LAJMI I FUNDIT:

KQZ pranon peticionet për shkarkimin e kryetarëve në veri, verifikimi i nënshkrimeve bëhet ditëve në vijim

KQZ pranon peticionet për shkarkimin e kryetarëve në veri, verifikimi i nënshkrimeve bëhet ditëve në vijim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar peticionet e nënshkruara nga qytetarët për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave në veri të vendit.

KQZ-ja gjatë ditës ka pranuar edhe peticionin nga Mitrovica e Veriut, ndërsa verifikimi i nënshkrimeve është proces që do të zgjasë.


Baraliu: Juridikisht diskutabile iniciativa për shkarkimin e kryetarëve në veri
Lexo po ashtu Baraliu: Juridikisht diskutabile iniciativa për shkarkimin e kryetarëve në veri

Kështu ka konfirmuar kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, në mbledhjen e Komisionit të enjten.

“Konfirmojmë se kemi pranuar peticionet prej katër komunave dhe verifikimi i nënshkrimeve do të bëhet ditëve në vijim. Ka numër të madh të nënshkrimeve dhe nevojitet kohë për konfirmim”, ka thënë Radoniqi.

Ndryshe, kryetarët shqiptarë u zgjodhën në prill të vitit 2023, në zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët, në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.

Nisja e detyrës së tyre nxiti tensione në fund të majit të vitit të kaluar, të cilat kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.

Peticioni është nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Listës Serbe, parti që bojkotoi zgjedhjet dhe largoi përfaqësuesit e saj nga institucionet e Kosovës, duke nxitur edhe largimin e serbëve të tjerë.

Largimi nga institucionet u bë në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me ndërrimin e targave të makinave nga ato të lëshuara nga Serbia në ato që lëshohen nga Kosova, por që atëherë kjo çështje është zgjidhur.

Por, në mesin e tetorit të vitit 2023, kjo parti deklaroi se ishte e gatshme të merrte pjesë në zgjedhjet në komunat në veri, pa vendosur asnjë kusht për pjesëmarrje në zgjedhje, siç kishte bërë më herët.

Ky qëndrim i kësaj partie u mor pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje përfaqësuesve serbë në veri të Kosovës që të inicionin mbajtjen e zgjedhjeve të reja, në mënyrë që “levat kryesore të pushtetit të jenë në duart e tyre”.

Kësaj thirrjeje i parapriu një sulm i armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator, kur një grup serbësh sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një polic. Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq. /Telegrafi/