Dy sulme ndaj punëtorëve shëndetësorë në Viti, stafi proteston për rritjen e sigurisë

Brenda pak javësh, në Komunën e Vitisë janë raportuar dy raste të sulmeve ndaj punëtorëve shëndetësorë, duke ngritur shqetësime për sigurinë e stafit gjatë ushtrimit të detyrës.
Pas rastit të fundit, ku një mjek dyshohet se është sulmuar fizikisht derisa ishte në kujdestari në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Pozharan, punëtorët shëndetësorë të QKMF-së në Viti kanë mbajtur të martën protestë.
Përmes protestës, punëtorët kanë kërkuar nga institucionet përgjegjëse rritjen e masave të sigurisë dhe mbrojtje më të madhe për personelin shëndetësor në vendet e punës.
Ky është rasti i dytë i raportuar brenda një periudhe të shkurtër në këtë komunë. Më herët ishte raportuar edhe për sulm ndaj një infermiereje në QKMF-në e Vitisë, raporton Plus Televizion.
Punëtorët shëndetësorë kanë shprehur shqetësimin se rastet e tilla po krijojnë pasiguri te personeli, i cili gjatë punës së përditshme është në kontakt të drejtpërdrejtë me pacientët dhe qytetarët.
Ata kanë kërkuar që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa konkrete për rritjen e sigurisë në objektet shëndetësore dhe parandalimin e rasteve të ngjashme.
Dy rastet e raportuara brenda pak javësh kanë rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë së mjekëve, infermierëve dhe punëtorëve të tjerë shëndetësorë gjatë kryerjes së detyrës.




































