KRU "Hidromorava" Gjilan ka njoftuar se keqpërdorimi dhe vjedhja e ujit nuk do të tolerohen, ndërsa ndaj shkelësve do të ndërmerren masa ligjore.

Sipas njoftimit, rritja e temperaturave dhe kërkesat për ujë të pijshëm kanë shkaktuar vështirësi me presionin në rrjetin e furnizimit në lagjen Porodin dhe disa zona të tjera.


Kompania ka bërë të ditur se falë angazhimit të ekipeve teknike është arritur stabilizimi i furnizimit me ujë, duke përmirësuar gjendjen edhe në zonat që kanë pasur probleme gjatë ditëve të fundit.

Megjithatë, ekipet e kontrollit në terren kanë identifikuar raste të dyshuara të keqpërdorimit dhe vjedhjes së ujit në lagjen Porodin dhe në zona të tjera.

“Çdo rast i keqpërdorimit apo vjedhjes së ujit nuk do të tolerohet. Ndaj të gjithë shkelësve do të merren masat e parapara me ligj, përfshirë edhe paraqitjen e kallëzimeve penale pranë organeve kompetente”, thuhet në njoftim.

Kompania u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të keqpërdorimit të ujit, me qëllim sigurimin e furnizimit të drejtë dhe të pandërprerë për të gjithë konsumatorët. /Telegrafi/