LAJMI I FUNDIT:

Krasniqi iu premton përfaqësuesve të bizneseve ndihmën e Qeverisë në tejkalimin e sfidave nga pandemia

Krasniqi iu premton përfaqësuesve të bizneseve ndihmën e Qeverisë në tejkalimin e sfidave nga pandemia

Sot Klubi i Prodhuesve të Kosovës u takua me Ministrin Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ku diskutuan për zhvillimet e përgjithshme në ekonominë e vendit, por edhe për sfidat e sektorit të prodhimit si rezultat i pandemisë COVID-19 dhe projektet përkrahëse ndaj këtij sektorit në Kosovë.

“Gjatë takimit u diskutua rreth kërkesave të cilat u paraqiten nga prodhuesit por edhe rreth planit të mbështetjes së bizneseve nga pasojat e pandemisë. Si prodhuesit, ashtu edhe vetë ministri Krasniqi theksuan nevojën e bashkëpunimit reciprok në tejkalimin e kësaj krize.

Ministri Krasniqi u zotua që prioritet i tij do të jetë mbështetja veçanërisht ndaj sektorit të prodhimit, duke iu lehtësuar prodhimin në bazë të programeve të veçanta. Ai u shpreh i gatshëm që të krijohet një kontakt i vazhdueshëm deri në normalizimin e situatës dhe rrjedhimisht stabilizimin e ekonomisë”, thuhet në njoftim.

Në anën tjetër, anëtarët e Klubit e uruan ministrin Krasniqi për detyrën e re, por edhe e falënderuan për takimin, ku shprehen gatishmërinë e tyre që bashkëpunimi me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë të thellohet edhe më tej në mes të dy palëve. /Telegrafi/