257 mijë euro investime në Viti për efiçiencën e energjisë në shkollë dhe Qendrën për Punë Sociale

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se në Viti janë realizuar 257 mijë euro investime për rritjen e efiçiencës së energjisë dhe përmirësimin e kushteve në Shkollën e Mesme të Ulët “28 Nëntori” dhe Qendrën për Punë Sociale.
Sipas njoftimit të Ministrisë, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kanë vizituar këto dy objekte, ku kanë përfunduar punimet.
Në Shkollën “28 Nëntori” janë investuar 118 mijë euro, ndërsa punimet kanë përfshirë termoizolimin e mureve të jashtme, izolimin e kulmit, ndërrimin e dritareve, instalimin e sistemit të ngrohjes me pelet, ndriçimit LED dhe kaldasë së re.
Nga këto masa, sipas Ministrisë, pritet të arrihet kursim vjetor prej rreth 75 për qind, ose rreth 118 mijë kWh energji në vit.
Ndërkaq, në Qendrën për Punë Sociale në Viti janë investuar 139 mijë euro. Punimet kanë përfshirë instalimin e kaldajës së re me kapacitet 90 kW, ndërrimin e dritareve, përmirësimin e fasadës dhe sistemit të ndriçimit, si dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe kushteve të temperaturës.
Sipas njoftimit, këto ndërhyrje kanë mundësuar uljen e konsumit vjetor të energjisë me rreth 74 për qind.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se investimet në efiçiencën e energjisë përmirësojnë drejtpërdrejt kushtet në objektet ku qytetarët mësojnë, punojnë dhe marrin shërbime.
Ndërsa ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se investimet janë pjesë e tranzicionit të drejtë energjetik, me synim që përfitimet nga efiçienca e energjisë të jenë të prekshme për qytetarët.
Investimet janë realizuar në kuadër të skemës qarkulluese të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, me financim nga Qeveria e Kosovës.
Ministria ka bërë të ditur se në kuadër të skemës me komunat dhe Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, janë ndarë gjithsej 3.8 milionë euro për renovimin energjetik të 13 objekteve publike në Viti, Podujevë, Lipjan dhe Shtime. Më herët, sipas saj, janë renovuar edhe 125 objekte në 21 komuna. /Telegrafi/







































