Kroati po e merr plotësisht kontrollin mbi Bugattin

Rimac Group do të marrë kontroll të plotë mbi kompaninë Bugatti Rimac, pasi Porsche do t’i shesë aksionet e saj një konsorciumi investitorësh të udhëhequr nga HOF Capital nga SHBA.
Marrëveshja është nënshkruar më 24 prill 2026 dhe pritet të finalizohet deri në fund të vitit, pas miratimeve rregullatore.
Bugatti Rimac u krijua në vitin 2021 si një projekt i përbashkët mes Porsche dhe Rimac Group, ku Rimac kishte 55 për qind dhe Porsche 45 për qind. Porsche gjithashtu mban 20.6 për qind në Rimac Group.
Sipas marrëveshjes, Porsche do të shesë të gjitha aksionet e saj në Bugatti Rimac dhe Rimac Group te konsorciumi i udhëhequr nga HOF Capital, i cili ka investime në kompani si SpaceX dhe OpenAI. Në konsorcium merr pjesë edhe BlueFive Capital.
Pas përfundimit të marrëveshjes, Rimac Group, së bashku me HOF Capital dhe BlueFive Capital, do të ketë kontroll të plotë mbi Bugatti Rimac, që zotëron edhe Bugatti Automobiles në Francë. HOF Capital do të bëhet gjithashtu aksionari më i madh i Rimac Group.
Porsche tha se po e shet pjesën e saj për t’u fokusuar në biznesin kryesor, duke vlerësuar bashkëpunimin me kroatin, Mate Rimac dhe ekipin e tij gjatë viteve.
Mate Rimac tha se Porsche ka qenë partner kyç dhe se struktura e re do t’i ndihmojë të përshpejtojnë zhvillimin afatgjatë, duke vazhduar bashkëpunimin me Volkswagen Group si furnizues teknologjie.
Investitorët e rinj thanë se synojnë ta ruajnë dhe zhvillojnë trashëgiminë e Bugatti, duke e konsideruar atë një nga markat më prestigjioze të automobilizmit në botë. /Telegrafi/



















































