Nga: Edi Lesi
Një vajzë tetëvjeçare kërkon të takojë të atin para se t’ia pushkatojnë. E mitura troket në derën e xhelatit, për të marrë lejen. Duart i dridhen. Nuk është hyrja e një legjende, as letërsi. Në një ditë si kjo, fund tetori, 70 vite më parë, Juli Shllaku u ndal me droje para shtëpisë ku rrinte shefi i degës, në Shkodër. Babai i saj, Mark Shllaku, sapo ishte dënuar me vdekje. Ekzekutimi do të bëhej për pak ditë. E ëma e shoqëroi deri afër banesës dhe e la vogëlushen ta kërkonte të drejtën për takimin e fundit me të atin, duke menduar se kështu do të ishte më efektive.
“Më çoi mama deri afër, e masanej i rashë vetë derës. Ishte nga ato shpitë e mëdhaja me ballkone druni, të sekuestrume tregtarëve. Shefit të degës, nuk ja maj men emrin. I thashë, a mund ta takojmë babën për herë të fundit. Më tha po, më dha një pusullë, shko takoje”, rrëfen Juli, sot 78 vjeçe.
Ajo mendon se kryepolici i Shkodrës u tregua bujar, se u ndikua nga fëmijët dhe gruaja e tij që ishin aty kur ajo hyri në oborr.
E bija e Mark Shllakut jeton me djalin, Antonin, në një apartament pranë Shkollës së Mesme të gjuhëve të huaja në Tiranë. Nuk i ka të shpeshta vizitat, edhe pse kërkesat nuk mungojnë. Ka vuajtur jo pak nga shëndeti. Teksa ngjitemi në ashensor për ta takuar, bashkë me fotografin Florion Goga, vrasim mendjen se si do të ishte shtrëngimi i duarve, se cilat mund të jenë fjalët e para. Nuk duhet të jetë e lehtë me një njeri kaq të vuajtur.
Mirëpo, del një hyrje mjaft e përzemërt. Ajo e ka merak që të pritemi mirë dhe me respekt, me pijet e duhura. Antoni na servir raki nga më e mira – e shtëpisë.
Më 25 shtator, sipas terminologjisë së sotme të medias online, u bë virale një letër. Amaneti i Mark Shllakut për të shoqen para se të shkonte drejt pushkatimit, ndryshoi ditën, gjendjen, dhe humorin e çdokujt që e lexoi. E besueshme është që nuk ngeli njeri pa e parë.
Marku, një arsimtar 31-vjeçar, ëndërrimtar, i linte këto porosi së shoqes. Të kujdesej për vajzat, të vazhdonte jetën, të martohej, por mos ta harronte. I kërkonte t’i gjente eshtrat, duke i dhënë një orientim. Do të kishte një copë metalike me emrin e tij, që do ta lidhte te këmbët.
“Unë vetë e kam zbuluar letrën, në vitin 1976, pasi më vdiq mama”, tregon Juli Shllaku.
70 vjet qëndroi e fshehur kjo letër. Antoni vetë ka pak muaj që e ka parë. Juli e ka nxjerrë dhe e ka bërë publike kur mori vesh se paskan ardhur disa ekspertë të huaj që ndihmojnë në zbulimin e varreve dhe gjetjen e eshtrave.
Gruaja e Markut, duke ndjekur kumtin që i thoshte të kujdesej për vajzat, ishte munduar ta mbante gjithë pikëllimin mbi vete dhe të mos i ngarkonte të bijat me këtë dramë të pazakontë. Dhe ia kishte dalë për së mbari. Vetëm pasi ajo ndërroi jetë, Juli, duke rrëmuar nëpër rafte, e gjeti amanetin brenda një ditari të babait të saj.
“Ai ditar, ato letra, ato poezi, vjersha, dhe disa piktura që kemi prej tij, shpëtuan”, thotë Juli, e cila edhe pse tetë vjeçe në atë kohë, e mban mend fare mirë se pas pushkatimit, ushtarë të rreptë erdhën dhe e kthyen shtëpinë përmbys ku nuk kursyen as perdet, me idenë e ngulmët për të gjetur prova të implikimit të mësuesit Mark Shllaku në veprën e rrëzimit të pushtetit komunist.
“Këto shpëtuan, sepse ata që erdhën për kontroll, ishin injorantë. Nuk i kuptonin, kushedi si u janë dukur”, rrëfen Juli, teksa i kalon nëpër gishta ato shënime të zverdhura e të dala boje prej viteve.
Janë pikërisht origjinalet, të shkruara në letrat e paketës së duhanit, Ylli i Kuq. Dhe dy foto të Markut, i ri, dhe pak para se ta dënonin, i mban aty.
E mban mend shumë mirë të atin. Ishte mësues në Kabash të Pukës, një zonë tejet e thellë. Ajo thotë se e ka marrë një herë me vete. Mark Shllaku synonte t’i argëtonte nxënësit e tij dhe i nxiste të ishin kreativë. Edhe vetë kishte marrë pjesë në role në estradë. Kishte shpirt artisti.
E kujton saktë ditën kur u dha vendimi, dënim me vdekje. Kur e nxorën nga salla e gjyqit, rrethohej nga ushtarë: “Mama jeme u sul me e taku. Dhe, i ndau ushtarët, e u përqafu me të. Po nuk e lanë ma shumë”.
Juli e ka treguar disa herë këtë histori me të afërm e miq. Edhe në këtë rrëfim nuk i ndal dot lotët.
Juli e mori lejen. Shkoi bashkë me të ëmën në burg, aty në Shkodër ku po e mbanin. U takua për herë të fundit me babën, jo shumë gjatë. Marku i tregoi të shoqes se brenda dyshekut ka fut do gjana, ajo duhet t’i marrë. Mes sendeve të fshehura në atë grumbull të vjetruar me rrecka, ishte amaneti.
Tek porositë e Mark Shllakut që ka ngelur në mendjen e kujtdo që ka lexuar letrat, ishte edhe ajo për të shlyer borxhin e tjegullave, te Haliti. E pyesim Julin për këtë.
“Haliti ishte tregtar. Mama mas do mujsh që e vranë babën, i bani lekt, dhe shkoi e takoi. I tha ky është borxhi dhe ja dorëzoi. E kam amanet prej Markut. Po ai nuk pranoi me i majt. Nuk pranoi në mënyrë absolute”.
Kërkesa kryesore e Markut ishte gjetja e eshtrave. Ai kishte dëgjuar në burg se çfarë ndodh me të dënuarit me vdekje dhe sa e vështirë ishte t’u gjenden trupat. Juli thotë se e ëma, menjëherë pas pushkatimit, pagoi një fshatar të zonës, i cili mihi krejt pjesën e Kirit ku bëheshin ekzekutimet, po nuk gjeti gjë.
“Mama u martu, e u donte me ndryshu mbiemnin për me fillu punë. Nuk fillonte dot ndryshe. Dhe baba ja pat lan në letër, që me u martu, me vazhdu jetën. Masnej, masi u martu, prej shërbëtore në çerdhe që ishte, ja dhanë të drejtën me ushtru profesionin e saj që e donte shumë, si nimsmjeke”.
Eshtrat e Mark Shllakut nuk janë gjetur ende. E bija nuk është optimiste. Ka dëgjuar dëshmitarë, e banorë të zonës, në luginën e Kirit, aty ku kryheshin ekzekutimet, se prej nxitimit, toga e pushkatimit mund ta ketë lënë trupin në sipërfaqe. Dhe rrjedha pastaj me siguri e ka marrë dhe një zot e di se ku janë. Të pakta duken shanset për t’u gjetur.
“Unë edhe pak do jem, do ja lë amanet Tonit”, thotë Juli, e cila e ka të birin si perëndi në dritën e syve. Është e prerë kur pohon se këto punë duheshin bërë herët, në fillim të ardhjes së demokracisë. Një seri dramash ka në këtë familje. Në të njëjtin vit që Mark Shllaku u pushkatua, i ati i tij vdiq në kampin e internimit në Tepelenë.
Mark Shllaku u dënua me vdekje pasi u akuzua si nismëtar i themelimit të Partisë Socialdemokrate. Ai po ashtu u gjykua se mbante lidhje me njerëzit e Gjomarkajve dhe Mirakajve. Juli thotë se ai ishte i pakënaqun se si po shkonin punët në vend pas çlirimit. Ishte i mërzitun. Nuk ishte ajo, gjendja, situata që ai donte. Mark Shllaku tjetër gjë kërkonte. Ishte ëndërrimtar. /Gazeta “Mapo”/
Promo
Reklamo ketuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Nusja që zemëroi Venedikun, pasi përdori një pirun

Vdekja e arsyes: Pse të mos flasin edhe kinezët shqip?

Agjenti i dyfishtë i Luftës së Ftoftë: Si e mashtroi Tito, Perëndimin?

Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!

“Zbulimet” shqiptare: Muhamedi nga Skrapari, Jezusi nga Mirdita…

“Procesi”

Çmimi i banesës në lagjen Aktash me zbritje – shfrytëzojeni këtë mundësi ID-226

OFROHET ME ZBRITJE – objekti afarist me 600m² po lëshohet me qera ID-124

EXTRA ZBRITJE – Shitet banesa me 91.5 m² në Prishtinë ID-159

Shitet banesa e përshtatshme për familje të vogla, 93.72m² në Prishtinë – mundësitë e pagesës të përshtatshme për gjithsecilin ID-235

Lokacioni ideal, ajri i pastër dhe shtëpia e ëndrrave tuaja – kjo ofertë është e duhura për ty! ID-234

Fotot e rreme të vajzave të reja të zhveshura – të krijuara me Inteligjencën Artificiale – tronditin një qytet të vogël spanjoll

Zbuloni sekretin e bukurisë me peptide të kolagjenit Naturagen – tash me 50% në Telegrafi Deals

Stil, funksionalitet dhe zbritje – ofertat në Telegrafi Deals nuk kanë të ndalur

Shfrytëzo ofertën – blej me zbritje maicën në Telegrafi Deals

Syze Hugo Boss ekskluzivisht me zbritje në Telegrafi Deals
Më të lexuarat

Putinit nuk do t'i pëlqenin këto imazhe të tankeve të ushtrisë së tij – të cilat kthehen nga vija e frontit në Ukrainë

Sulmi terrorist në veri - detaje të reja të lidhjes së shtetit të Serbisë me grupin e armatosur

Sulmi terrorist në veri, Biserko: Kishte skenar të ndërhyrjes së ushtrisë serbe dhe ndarje të Kosovës

Banjska, fshati ku burrat qetësisht pinë birra e fëmijët flasin me specialët

Policia gjen aktivizuesin e mjetit shpërthyes në afërsi të Manastirit të Banjskës

Huliganët nga Greqia dhe Mali i Zi vajtojnë vdekjen e serbëve në Banjskë, mesazhe politike kundër Kosovës