LAJMI I FUNDIT:

Kritikohet vonesa e strategjisë së energjisë

Kritikohet vonesa e strategjisë së energjisë

Qeveria e Kosovës ende nuk e ka finalizuar strategjinë e energjisë, por së shpejti pritet të merren vendime të rëndësishme për projektet kryesore në këtë fushë.

Kjo kronologji e vendimeve për Muhamet Mustafën, deputet i Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja, është në kundërshtim me mënyrën se si duhet të merren vendimet. Strategjia e energjisë, sipas tij, do të duhej t’u paraprinte projekteve siç janë “Kosova e Re”, “Kosova B” apo “Kosova A”, shkruan sot Koha Ditore.


“Kur të ndërtojmë strategji duhet me i pas parasysh të gjitha problemet dhe ato duhet të shikohen në mënyrë komplekse e jo me vendos për një çështje pa e pasur parasysh segmentin tjetër. Prandaj kemi kërkuar që me ardhë strategjia sa më shpejt, sepse në ndërkohë po marrim vendime për ‘Kosovën e Re’, tani ‘Kosovën B’, tani krejt dhe kur të vjen strategjia veç janë marr’ vendimet dhe strategji duhet me i ndjek ato vendime e jo me i ndikuar ato vendime. Në fakt, duhet në mënyrë të kundër të punohet, por të shpresojmë që do të na vjen strategjia”, ka thënë Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano–Kosovare për sfidat e furnizimit me energji elektrike, që është mbajtur të mërkurën në Prishtinë.

Ka qenë Agron Demi nga Instituti GAP i cili ka thënë se Kosova ka hyrë në vitin e tretë pa një strategji të energjisë. Madje, sipas tij, edhe dilemat sa i përket të ardhmes së termocentralit “Kosova A” do të duhej të kishin një përgjigje në strategjinë e energjisë. /Telegrafi/