LAJMI I FUNDIT:

Krasniqi: Qeveritë nuk e kanë prioritet zhvillimin ekonomik të vendit

Krasniqi: Qeveritë nuk e kanë prioritet zhvillimin ekonomik të vendit

Kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, në një intervistë më gazetarin Albert Spahiu, ka thënë se ambienti i të bëri biznes në vend nuk është në nivelin e duhur.

Ai thotë se qeveritë në vazhdimësi nuk e kanë prioritet zhvillimin ekonomik të vendit dhe si rezultat nuk kemi punësim.


“Fatkeqësisht edhe gjatë kohës që nuk po kemi zgjedhje, ambienti i të të bërit biznes nuk është në nivelin e dëshiruar, kemi shumë probleme, nuk kemi rritje të ekonomisë së vendit, për shkak se në kontinuitet qeveritë nuk e kanë prioritet zhvillimin e vendit. Më shumë po merren me problemet politike dhe në parim nuk po e krijojnë një strategji të përbashkët se kah do të shkojë vendi, që ka sjellë një gjendje jo të mirë biznesin. Si rezultat i kësaj nuk kemi rritje të punësimit, kemi një diferencë të madhe të importit dhe eksportit, kjo nuk po ndryshon për më shumë se dhjetë vite”, thotë ai.

Krasniqi shprehet se është momenti për të ndryshuar kjo qasje.

“Momenti për të ndryshuar ka qenë shumë më herët dhe është tani, sepse kemi një mos zhvillim të vendit dhe mos rritje të ekonomisë së vendit. Statistikat tregojnë se kemi një rritje të papunësisë dhe ulje të punësimit. Krahasuar me rajonin, veçanërisht me Maqedoninë, pasi ka popullsisë pothuajse të njëjtë, ku Maqedonia e Veriut ka mbi 800 mijë të punësuar, ndërsa Kosova ka rreth 340 mijë të punësuar. Kjo tregon se çfarë niveli të papunësisë është Kosova dhe çfarë mungesë të prodhimit vendor kemi ne”, shprehet Krasniqi.

Ai tregon se Marrëveshja e CEFTA-s dhe ajo e MSA-së nuk janë negociuar siç duhet.

Kryetari i bordit të OAK-ut, Skënder Krasniqi, në një intervistë për Telegrafi.com

“Marrëveshjet që Kosova po i nënshkruan me institucionet ndërkombëtare nuk po sjellin rritje të prodhimit dhe rritje të zhvillimit, sepse nuk po negociohen në nivelin e interesit të Kosovës, e cila është Marrëveshja e CEFTA-s, që e ka shkatërruar prodhimin vendor, sepse jemi i vetmi vend që kemi hy në CEFTA pa e mbrojtur asnjë produkt. Gjithashtu, Marrëveshja e MSA-s nuk është negociuar mirë, ku edhe kjo marrëveshje ka rezultuar se mbi 10 mijë vende punë janë më pak”, tregon ai.

Në këtë intervistë, Krasniqi ka folur edhe për efektet e tarifës 100 për qind në ambientin e të bërit biznes në Kosovë. /Telegrafi/