LAJMI I FUNDIT:

Kosovës i thellohet deficiti tregtar, gjatë muajit tetor rritet për 13 për qind

Kosovës i thellohet deficiti tregtar, gjatë muajit tetor rritet për 13 për qind

Kosovës i është rritur për 13 për qind deficiti tregtar për muajin tetor 2022, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas raportit “Statistikat e Tregtisë së Jashtme (STJ), tetor 2022“, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovë (ASK) thuhet se volumi i deficitit është 355.9 milionë euro.


Eksporti mbulon importin me 17.7 për qind.

“Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 13 për qind në muajin tetor 2022, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 402.3 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 355.9 milionë euro në vitin 2021. Eksporti mbulon importin me 17.7 për qind”, thekson ASK, përcjell Telegrafi.

“Eksporti i mallrave në muajin tetor 2022 kishte vlerën 86.4 milionë euro, ndërsa importi 488.7 milionë euro, që është një rritje prej 19.1 për qind për eksport dhe 14.1 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021”, shton raporti.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit, 20.7 për qind e përbëjnë produktet minerale, ndjekur me 18.5 për qind që e përbëjnë metalet bazë, 14.9 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar, 13.3 për qind e përbëjnë plastika, goma, 7.1 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani dhe 5.3 për qind produktet bimore.

Ndërsa, grupet kryesore për import e përbëjnë produktet minerale me 16.8 për qind, pasuar nga makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike me 11.8 për qind, 10.3 për qind e përbëjnë metalet bazë, 10.2 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 10.2 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike, 7.6 për qind e përbëjnë mjetet e transportit dhe 6 për qind e përbëjnë plastika dhe goma.

“Eksportet e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian arritën në 37.7 milionë euro ose rreth 43.7 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 65.5 për qind. Ndërkaq, importet ishin rreth 203.3 milionë euro ose 41.6 për qind e importeve të përgjithshme me një rritje prej 15.7 për qind”, vijon ASK-ja.

Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë Sllovenia me 14.1 për qind, Gjermania me 10.1 për qind, Italia me 5.4 për qind dhe Holanda me 3.3 për qind. Derisa importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania me 10.6 për qind, Greqia me 4.8 për qind, Italia me 4.7 për qind dhe Belgjika me 4 për qind.

Në muajin tetor 2022, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 28.5 milionë euro ose 33.1 për qind të eksporteve të përgjithshme me një rritje prej 18.4 për qind. Partnerë kryesorë ishin Maqedonia e Veriut me 12.9 për qind, Shqipëria me 8.7 për qind, Serbia me 6.4 për qind dhe Mali i Zi me 4 për qind.

Ndërsa, importet arritën në 83.2 milionë euro ose 17 për qind të importeve të përgjithshme me një rënie prej 7.9 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Serbia me 7 për qind, Shqipëria me 4.4 për qind dhe Maqedonia e Veriut me 4 për qind.

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 20.0 milionë euro ose 23.2 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden SHBA-ja me 9.4 për qind dhe Zvicra me 8.5 për qind. Për derisa, importet arritën në 202.1 milionë euro ose 41.4 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë ishin Turqia me 15.4 për qind dhe Kina me 10 për qind. /Telegrafi/