Një qytetar ka dorëzuar në Stacionin Policor në Viti një portofol të gjetur, brenda të cilit ndodheshin dokumente personale, karta bankare dhe një shumë parash të gatshme.

Sipas njoftimit të Policisë Rajonale në Gjilan, më 6 gusht, qytetari B. Haziri është paraqitur në stacionin policor dhe ka dorëzuar portofolin që kishte gjetur.


Pas pranimit të portofolit, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për identifikimin e pronarit, përmes verifikimit të dokumenteve dhe të dhënave të gjetura në të.

“Pas verifikimit të dokumentacionit, në bazë të procedurave të rregullta ligjore, është arritur të identifikohet dhe të kontaktohet pronari legjitim, të cilit i janë kthyer të gjitha gjërat e humbura”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka falënderuar qytetarin për veprimin e tij, duke e vlerësuar atë si shembull të bashkëpunimit dhe përgjegjësisë qytetare.

“Ky rast dëshmon edhe një herë se bashkëpunimi i ngushtë dhe besimi i ndërsjellë ndërmjet qytetarëve dhe Policisë së Kosovës është shtylla kryesore e sigurisë dhe mirëqenies në komunitet”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/