Komuna e Ferizajt ka njoftuar se në këtë qytet është hapur zyra e dytë e Kreditimit Rural të Kosovës – Dega në Ferizaj, një institucion mikrofinanciar i fokusuar në ofrimin e produkteve dhe shërbimeve kreditore për qytetarët dhe bizneset.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë shefi i Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Albion Sherifi, si dhe drejtori i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Balton Dërguti.


Sipas njoftimit të komunës, hapja e kësaj zyre përfaqëson një mundësi të re për zhvillimin ekonomik të qytetit, duke sjellë një gamë të gjerë shërbimesh financiare, përfshirë kredi për biznese, kredi për bujqësi, kredi të gjelbra, kredi për gratë në biznes, si dhe kredi për konsum dhe renovim.

Komuna e Ferizajt ka vlerësuar se prania e këtij institucioni do të kontribuojë në mbështetjen e ndërmarrësisë, zhvillimin e sektorit privat dhe krijimin e mundësive të reja për qytetarët e kësaj komune. /Telegrafi/