Sulmohet mjeku gjatë kujdestarisë në QMF-në e Pozharanit, reagon Komuna e Vitisë

Një mjek është sulmuar fizikisht dhe është kanosur gjatë ushtrimit të detyrës në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Pozharan, në kuadër të QKMF-së në Viti.
Lajmin e ka njoftuar Komuna e Vitisë, e cila përmes një reagimi publik ka dënuar ashpër rastin dhe ka shprehur shqetësim për sigurinë e punonjësve shëndetësorë.
Sipas komunës, sulmi ka ndodhur ndaj specialistit të mjekësisë familjare, dr. A.Ç., gjatë kujdestarisë së natës, në vendin e tij të punës.
“Ky është një akt i papranueshëm dhe një cenim serioz i sigurisë, dinjitetit dhe integritetit të punonjësve shëndetësorë”, thuhet në reagimin e institucioneve komunale.
Komuna e Vitisë ka theksuar se asnjë pakënaqësi apo mosmarrëveshje nuk mund të justifikojë dhunën fizike apo kërcënimet ndaj mjekëve, infermierëve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë.
Po ashtu, është kërkuar që rasti të trajtohet me seriozitet nga organet kompetente dhe që ndaj personave përgjegjës të ndërmerren masat e parapara me ligj. Institucionet e sigurisë, sipas komunës, janë njoftuar menjëherë për rastin.
Komuna ka paralajmëruar gjithashtu se do të shqyrtojë të gjitha mundësitë ligjore për krijimin e kushteve më të sigurta për punonjësit e sektorit publik dhe profesionistët shëndetësorë gjatë ushtrimit të detyrës.
“Dhuna ndaj punonjësve shëndetësorë nuk është vetëm sulm ndaj individit, por është sulm ndaj institucioneve, shërbimit shëndetësor dhe ndaj të drejtës së qytetarëve për të marrë shërbime shëndetësore në një ambient të sigurt”, thuhet në reagim. /Telegrafi/









































