LAJMI I FUNDIT:

Kosova dhe Turqia nënshkruajnë marrëveshje për rritjen e numrit të fluturimeve mes dy shteteve

Kosova dhe Turqia nënshkruajnë marrëveshje për rritjen e numrit të fluturimeve mes dy shteteve

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në një konferencë për media pas takimit me homologun e saj nga Turqia, Mevlut Çavusoglu, bëri të ditur se Kosova dhe Turqia kanë nënshkruar sot marrëveshje për rritjen e frekuencave të fluturimeve.

“Është shumë për t’u përshëndetur marrëveshja e nënshkruar sot nga ministrat lidhur me rritjen e frekuencës së fluturimeve mes Kosovës dhe Turqisë”, tha ajo.


Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu.

Gërvalla, vlerësoi se për të është kënaqësi që dikush si ministri Çavusoglu, e viziton Kosovën pasi ai e njeh shumë mirë historinë e Kosovës dhe gjenocidin e përjetuar.

Ministri i Jashtëm turk: Turqia mbështet rrugën euroatlantike të Kosovës dhe dialogun me Serbinë
Lexo po ashtu Ministri i Jashtëm turk: Turqia mbështet rrugën euroatlantike të Kosovës dhe dialogun me Serbinë

“Si gjithnjë është kënaqësi të presësh një homolog dhe një mik të mirë të Kosovës, që e njeh mirë historinë e shtypjes dhe gjenocidit në Kosovë dhe që i cili në të gjitha lëvizjet e tij në rajon nuk e harron përvojën jo vetëm historike por edhe shumë të freskët të gjenocidit në rajon”, deklaroi ajo.

Gërvalla ka thënë se Kosova e ka të qartë përcaktimin e saj për integrim në të gjitha strukturat euroatlantike.

“Pozita e Kosovës në këtë çështje është e qartë, Rusinë e Serbinë e shohim jo vetëm si faktor agresiv, por edhe destabilizues për gjithë rajonin”, ka thënë ajo.

Gërvalla ka thënë se shpreson që përpjekjet për ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, NATO-s e Turqisë, të kontribuojnë që Serbisë dhe separatistëve serbë në Bosnjë-Hercegovinë, t’u pamundësohet që nën hijen e agresionit rus në Ukrainë dhe me ndihmën e Rusisë të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor e Evropën Juglindore.

Ministrja gjithashtu, njoftoi se me homologun e saj turk biseduan edhe për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë, trajtimin e stafit mjekësorë në Turqi dhe trajtimin e pacientëve nga Kosova, duke mos lënë anash edhe bashkëpunimin në fushën e arsimit.

“Me ministrin Çavusoglu biseduam edhe rreth angazhimit të Turqisë në fushën e arsimit dhe dëshirojmë ta zgjerojmë këtë bashkëpunim. Po ashtu i shpreha mirënjohjen Qeverisë së Turqisë për ndihmën  në fushën e shëndetësisë, për dhënien e trajtimit pa pagesë për pacientët nga Kosova dhe për mundësitë e trajnimit të ofruara për punonjësit e kujdesit shëndetësorë”, theksoi ajo.

Ajo në fund e ftoi ministrin Çavusoglu, edhe për investime në Kosovë./Telegrafi/