LAJMI I FUNDIT:

Kosova shënon “Startup Europe Week”

Kosova shënon “Startup Europe Week”

Për të dytin vit me rradhë, Innovation Centre Kosovo (ICK) ishte nikoqir i aktiviteteve të shumta me qëllim të shënimit të eventit prestigjoz të Komisionit Europian “Startup Europe Week”. Edicioni i dytë u financua nga zyra e BE-së në Kosovë.

Startup Europe Week është një nismë e Komisionit Europian, e cila për qëllim ka promovimin e bizneseve startup, inovacionit dhe zhvillimin e ekosistemeve të ndërmarrësisë nëpër të gjitha shtetet e kontinentit, duke e konsideruar diversitetin rajonal e kulturor të Europës si një ndër përparësitë më të mëdha në zhvillimin e sektorit dhe bizneseve startup.

Gjatë 5-9 Mars, Innovation Centre Kosovo (ICK) me mbështetje financiare të zyrës së BE-së në Kosovë, organizoi dhjetë aktivitete të profileve të ndryshme, duke e bërë Kosovën një ndër vendet me më së shumti aktivitete për shënimin e SEW1 në Europën Juglindore.

Programi i trajnimit profesional “Startup Bootcamp” që zgjati pesë ditë, u ofroi 43 bizneseve startup njohuri bazike në financa, marketing, gjenerim të ideve, modeli “Canvas” i biznesit, sigurim të investimeve si dhe shkathtësi të prezantimit. Të gjitha ekipet pjesëmarrëse së fundmi kanë aplikuar për t’u pranuar në inkubatorin e biznesit të ICK-së, dhe së shpejti do t’i prezantojnë idetë e tyre para komisionit vlerësues.

Startup Grind nga “Google for Entrepreneurs” prezantoi storien e z. Visar Ramajli (KIVO), një ndër ndërmarrësit serik më të suksesshëm në Kosovë. Komuniteti pati mundësi të dëgjojë rrugëtimin e tij, vështirësitë, këshillat dhe përparësitë e të qenit ndërmarrës në Kosovë.

Gjatë javës u organizuan edhe aktivitete të tjera si: ligjerata e hapur për ndërmarrësi dhe biznese startup për studentët e Universitetit të Prishtinës në Biblotekën Kombëtare, edicioni i tretë i “Rockstart Answers Prishtina”, “Gratë në Ekonominë Digjitale” me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas si dhe vizita në ICK dhe diskutimi me komunitetin, e ministres së Integrimeve Europiane, Dhurata Hoxha.

Gjatë po kësaj jave, për vizitë në ICK ishte edhe një delegacion i lartë i Qeverisë Gjermane, i përbërë nga z. Helge Tolksdorf (përgjegjës për zgjerim në EU për Europë Juglindore & Turqi), znj. Anja Meyer (përgjegjëse për Ballkanin Perendimor) dhe z. Jan-Axel Voss, zv. ambasador i Gjermanisë në Kosovë.

ICK do të jetë pjesë e Samitit Digjital të Ballkanit Perendimor 2018, e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit dhe nxitjen e përkrahjes gjermane dhe donatorëve tjerë për sektorin e ICT dhe bizneseve startup.