LAJMI I FUNDIT:

Krijohet Komiteti i përbashkët për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes Kosovë – Serbi

Krijohet Komiteti i përbashkët për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes Kosovë – Serbi

Bashkimi Evropian ka njoftuar se të martën është themeluar Komiteti i përbashkët për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve.

Në komunikatën e BE-së thuhet se “Bashkimi Evropian si ndërmjetësues i dialogut Beograd-Prishtinë, së bashku me Kosovën dhe Serbinë, si palë në dialog për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre, kanë krijuar sot një Komitet të Përbashkët Monitorues për të mbikëqyrur zbatimin e Marrëveshjes në rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksin e Zbatimit të saj”.


Sipas BE-së, themelimi bëhet 30 ditë pas takimit të nivelit të lartë të Dialogut në Ohër të Maqedonisë së Veriut, siç është përcaktuar në Aneksin e Zbatimit.

“Komiteti i Përbashkët i Monitorimit do të kryesohet nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak. Kosova do të përfaqësohet nga ambasadori i saj në Bruksel Agron Bajrami dhe Serbia nga kryenegociatori Petar Petkoviq”, thuhet në komunikatë, transmeton Telegrafi.

Sipas BE-së, Komiteti do të takohet rregullisht në Bruksel.

“Termat e Referencës pritet të finalizohen dhe miratohen në takimin e parë të Komitetit, i cili do të zhvillohet pas takimit të radhës të dialogut të nivelit të lartë i planifikuar të mbahet në Bruksel të martën më 2 maj”, thotë BE-ja.

Ambasadori Agron Bajrami propozohet të jetë pjesë e grupit monitorues për zbatimin e marrëveshjes me Serbinë
Lexo po ashtu Ambasadori Agron Bajrami propozohet të jetë pjesë e grupit monitorues për zbatimin e marrëveshjes me Serbinë

Duke folur për marrëveshjen me Serbinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka thënë të martën gazetarëve se Marrëveshja nuk paraqet tërësi të elementeve, por paraqet një pako në të cilën nuk mund të shkëputësh asnjë pjesë.

“Ne jemi zotuar, dhe e kemi ripërsëritur qëndrimin tonë, për zbatim të plotë të kësaj pakoje, të kësaj Marrëveshjeje bazë, dhe aneksit përkatës për implementim, dhe tash besoj që fjalën e ka Brukseli që ta detyrojë Serbinë për këtë“, ka thënë Kurti.

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dhjetëra marrëveshje prej fillimit të dialogut, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje. /Telegrafi/