LAJMI I FUNDIT:

Kosova e paprekshme

Tendencat për ta cenuar procesin e sapofilluar në mes të Prishtinë dhe Beogradit, siç duket janë rrjedhë e një efekti psiko-ultranacional që ka mbijetuar pas marrëveshjes së 19 prillit të këtij viti.

Fatkeqësisht këto tendenca po i dëshmon incidenti që ndodhi këtë javë në veri të Kosovës dhe që ka marrë jetën e një ndërkombëtari i cili po shërbente në kuadër të EULEX-it. Ndonëse me dhimbje për humbjen e jetës së tij, kjo ngjarje nuk duhet të lejohet të marrë përmasa të gjera dhe të shkaktojë shumë zhurmë sepse në këtë mënyrë ne do t’i shërbejmë dorasit i cili pikërisht dëshiron që të ketë jehonë krimi i tij.


Mediat, analistët dhe opionistët me një mendje racionale duhet të manovrojnë se në çfarë përmasa duhet të shtrihet ky incident dhe çfarë mënyre duhet të trajtohet.

Vëmendja kryesisht duhet të koncentrohet që në këtë gjendje të shikohet më shumë procesi i zgjedhjeve si tërësi e jo si fragment. Veprimet dhe deklarimet duhen të udhëhiqen me kujdes. Zgjedhjet duhet të jenë pikënisja e çdo veprimi, mendimi apo shprehje dhe kjo duhet të dominojë edhe në kohën apo rastet kur mund të shkaktohet ndonjë incident i dhimbshëm.

Barrën për të kontribuar në këtë proces zgjedhor e bartin jo vetëm politikanët, por të gjithë së bashku, inklusivisht mediat apo të involvuarit e tjerë që prononcohen rreth situatave politike në Kosovë.

Vetëdijesim për çdo shprehje, pikësim apo shenjë domethënëse është me rëndësi në momente kritike në çdo shoqëri. Pikënisje e çdo mendimi në të shkruar dhe të shprehur duhet të jetë që Kosova është e paprekshme dhe kufijtë e saj janë të pacenuar. Dominimi i këtij mendimi do të jetë goditja ma e fuqishme kundër çdo lloj tendence që paraqitet dhe tenton të krijojë huti para një procesi që do të shënojë gjurmë progresive për të ardhmen e Kosovës.