KRU “Drini i Bardhë” ka njoftuar fermerët se furnizimi me ujë për ujitjen e tokave bujqësore po vazhdon sipas planit dhe orarit të përcaktuar, pavarësisht temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin.

Në njoftimin e kompanisë thuhet se, për shkak të rritjes së kërkesës për ujitje gjatë kësaj periudhe, fermerët duhet ta shfrytëzojnë ujin në mënyrë racionale dhe me përgjegjësi, duke respektuar rendin dhe orarin e ujitjes.


“Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet furnizim i barabartë me ujë për të gjithë fermerët”, thuhet në njoftim.

KRU “Drini i Bardhë” ka rikujtuar gjithashtu se kyçjet ilegale në rrjetin e ujitjes janë të ndaluara, pasi ndikojnë në funksionimin e sistemit dhe në furnizimin e rregullt me ujë për fermerët e tjerë.

Kompania ka bërë të ditur se ekipet e saj në terren do të vazhdojnë angazhimin për të siguruar funksionim sa më të mirë të sistemit të ujitjes gjatë gjithë sezonit. /Telegrafi/