LAJMI I FUNDIT:

Krasniqi refuzon thirrjen e Lladrovcit të kthehet në PDK, e fton në NISMA

Krasniqi refuzon thirrjen e Lladrovcit të kthehet në PDK, e fton në NISMA

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi i është kundërpërgjigjur kandidatit të PDK-së për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, pasi ky i fundit i bëri ftesë që të kthehej në “shtëpinë e vjetër”, Partinë Demokratike të Kosovës.

“Jakup kthehu në shtëpinë tonë. Mos na e ndaj Drenicën”, ishte ftesa që i ka bërë Lladrovci Krasniqit edhe sot, në një tubim, ku dhjetëra aktivist të Vetëvendisjes i janë bashkuar PDK-së në Drenas.


Mirëpo, Krasniqi përmes një postimi në facebook, jo veç që ka refuzuar ftesën e Lladrovcit por ka akuzuar ish-partinë e tij se është një “shtëpi” pa vlera, duke thënë se “Nuk janë germat (shkronjat) që e përbejnë një ‘shtëpi’ politike. Shkronjat ruajnë emër, por nuk ruajnë përmbajtje dhe as vlerat mbi të cilat është ndërtuar një shtëpi politike”, transmeton Telegrafi.

Postimi i plotë Krasniqit:

NISMA SOCIALDEMOKRATE ËSHTË SHTËPIA JONË

Nuk janë germat (shkronjat) që e përbejnë një “shtëpi” politike. Shkronjat ruajnë emër, por nuk ruajnë përmbajtje dhe as vlerat mbi të cilat është ndërtuar një shtëpi politike.

“Shtëpinë” politike e përbëjnë vlerat rreth se cilave mblidhen njerëzit dhe angazhohet fortë për t’i ruajtur, për t’ju dhënë formë e përmbajtje atyre dhe jetësimin e tyre.

Ajo shtëpi është tejhuasua shumë, kështu që përveç germave, nuk përfaqëson më asnjë nga vlerat e parimet fillestare të formimit.

Ato vlera, vlerën e lirisë, të drejtësisë, të barazisë e te solidaritetit i kemi në shtëpinë tonë, në NISMA për Kosovën.

Këtu i ftojmë të gjitha ata që jetojnë më vlerat e parimet e socialdemokracisë. I ftojmë në ketë shtëpi të gjithë ata qe u nisen për jetësimin e këtyre vlerave dhe degraduan në antivlera. Vlera që “shtëpia” e shkronjave që na fton i ndërroi brenda nate!

NISMA përfaqëson vlerat e Lirisë, të Drejtësisë, të Barazisë e të Solidaritetit mes njerëzve!