LAJMI I FUNDIT:

Krijohen 10 vende të reja të punës “Made in Kosova”

Krijohen 10 vende të reja të punës “Made in Kosova”

Anëtari i Klubi i Prodhuesve të Kosovës, kompania S//SPRINT ka bërë hapjen e pikës së parë të shitjes së veshmbathjeve sportive në Prishtinë, veshmbathje këto të cilat janë prodhim “Made in Kosova”. Ky dyqan super modern vjen i kompletuar sipas standardeve të fundit dhe ka karakteristikë kryesore veshjet të cilat janë unike për nga dizajni dhe me kualitet të garantuar.

Kjo kompani, është prodhues i veshjeve sportive i cili filloi aktivitetin në vitin 2012 dhe vazhdon të prodhojë produkte kualitative dhe gjithnjë të zgjerojë kapacitet prodhuese të veshjeve sportive në tërë vendin. Me rritjen e kapaciteteve prodhuese kjo kompani në vazhdimësi po kontribuon edhe në rritjen e numrit të të punësuarve. Vetëm në këtë pikë të shitjes do të jenë të punësuar 10 punëtorë.


Të pranishëm në hapjen e kësaj pike ishin mbështetës dhe përkrahës të kompanisë, miq dhe familjarë të familjes Sopa.

Gjatë fjalimit të ceremonisë së hapjes, pronari i kompanisë S//SPRINT Sami Sopa tha se kompania nuk do të ndalet me kaq, planet do të vazhdojnë me hapjen e pikave tjera të cilat do të kontribuojnë me vende të reja të punës dhe zgjerimin e kapacitetit prodhues të veshjeve sportive në vend.

“Fabrika e veshjeve sportive ka startuar me vetëm 6 punëtorë dhe pas pranimit të produkteve tona në treg si mjaft cilësore, kemi rritur kapacitetet, e po ashtu edhe numrin e punëtorëve si dhe kemi zgjeruar objektin. I falënderojë të gjithë për mbështetjen dhe falënderojë të gjitha gratë të cilat punojnë çdo ditë me përkushtim në fabrikën në Podujevë”, tha Sopa.

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha shpreh kënaqësinë që dita ditës po rritet prodhimi si dhe konsumimi i produkteve “Made in Kosova”.

Prodhuesit vendor po kontribuojnë në zgjerimin e ganës së produkteve të prodhuara në Kosovë, produkte këto të cilat janë importuar në masë të madhe nga jashtë. Sipas Panxhës vetëm në këtë mënyrë fuqizojmë sektorin e prodhimit dhe arrijmë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik i cili drejtpërdrejt ndikon në mirëqenien e qytetarëve të vendit tonë.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka falënderuar pronarin e kompanisë S//SPRINT-it për kontributin që po jep në rritjen e numrit të punësuarve, ku kjo fabrikë ka të punësuar mbi 100 punëtorëve.

Po ashtu ai ka falënderuar USAID-in për ndihmën që ju ka dhënë kësaj kompanie si dhe tërë prodhuesve tjerë në zhvillimin ekonomik të vendit./Telegrafi/