kontrollit, zyrtari i prokurimit, i financave, etj”, potencoi Spanca.

Shefja e ZKA-së tregon se si një alternativë për auditimin e këtyre katër komunave është që të përfshihen në dy vite auditim.

“Ne vazhdimisht kemi tentuar të kontaktojmë këto komuna, por që nuk kemi marr asnjë përgjigje, për shkak këta zyrtarë nuk janë në komunë. Po presim kur të krijohen kushtet e volitshme, pra kur të janë edhe zyrtarët përkatës dhe komuna është në gjendje të na ofroj qasje në të gjitha kërkesat e tona”, tregoi shefja e ZKA-së.

“Një alternativë mund të jetë që të njëjtat t’i auditojmë së bashku për vitet 2022 dhe 2023, do të thotë kur të krijohen kushtet e t’i përfshijmë te dy vitet në auditim. Përveç kësaj, asnjëra prej katër komunave në pjesën veriore nuk kanë përgatitur as pasqyrat financiare. Jemi duke e vlerësuar situatën varësisht se si po rrjedhin, mirëpo që ne e kemi obligim ligjor, ku nganjëherë rrethanat politike ta imponojnë edhe ta pamundësojnë kryerjen e një auditimi”, ka përfunduar ajo.

Në këtë intervistë, kryeaditorja ka folur edhe për auditimin e KEK-ut, sfidat, projektet dhe raportin njëvjeçar të ZKA-së. /Telegrafi/