LAJMI I FUNDIT:

Kosova dhe Iowa nënshkruajnë marrëveshjen për trajnimin e punëtorëve

Kosova dhe Iowa nënshkruajnë marrëveshjen për trajnimin e punëtorëve

Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka së bashku me presidentin e Des Moines Area Community College (DMACC), Rob Denson kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për trajnimin dhe certifikimin e punëtorëve në Kosovë në fusha të ndryshme teknike si saldues, elektricist, ndërtues, operues i makinerisë dhe shumë të tjera.

Marrëveshja parasheh dhënien e qendrës së trajnimeve të KEK-ut në shfrytëzim, kurse DMACC sjelljen e profesorëve dhe trajnuesve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo do t’i ndihmoj vendit për të gjeneruar shkathtësi të cilat aktualisht mungojnë në Kosovë, kurse nga ana tjetër, kërkohen në masë të madhe nga kompanitë vendore dhe të huaja.


Marrëveshja pritet të filloj zbatimin brenda gjysmës së parë të vitit që vjen kurse programi pritet të inaugurohet gjatë vizitës së guvernatorit të shtetit të Iowas së bashku me investitorë nga ky shtet, në qershor 2020.

“Gjatë vizitës dy ditore në Iowa, takova homologen, drejtoreshën e shtetit për ekonomi dhe financa, Debi Durham, të cilës i prezantova projektet ku bizneset nga Iowa mund të investojnë në Kosovë. Me Durhan, gjithashtu u pajtuam që në vizitën e Guvernatorit të Iowa në Kosovë, të përfshihen biznese nga Iowa dhe të shndërrojmë atë në vizitë biznesore. Guvernatorja e Iowas, Kim Reynolds, do të vizitoj Kosovën në qershor të vitit që vjen”, tha Lluka.

Kjo vizitë u shoqërua gjithashtu me shumë takime tjera siç është me mikun e Kosovës, gjeneralin tashmë të pensionuar të Iowa, Timothy Orr dhe zëvendëssekretarin e shtetit, Michael Ross. /Telegrafi/